Kuvendi mblidhet në orën 17:00 për ministrat e rinj, PD kërkon debat: Këshilli i Ministrave jo produkt privat i Kryeministrit

Lindita Nikolla ka hedhur firmën e fundit si kryetare e Kuvendit. Ajo ka firmosur dokumentin për thirjen e seancës së jashtëzakonshme  parlamentare për miratimin e ndryshimeve në Qeveri, si dhe për votëbesimin e Elisa Spiropalit në postin e kryetares së Kuvendit.

Seanca është afruar me një orë, ku do të nisë në orën 17:00, teksa vjen pas dekretimeve nga ana e Presidentit të Republikës Bajram, për të gjitha shkarkimet dhe emërimet e ministrave të rinj.

Për miratimin në Kuvend të ministrave të rinj dhe të Spiropalit si kryetare Kuvendi do të duhen 71 vota, një numër i arritshëm vetëm me deputetët e mazhorancës.

Ndërkohë, Gazment Bardhi në emër të grupit parlamentar të PD-së, i është drejtuar me një shkresë zyrtare Kuvendit, ku kërkon 6 orë debat  për ndryshimet në Qeveri.

“Përbërja e Këshillit të Ministrave nuk është një produkt privat i Kryeministrit, që gëzon vetëm të drejtën kushtetuese të propozimit të saj, por caktimi është një ndërveprim institucional mes tre institucioneve Kryeministër-President i Republikës-Kuvendi i Shqipërisë. Në këtë rast, Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të ketë rol formal, vetëm në certifikimin e vullnetit personal të Kryeministrit, por duhet të diskutojë dhe vlerësojë në meritë propozimet dhe dekretet e ardhura“.

Duke qenë se jemi përpara ndryshimit të përbërjes së Këshillit të Ministrave, që nënkupton një përbërje të re të tij, në përputhje me nenet 12, 46, 48 dhe 110 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë që shqyrtimi i Dekreteve të Presidentit që ndryshojnë përbërjen e Këshillit të Ministrave t’i nënshtrohen debatit parlamentar, prej 6 orësh, të ndarë në mënyrë proporcionale mes grupeve parlamentare” , shkruhet në kërkesën zyrtare të Grupit Parlamentar të PD.

Ndryshimet në Qeveri u bënë si gjithnjë nga kryeministri Edi Rama pa trasnparencë dhe pa llogaridhënie, teksa në poste kyçe vendos emra “anonim”, sa i përket politikës.

Një ndryshim surprizë në qeveri ishte shkarkimi i Taulant Ballës nga posti i Ministrit të Brendshëm, duke e emëruar në postin e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, në vend të Elisa Spiropalit. Rama largoi edhe Ervin Meten nga posti i ministrit të Financave, duke emëruar në vend të tij Petrit Malajn. Ndërkohë, Ervin Hoxha është emëruar ministër i Brendshëm, ndërsa Pirro Vengu është emëruar ministër i Mbrojtjes.

Të tre ministrat e rinj, Petrit Malaj, Ervin Hoxha dhe Pirro Vëngu aktualisht mbajnë poste drejtorësh në institucione në varësi të ministres së Infrastrukturë dhe Energjitikës, Belinda Ballukut.  Ervin Hoxha mban postin e drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Petrit Malaj mban postin e kreut të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Pirro Vëngu mban postin e kreu të Autoritetit Portual të Durrësit.

Opozita ka ngritur shqetësimin në lidhje me emërimin e Pirro Vëngut si ministër i Mbrotjes, pasi nuk dihet nëse ai e ka ende shtetësinë greke apo jo.  Kjo për shkak se çështja e kufirit detar me Greqinë mbetet ende e hapur dhe duke nisur nga roli i Ministrisë së Mbrojtjes, ai mund të veprojë kundër interesit të shqiptarëve.

Rama propozoi dhe emërimin e Elisa Spiropalit për të zëvendësuar Lindita Nikollën në postin e kryetares së Kuvendit, pasi kjo e fundit dha dorëheqjen për arsye shëndetësore. Gjithashtu, kreu i socialistëve ka larguar edhe Ermonela Felajn nga posti i nënkryetares së Kuvendit, dhe në vend të saj ka emëruar Bledar Çuçin, i cili mbante postin e kreut të grupit parlamentar të PS-së. Në vend të Çuçit, në postin e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Rama ka emëruar Niko Peleshin, duke e larguar nga posti i Ministrit të Mbrojtjes.

 

About Redaksia

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …