Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ-së, e konsideron si procesin më absurd të mundshëm, mbajtjen e zgjedhjeve për kryebashkiak të HImarës. Dule tha se nesër Himara do të gdhihet me dy kryebashkiakë, njëri Fredi Beleri, të cilit nuk iu ndërpre mandati ligjërisht dhe sipas procedurave, ndërkohë që kemi edhe fituesin e procesit të sotëm.
Dule solli në vëmendje se ende nuk kemi një vendim të formës së prerë lidhur me mandatin e Fredi Belerit, pasi në KAS ende nuk është shqyrtuar ankimimi i PBDNJ-së, ndërsa në Gjykatën Administrative është depozituar ankimimi lidhur me dekretin e Presidentit, që caktoi 4 gushtin si ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.
Duke iu referuar parregullsive, Dule tha se në këtë proces kandidati socialist ka hyrë me mbi 1 mijë zgjedhës në favor, duke krijuar kështu një garë aspak të drejtë, transparente dhe të ndershme. “Nëse i referohemi numrit të personave të transferuar në Bashkinë e Himarës dhe atyre që po i mohohet e drejta e votës, kandidati socialist Vangjel Tavo, ka hyrë në këtë proces me plus 1 mijë vota”, tha Dule. Sipas tij, në Himarë janë gjysma e qeverisë dhe e administratës civile, që po ushtrojnë presion ndaj votuesve.
“Është vënë re prania intensive e qytetarëve me precedentë penale, të shoqëruar nga Kryetarët e Bashkive të Konispolit dhe Vlorës”, tha Dule.