Në bashkinë e Himarës po mbahen sot zgjedhjet për kryetarin e ri të bashkisë ku garojnë Petraq Gjikuria nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Vangjel Tavo nga Partia Socialiste. Një nga problemet më të mëdha që u shfaq sot në votime ishte se rreth 6 mijë zgjedhës rezultonin me karta identiteti të skaduara. Ndryshe nga zgjedhjet e shkuara vendore kur vlefshmëria e kartave të skaduara u shty në shkallë kombëtare në zgjedhjet e sotme në Himarë zgjedhësit nuk u lejuan të votojnë.Në bashkinë e Himarës në jug të Shqipërisë në 36 qendra votimi u thirrën sot për të votuar 23074 zgjedhës për kryetarin e ri të Bashkisë.
Petraq Gjikuria nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Vangjel Tavo, nga Partia Socialiste janë në garë në këto zgjedhje të pjeshme pasi kryetari i zgjedhur Fredi Beleri nuk arriti ta merrte mandatin pasi u arrestua një ditë para votimeve dhe u dënua nga gjykatat shqiptare me dy vite burgim për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Të dy kandidatet nuk kanë jetuar në Himarë. Zoti Gjikuria është një sipërmarrës në me origjinë nga Dhërmiu që migroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ndërsa Vangjel Tavo është një politikan karriere që ka përfaqësuar me vite në Parlament zonë e Dropullit në Gjirokastër, që banohet nga pakica greke.
Fushata e dy kandidatëve ka qenë e mbështetur tek premtimet për më shumë shërbime dhe zhvillim të territorit të bashkisë, që është një nga zonat më të lakmuara të Shqiprisë për investime në sektorin turistik. Ndërsa zoti Tavo ka mbështetjen e Partisë Socialiste kandidati Gjikuria ka mbështetjen e PBDNJ-së dhe të organizatës së pakicës greke Omonia.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se në përgjithësi procesi vijonte normalisht dhe në të gjitha qendrat e votimit është kryer identifikimi elektronik i zgjedhësve.
Një nga problemet që u shfaq në shumë qendra votimi ishte paraqitja e zgjedhësve më karta të skaduara identiteti, të cilët nuk janë lejuar të votojnë.
Sipas të dhënave zyrtare rezultojnë rreth 6 mijë zgjedhës me karta që u ka skaduar afati, por jo të gjithë e kanë pasur të pamundur të votojnë pasi mund të ketë mes tyre zgjedhës me pasaprota të vlefshme. Po kështu ligji lejon që personat mbi 70 vjeç të votojnë me karta identiteti që u ka skaduar afati.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi u tha gazetarëve në një konferencë shtypi në Himarë se “janë rreth 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme.”
“Dua të them, tha zoti Celibashi që gati po e njëjta shifër ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara.”
Por në zgjedhjet vendore të vitit të shkuar qeveria ndërmori një vendim në shkallë kombëtare që vlefshmëria e kartave të identitetit të skaduara shtyhej ndërsa në zgjedhjet e sotme në Himarë nuk pati një vendim të tillë.
Zoti Celibashi tha se shtyrja e afatit të kartave është vendimmarje që nuk i përket KQZ-së por Ministrisë së Brendshme, e cila duhet të ishte vënë në lëvizje nga partitë politike ose zgjedhësit.
“Nuk kemi pasur komunikim me përfaqësues të qeverisë dhe ministrisë së Brendshme sepse s’do të ishte zgjidhje kjo çështje duhej zgjidhur më parë, s’kemi pse hezitojmë, lidhet me interesin e vetë votuesve, janë ata të parët që vlerësojnë kanë apo jo interes për të pasur një mjet identifikimi”, shtoi më tej kryetari i KQZ
Lidhur me problematikat me karta identiteti të skaduara ku zgjedhësit nuk u lejuan të votojnë, kandidati socialist Vangjel Tavo tha: “Nuk është çështja ime, mbi ligjin nuk mund të dalë njeri”.
Ndërsa kandidati i kolicionit “ Bashkë fitojmë “ Petraq Gjikuria tha se “vitin e kaluar u lanë njerëzit te votojnë me karta të skaduara ndërsa këtë vit nuk u lejuan dhe ky është problem pasi socialistëve siaps tij u jepnin karta për 24 orë ndërsa palës tjetër i thonin duhet të prisni dy javë”.
Deri në orën 15 të së dielës sipas të dhënave paraprake nga Komisioni Zonal Zgjedhor në Himarë votuan rreth 6500 zgjedhës nga 7655 që votun në zgjedhjet e shkuara për bashkinë e Himarës.
Bashkia e Himarës u drejtua pas zgjedhjeve vendore nga kryetari në detyrë Jorgo Goro, i cili u arrestua nga Prokuroria e Posacme nën dyshimet se përmes dokumentave të falsifikuar ka lejuar regjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme. Më pas bashkia e Himarës u drejtua nga dy kryetarë të komanduar nga këshilli Bashkiak, Blerina Bala e cila dha dorëheqjen dhe Arqile Bollano, i cili është gjithashtu në hetim nga Prokuroria e Posacme për një çështje pronash.
Zgjedhjet e pjeshme në Himarë vijnë në një klimë të ftohtë mes Tiranës dhe Athinës zyrtare që buroi pas arrestimit dhe dënimit të ish kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Fillimisht Athina kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar shkelje të të drejtave të minoritetit. Më pas foli për shkelje të të drejtave politike, duke këmbëngulur që zotit Beleri duhej t’i jepej e drejta për të bërë betimin.
Kërkesat e kryebashkiakut të zgjedhur, për t’i mundësuar atij këtë gjë, u hodhën poshtë nga gjykatat shqiptare, ndërkohë që autoritetet e vendit i janë përmbajtur qëndrimit se çështja i përket drejtësisë, dhe ata nuk mund të ndërhyjnë.
Partia “Demokracia e re” në Greqi e përfshiu Fredi Belerin më pas në listën e eurodeputetëve ku ai fitoi si përfaqësues i Greqisë dhe u lejua nga autoritetet shqiptare të merrte pjesë në seancën e parë të kostituimit në Parlamentin Europian.