Patronazhisti i Berishës i dalë nga publikimi i të dhënave personale tre vite më parë, Ervin Baku ka irrituar Kosovën pasi ka dhënë një intervistë i veshur me bluzën me simbolet kombëtare serbe. Gazetari sportiv ka acaruar kometuesit e shumtë që reaguan ashpër ndaj tij.
Publikimi i të dhënave personale të qytetarëve dhe regjistrimi i tyre në një database që raportohet se është i Partisë Socialiste ishte debati kryesor në median online dhe televizione 3 vite më parë. Në listë ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha, patronazhisti i të cilit rezultonte gazetari i njohur sportiv, Ervin Baku. Por Baku, mohon që të jetë “patronazhist”. I ftuar në “7pa5” në Vizion Plus, Baku tha se nuk kishte dijeni për këtë fakt.
“E kam marrë me sportivitet këtë lajm që ka dalë këto ditë. Jemi në muajin prill dhe dihet me çfare feste fillon ky muaj. Me Berishën kam marrëdhënie shumë të mira që datojnë që nga koha ime në Strasburg, por nuk ndikojnë në bindjet e mia sportive, kulturore, artistike, apo edhe politike. Unë nuk jam në dijeni, më duket shumë butaforike. Kjo është shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Jam kundër këtyre praktikave. Realisht jam kundër këtyre praktikave. Nuk duhet të ndodhin gjëra të tilla. Unë e mora me shumë sportivitet”, deklaroi atëhere Baku.