Bujar Leskaj
36 vite më parë, në 10 Gusht 1988, mësuesi poet, ndër të paktët shkrimtarë disidentë që ka pas Shqipëria e periudhës komuniste, Havzi Nela, u var në litar.
Trupi i tij u mbajt gjithë ditën i varur në qendër të qytetit të Kukësit.
Por e keqja s’kishte fund.
Trupin e tij e morën dhe e futën vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtylle druri duke i privuar mundësinë për t’u shtrirë si të gjithë të vdekurit.
Qëndroi në atë mënyrë për pesë vite e dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993.
36 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë, të poetit shpirtlirë të “brezit të humbur” të periudhës së zezë komuniste shqiptare; poetit, që asnjëherë nuk iu nënshtrua regjimit komunist, dhe e luftoi me të gjitha mënyrat që kishte mundësi, ende debatojmë për krimet e komunizmit dhe autorët e tyre.
36 vite më pas, Shqipëria postkomuniste ende vazhdon të vuajë nga bijtë e etërve komunistë, ndoshta më të sofistikuar, por po aq të ligj, antinjerëzorë, antishqiptarë e vrasës sa etërit e tyre, të cilët dënuan, firmosën e varën Havzi Nelën!
Kur të vdes
Havzi Nela
Kur të mësoni se kam vdekë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?
Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë.
Thoni: “Ai urreu mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.
Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuetje e dërmoi”.
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.
Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.
Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”
Thoni: “Për njerëzinë këndoi,
E për vete mbajti zi”.
Thoni se e qërroi terri
Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: “Çohu!”
Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue.
Mbi vorr tim me gur’e ferra,
Nji tufë lule me ma lëshue.
Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur t’a ngushëlloni,
Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë!”