Berisha: Edi Rama në luftë me shqiptarët!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi drejtpërdrejtë kryeministrin Edi Rama se ju mohoi të drejtën kushtetuese të votimit për 6153 banorë të Himarës në zgjedhjet për kryetar bashkie.

Berisha tha se, Edi Rama ju mohoi të drejtën e votimit, e ushtrimit të të drejtës kushtetuese për votimin 6153 banorëve të Himarës.

Lideri i opozitës, Sali Berisha u ndal te manipulimet zgjedhore të kryera nga mazhoranca socialiste gjatë votimeve të sotme për kryetar të Bashkisë Himarë. Sipas Berishës, ‘në Himarë sot votuan edhe qytetarë të ardhur nga Dropulli dhe zona të tjera, me ID false, që skadonin në vitin 2070’.

Kryedemokrati Sali Berisha e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se është hajduti i Gjipesë, pas publikimit të skandalit të përvetësimit të 224 mijë metrave katrorë tokë në Vuno. ‘Edi Rama, o hajdut i Gjipesë, i vure syrin e ciklopit dhe e grabite pjesën më panoramike, më të kushtueshme të të gjithë bregut të Shqipërisë’, tha Berisha në tubimin qytetar.

Kryetari i demokratëve, Sali Berisha theksoi se betejën finale opozita e ka kryeministrin Edi Rama. ‘Betejën e kemi me Edi Ramën, e kemi me narkoshtetin, betejën do ta fitojmë ne’, tha në fund të fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, misionareve dhe misionarëve të vërtetë të kauzës së drejtë, kauzës së madhe, të çdo shqiptari të ndershëm, të çdo shqiptari, atdhetarë, patriot, të kauzës së lirisë, interesit kombëtar, shpresës dhe besimit.

Një përshëndetje u dërgoj sonte të gjithë qytetarëve të Himarës, që ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese në një votim që vjen pas grabitjes monstruoze të mandatit të Fredi Belerit, nga Edi Rama dhe bandat e tij.

Miqtë e mi!

Sot përsëri zgjedhjet në Himarë dëshmuan intolerancën e plotë, dëshmuan krimin monstruoz elektoral, shtetëror. Dëshmuan fytyrën e vërtetë të Edi Ramës.

Sot Edi Rama ju mohoi të drejtën e votimit, e ushtrimit të  të drejtës kushtetuese për votimin 6153 banorëve të Himarës se me pretekstin se atyre u kishin skaduar kartat e identitetit.

Ky dënim, ky ndëshkim i qytetarëve të Himarës, se kartat e tyre kishin skaduar ndërkohë që kishte skaduar vetëm data, por nuk kishte ndryshuar asnjë nga elementët e sigurisë që dëshmonin identitetin e qytetarit, është një akt kriminal, është një akt që fakton për të qintën herë se me Edi Ramën, zgjedhje të lira nuk ka dhe nuk do të ketë.

Të dashur miq!

Në zgjedhjet e 14 majit, në Himarë dhe mbarë vendin u zgjat afati i përdorimit, apo u autorizua përdorimi i kartave të identitetit që u kishte skaduar afati.

Kurse sot pas një pune të zezë të identifikimit të zgjedhësve me karta të skaduara doli se në shumicë dërrmuese ata ishin zgjedhës të djathtë dhe Edi Rama refuzoi të firmosë dje, vendimin e qeverisë për të autorizuar vlefshmërinë e kartave pavarësisht nga data e skadimit.

Përveç këtij akti skandaloz, përveç këtij krimi kushtetues, i pandodhur ndonjëherë unë u them shqiptarëve se në ligjet e mëparshme, jo vetëm që pranohej karta edhe e skaduar e identitetit, por pranohej letërnjoftimi i lëshuar edhe në vitet e diktaturës.

Pranohej pasaporta jo biometrike, e lëshuar përpara.

Pranohej certifikata e nxjerrë në gjendje civile, sepse gjëja  e fundit që mund ti shkonte kujt ndërmend ishte mohimi i të drejtës kushtetuese të votimit për qytetarët shqiptarë.

Të përjashtosh nga votimi 6153 qytetarë në një bashki të vogël, imagjinoni ju se çfarë operacioni kriminal përgatit Edi Rama në shkallë vendi.

Ndërkohë miqtë e mi, në Himarë sot votuan edhe qytetarë të ardhur nga Dropulli dhe zona të tjera, me karta identifikimi false, që skadonin në vitin 2070.

U ndala në këto momente për dy arsye.

Për të theksuar edhe njëherë se nuk ka mashtrim më të madh se sa të mendosh se me Edi Ramën mund të ketë zgjedhje të drejta në Shqipëri.

Theksoj këtë për të theksuar, rëndësinë vendimtare, jetike, që ka për çdo shqiptar që e do veten e tij, këtë vend, familjen e tij. Beteja pa ndalim dhe pa kthim gjer në krijimin e qeverisë teknike.

Zgjedhjet e lira, ndryshimin e pushtetit, fitoren e opozitës.

Por me aktet në këto zgjedhje, Edi Rama faktoi për çdo shqiptar se për atë, nuk ekziston kushtetuta, nuk ekziston e drejta e votës për qytetarin shqiptar.

Nuk ekziston shteti ligjor.

Nuk ekziston interesi kombëtar.

Të gjitha këto zhduken, asgjësohen para interesave të tij mafioze në gjirin e Gjipesë.

Edvin Gjipeja sot ke dëshmuar me atë që u bëre zgjedhësve në Himarë, se ti je, i aftë të ndërmarrësh çdo akt, të shkelësh çdo ligj, kushtetutë, të shkelësh çdo interes kombëtar për interesat e tua mafioze në Gjipe, por dhe në zona të tjera të bregut.

Interesa personale të klanit tënd, interesa të konkretizuara me 224 mijë metër katror tokë në pjesën më panoramike, më të kushtueshme, më turistike të të gjithë bregut të Shqipërisë që i vure syrin e ciklopit dhe e grabite, i pangopur, hajdut  i Gjipesë, hajdut i Shqipërisë.

Duke përshëndetur edhe njëherë  të gjithë komisionerët, vëzhguesit e opozitës në zgjedhjet e Himarës, u bëj thirrje të numëroni me ndershmëri çdo votë.

Të vlerësoni me ndershmëri çdo fletë votimi.

Nuk jemi ne si ata, ne jemi ndryshe, ne respektojmë votën, ne nderojmë zgjedhësin.

Betejën e kemi me Edi Ramën, betejën e kemi me narkoshtetin, betejën do ta fitojmë ne, do ta fitojmë.

Qeveri teknike, zgjedhje të lira, është motoja jonë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Fitore, fitore, fitore!

About Redaksia

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …