Drejtuesja e departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula me anë të një deklarate për mediat, ka reaguar sërish në lidhje me skandalin ‘Klea Rama’ ku një person i prezantuar si mbesa e Edi Ramës, kishte mashtruar qindra nxënës, për gjoja një projekt amerikan, që shërbente për të dërguar në SHBA me studime, gjimnazistë.
Sipas Sulës, pas këtij skandali, ministria e Arsimit ka vendosur të mbrojë zyrtarët e saj të korruptuar dhe të braktisë qindra nxënës dhe prindër.
Deklarata e drejtueses së departamentit të Arsimit, Lili Sula:
Ministria e Arsimit dhe Sportit vijon të heshtë për skandalin ‘Klea Rama’.
Ashtu siç ka heshtur:
-për rrënimin e cilësisë së arsimit;
-për braktisjen e shkollës nga nxënësit;
-për zhbërjen e profesionit të mësuesit:
-për mosfinancimin e arsimit;
-për rrënimin e infrastrukturave shkollore;
-për degradimin e kurrikulave dhe teksteve shkollore;
-për politizimin e drejtimit të institucioneve;
-për shthurjen e sigurisë në shkolla….
Ministria e Arsimit dhe Sportit vijon të heshtë për skandalin e projektit fantazmë Let’s talk together about US 2024, ka zgjedhur heshtjen dhe mbulimin e këtij skandali!
Në këtë skandal të radhës e të njohur si rasti ‘Klea Rama’, Ministria, në kundërshtim me çdo përgjegjësi dhe detyrim ndaj publikut, zgjedh të braktisë qindra nxënës, dhjetëra mësues, prindërit dhe të mbrojë zyrtarët e saj, militantë, të paaftë e të korruptuar.
Partia Demokratike në monitorim të këtij skandali, denoncon me forcë synimin e ministrisë për të ekspozuar si fajtorë mësues të veçantë, të cilët vetë i caktoi si koordinatorë dhe vetë i trysnoi dhe i detyroi të zhvillonin këtë skemë mashtrimi dhe korrupsioni.
Znj. ministre, heshtja dhe mosreagimi juaj ndaj shkeljes që zv. ministrja dhe zyrtarë të tjerë drejtues i bënë Urdhrit të MAS nr. 634, datë 25.10.2022, ‘Për ngritjen e grupit të punës për shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve të organizatave/shoqatave joqeveritare dhe individëve që kërkojnë bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në fushën e arsimit parauniversitar’, tregon papërgjegjshmërinë ose përfshirjen tuaj në këtë skemë mashtrimi të nxënësve tanë!
Znj. Manastirliu dhe znj. Guga!
A jeni të vetëdijshme dhe kush mban përgjegjësi për zhgënjimin, traumën dhe pasojat që ky mashtrim i strukturuar ka krijuar te nxënësit dhe prindërit e përfshirë në këtë pseudo projekt?
A jeni të vetëdijshme për nivelin qesharak ku i keni katandisur institucionet qendrore dhe ato vendore të përfshira në këtë skandal?
A keni përgjegjësi ndaj mësuesve, koordinatorëve, drejtuesve të shkollave, të cilët administrata juaj i detyroi të punonin për disa muaj dhe me orë të tejzgjatura dhe sot i kërcënoni që të mbyllin gojën?!
Përtej zezonave që i keni shkaktuar arsimit dhe edukimit të fëmijëve, edhe ky rast është i mjaftueshëm për dorëheqjen tuaj dhe ndjesën që u detyroheni nxënësve, prindërve dhe mësuesve që i mashtruat në projektin ‘Klea Rama’.
Të dashur nxënës, mësues dhe prindër,
Partia Demokratike, siç e ka publikuar në programin për arsimin, zotohet për ndalimin e katastrofës që solli rilindja dhe rikthimin e arsimit në vlerat, dobinë dhe në interesin më të mirë të nxënësve, të mësuesve dhe të familjeve tona.
Garancia më e madhe për këtë, janë pikërisht mësuesit dhe nxënësit tanë të talentuar!