Vota e shqiptarëve të mërgatës si faktor stabiliteti politik

Nga Erion DASHO

Nuk reagova menjëherë pas vendimit historik për t’u njohur shqiptarëve të mërguar të drejtën e votës. Por lajmi më gëzon dhe më bën optimist. E drejta e votës që u jepet miliona shqiptarëve në mbarë botën ka avantazhe të shumta, ku do veçoja:

》Ne, shqiptarët që jetojmë jashtë vendit, jemi në një masë dërrmuese të lidhur me atë që ndodh në Shqipëri. Bota e lidhur nëpërmjet internetit dhe medias sociale e mundëson diçka të tillë. Pra vota që ne do të hedhim, do të jetë një votë e mirë-peshuar dhe në përputhje me interpretimin që secili prej nesh i bën skenës politike shqiptare.

》Përgjithësisht, shqiptarët jetojnë në vende me demokraci të konsoliduar ku nuk mund të konceptohen marifete si vjedhja e votës, blerja e saj, intimidimi i votuesve, etj. Gjasat që ata të votojnë të lirë janë shumë më të larta krahasuar me bashkatdhetarët në Shqipëri.

》Ajo pjesë e shqiptarëve tashmë e integruar në vendin ku jeton, ka përjetuar fushata të shumta elektorale dhe ka mësuar se vota nuk duhet të hidhet me partizanllëk të verbër, por bazuar në programe dhe ide zhvillimore. Shqiptarët në emigracion kanë shansin të ndikojnë duke emancipuar edhe politikën në atdhe.

》Së fundi, por më e rëndësishmja, vota e shqiptarëve të mërgatës do të sjellë një përmasë strategjike në politikën shqiptare. Të ndikuar më pak nga efektet afatshkurtër të zgjedhjeve, shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve janë shumë të ndjeshëm ndaj disa çështjeve kardinale si shpopullimi, integrimi europian, ruajtja e identitetit dhe vlerave kombëtare, etj.

Sigurisht ka edhe arsye të tjera që e bëjnë votën e mërgatës një zhvillim pozitiv për politikën, sikundër ka patur dhe do të ketë edhe mendime kundër saj.

Personalisht e kam vlerësuar dhe do ta vlerësoj si një zhvillim pozitiv dhe pres me shumë kërshëri efektet e parë të votës së mërgatës në zgjedhjet e 2025-ës.
Shpresoj dhe uroj që këto efekte të jenë pozitive dhe të konfirmojnë rolin e jashtëzakonshëm të mërgatës jo vetëm si një faktor stabiliteti ekonomik për vendin amë, por edhe si një faktor ndihmues në zhvillimet politike.

About Redaksia

Check Also

Ku do jetë bastardi Veliaj më 18 dhjetor 2024?

Nga Adriana KALAJA Të gjithë e dinë mirë ku do jetë bastardi Veliaj para se …