Terorrizëm mjedisor, tymi i plehrave mbulon Vlorën në mes të sezonit turistik

Fusha e mbetjeve në Vlorë po digjet për të katërtin vit radhazi, ndërsa autoritetet nuk kanë ende një zgjidhje për menaxhimin e mbetjeve dhe po i lënë banorët dhe turistët në mëshirë të tymit helmues.

Të enjten e 25 korrikut, flakët e zjarrit përfshinë fushën e mbetjeve në Vlorë dhe shpërndanë shtëllunga të mëdha tymi mbi të gjithë qytetin në kulmin e sezonit turistik, duke alarmuar banorët dhe turistët.

Ky është i katërti vit radhazi që zjarri shpërthen në përmasa të tilla duke nxjerrë zbuluar paaftësinë e autoriteteve lokale dhe qendrorë për t’i dhënë zgjidhje problemit.

E ndërsa tymi ka mbuluar rrugët, banorët e zonës afër venddepozitimit ankohen për vështirësi në frymëmarrje dhe për një situatë të pashpresë.

“Mezi mbushemi me frymë. Si ne, si pleqtë edhe fëmijët, se unë kam një djalë të vogël, u helmuam”, thotë një i ri që jeton 50 metra nga venddepozitimi i mbetjeve të qytetit të Vlorës. Ai thotë se për ata që jetojnë në afërsi të zonës, situata është e përsëritur, pasi zjarre më të vogla janë të pranishme thuajse gjithë vitin.

Venddepozitimi i mbetjeve në Vlorë, i cilësuar i rrezikshëm nga autoritetet lokale prej vitesh, do duhej të ishte mbyllur dhe Bashkia e Vlorës do duhej të depozitonte mbetjen në landfillin e ri të Sherishtës që në qershor 2021. Por afati i hapjes së këtij të fundit është shtyrë vit pas viti dhe punimet aty janë bllokuar.

Landfilli i Sherishtës është vetëm një nga aktet e sagës së aferës së inceneratorëve në Shqipëri. Ndërtimi i tij është pjesë e një projekti të integruar për menaxhimin e mbetjeve në qarkun e Vlorës me vlerë 20.8 milionë euro të financuar nga KfË, nga të cilat 12.5 milionë euro janë kredi dhe pjesa tjetër grante.

Në qershor 2020, Integrated Technology Services në bashkëpunim me kompaninë italiane Bulfaro Spa, u shpallën fituese të një tenderi prej 9.8 milionë eurosh për ndërtimin e landfillit me një kapacitet prej 350 mijë ton mbetje. Por prej 14 dhjetorit 2021, kompania Integrated Technology Services është nën sekuestro preventive me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Aksioneri i saj i vetëm, Klodian Zoto është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit dhe është dënuar dy herë nga gjykata për akuzuat për pastrim parash dhe korrupsion në aferën e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit, ndërsa pret t’i nënshtrohet gjykimit edhe për aferën e kryeqytetit. Ky fakt ka paralizuar punën edhe në Sherishtë, duke e lënë Vlorën prej vitesh në mëshirë të gazrave helmues që dalin prej djegies së fushës së mbetjeve.

“Jemi para një fakti të një krimi mjedisor, për faktin se gjithë qytetarët vlonjat përfshi edhe turistët i kanë më shumë se 24 orë që ndodhen të ekspozuar ndaj këtij ndotësi të fuqishëm negativ për shëndetin e njerëzve,” thotë Niko Dumani, një aktivist i mjedisit.

Dumani thotë se zjarri në landfill është i pranishëm për një kohë të gjatë, por ai shpërtheu në flakë e tym që mbuluan qytetin, për shkak të erës së fortë në dy ditët e fundit. Eksperi i mjedisit thotë se autoritetet prej vitesh e neglizhojnë situatën, duke mos i dhënë zgjidhje.

Për të gjendja është alarmante. “Përmbajnë shumë gaze të dëmshme për shëndetin e njeriut, biles djegia e plastikës shoqërohet edhe me gaze kancerogjenë, por ajo që është kryesorja është se dendësia e tymit ishte aq e madhe sa mbuloi gjithë qytetin e Vlorës,” shtoi ai.

Banorë të zonës në afërsi të venddepozitimit të mbetjeve e kanë humbur shpresën se situata do të zgjidhet, ndërsa vijojnë të përditshmen e tyre mes tymit mbytës ata fajësojnë qeverinë për gjendjen.

“Kujt t’i bëj thirrje, kur vete fjala në vesh të shurdhër. Ata e bëjnë vetë. Vetë shteti i bën këto. Vit për vit këtë muhabet kemi ne këtu”, thotë një 50-vjeçar.

Ndërkohë zjarri vijoi edhe të premten. Rastet të ngjashme kanë treguar se zjarrfikësit e kanë të pamundur të shuajnë plotësisht flakët në landfille për shkak të djegies në thellësi dhe gazrave që lëshohen nga mbetjet.

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi menaxhimin e situatës deri në publikimin e këtij shkrimi./BIRN

About Redaksia

Check Also

Berisha: Është koha për sulm, t’u dëshmojmë partnerëve tanë se shqiptari i ndershëm nuk ka humbur kurrë besimin tek vota

Lideri i opozitës, Sali Berisha deklaroi se tashmë është koha për sulm, t’u dëshmojmë partnerëve …