Pse denoncimet e Ahmetajt meritojnë hetim!

Nga Ylli MANJANI

Padyshim, deklarimet e publike të Ben Ahmetajt kanë vlerën e një denoncimi serioz. Ato janë denoncime dhe jo si ato “kallëzuesit popullorë” të cilëve ua shkruajnë kallëzimet të tjerët.

Denoncimet e Benit meritojnë hetime reale. Hetime jo kundërdeklarata relativizuese.

Të gjitha episodet në deklarim duhen hetuar:

– pronësia faktike e Erion Velisë tek Inceneratori i Tiranës,

– Ecoparku,

–  AKSHI,

– Tuneli i Llogarasë,

– 10 miliard eurot e tenderave në infrastrukturë,

– 5 miliardët e Bashkisë Tiranë,

Dhe po, padyshim edhe “dhoma e shurrës” së zonjës Millonai. Edhe kjo meriton hetim të mirëfilltë sepse kompromenton rëndë dhe shumë rëndë besimin tek drejtësia.

Nga ana tjetër, rasti Ahmetaj tregon edhe njëherë se nxitimi për të arrestuar pa bërë hetime, është gabim i rëndë.

Nëse SPAK do kishte zgjedhur të bashkëbisedonte me Ahmetajn apo qoftë edhe me Mërtirin ,të ballafaqonte faktet me deklarimet, të bënte kryqëzim thëniesh e kundërthëniesh, të verifikonte deklarime dhe të nxiste denoncues të tjerë të vinin në proces, të lidhte deponimet me fakte konkrete, të ndërtonte logjikën e integruar të kësaj çështje që nuk është 3 por 1 dhe me disa pjesëmarrës, do të kishte pasur më shumë sukses.

Do të kishte gjetur vërtetë kush është ideatori i inceneratorëve, kush ishin ekzekutuesit e idesë, kush ishin përfituesit prej saj e kush ishin hallexhinjtë që kontribuan për të ruajtur vendin e punës.

Pra SPAK do kishte një logjikë të plotë e të integruar dhe një hierarki personash përgjegjës, dhe jo kap e arresto ç’të dalë para.

Nxitimi për të arrestuar pa bërë hetime të plota, pa eksploruar mundësinë e bërjes së ndonjë bashkëpunëtori të brendshëm, në thelb e dëmton hetimin. (Në fakt çështje të tilla kërkojnë gjithmonë një bashkëpunëtor nga brenda).

Një hetim i dëmtuar nuk çon tek e vërteta. Mund të dënojë njerëz me sforco, por nuk zbulon të vërtetën dhe nuk parandalon të keqen.

Këtë e kam bindje, tashmë të faktuar me prova si rasti “Ahmetaj”.

Nga ana tjetër, episodet që denoncoi Ahmetaj dhe që kërkojnë hetim të thelluar, tregojnë se SPAK ende nuk ka hyrë në thelbin e të keqes.

Fjala vjen 10 miliardë euro tendera në infrastrukturë nuk mbulohen as me një drejtoreshë që refuzoi të zbatonte porositë e paligjshme të ministres dhe përfundoi në ndjekje penale, as me pikturat që i gjetën në shtëpi një drejtori tjetër.

10 miliardë euro duhet të çonin në ndjekje penale, nëse ka, ministër e lart. Se 10 miliardë janë çuar në një grusht shumë të vogël njerëzish. Kjo është evidente.

Ashtu siç fondet modeste të bashkisë Lushnje apo Bulqizë, nuk lajnë dot fytyrën e 5 miliardë eurove tendera të Bashkisë Tiranë, fytyrën e korruptuar të së cilës nuk e mbulon dot as çështja “5D”.

Nuk është punë drejtorësh kjo situatë, o njerëz!

Nuk them se s’kanë përgjegjësi, por skema është ndërtuar për të siguruar jetëgjatësi në pushtet. Për këtë duhen para dhe, këto para do dalin nga kjo skemë e mbyllur korruptive. Vidh para e mbaj pushtet!

SPAK është konceptuar për të mëdhenjtë, jo për drejtorë e specialistë. Është konceptuar për të thyer skema korruptive, si kjo ku jemi zhytur, pra vidh para e mbaj pushtet!

Deklarimet e Ben Ahmetajt nuk mund të relativizohen me shprehjen “i kërkuar nga drejtësia”.

Në fund të fundit deklarime të tilla nga këto persona dhe në kësi rrethash bëhen. Shoqëritë dhe institucionet serioze i trajtojnë këto deklarime me seriozitet.

Në shoqërinë e lirë dhe institucionet demokratike nuk mund të ndëshkohet denoncuesi. Edhe kur ky i fundit është në hall. Kështu janë denoncimet, gjithmonë nga halli.

Dhe së fundi, të gjithë kemi pritshmëri të lartë se çdo thotë një Ministër i Financave të vendit më të korruptuar në rruzull. Por mosrealizimi i pritshmërive që kemi nuk mund të na çojë në injorimin e atyre denoncimeve që ai bën.

About Redaksia

Check Also

Ku do jetë bastardi Veliaj më 18 dhjetor 2024?

Nga Adriana KALAJA Të gjithë e dinë mirë ku do jetë bastardi Veliaj para se …