Kreu i PD-së, Sali Berisha ka akuzuar Qeverinë se ka falsifikuar letrat për transportin e 816 ton mbetjeve toksike të dala nga porti i Durrësit, duke ia faturuar ato kompanisë së Kurum në Elbasan.
Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin e sotëm, Berisha tha se sot u faktua 100% se kemi të bëjmë me një trafik kriminal të autoriteteve shqiptare me lëndë toksike dhe helme, që rrezikojnë shëndetin e qytetarëvë shqiptarë, por dhe vendeve të tjera.
Lidero demokrat deklaroi se Ministria e Mjedisit, pas 10 ditë heshtje, reagoi publikisht duke mashtruar shqiptarët, se ato mbetje i përkasin Kurumit.
Berisha u bëri thirrje EuroJust dhe Europolit që të vijnë dhe të hetojnë këtë krim monstruoz, sipas tij, teksa shqiptarëve u bëri thirrje që të ngrihen në protestë.
Deklarata
Prej dy javësh lajmet ndërkombëtare për Shqipërinë, lajmet e vendit janë dominuar nga Shqipëria eksportuese e lëndëve toksike e mbetjeve të rrezikshme me anije të kthyera nga një vend në një vend tjetër, të mbetura në det dhe të nisura për në Shqipëri. Në krye të radhës ju informova se qytetarët digjital, kohë më parë kishin informuar se në Shqipëri depozitohen lëndë kimike supetoksike në tunelet e vendit. E vërteta është se sot u faktua në mënyrë përfundimtare, se rasti i fundit i Durrësit me destinacion Triesten dhe më pas Tajlandën, kemi të bëjmë 100% me një trafik kriminal të autoriteteve shqiptare me lëndë toksike dhe helme, që rrezikojnë shëndetin e qytetarëvë shqiptarë, por dhe vendeve të tjera.
Pasi heshtën pothuajse 10 ditë, pasi ndërsyen mjerot e tyre për të mashtruar shqiptarët se ato ishin mbetje të Kurumit dhe se Berisha e di se janë të Kurum, më në fund nxorrën kokën. Ministria e Mjedisit mashtroi shqiptarët se ato mbetje vijnë nga furnaltat e Kurum. Shqipëria ka furrnalta hekuri, çeliku, kromi, por dhe furra alumini dhe metalesh të tjera. Por këto janë veprimtari legale, këto janë veprimtari të kontrolluara nga të gjitha anët. Në këto furra shkrihet hekur, shkrihet krom, shkrihet çelik, alumin dhe të tjerë. Dhe këto furra në mënyrë transparente kanë procedurat ku i depozitojnë mbetjet e tyre, të rrezikshme, të parrezikshme, ku i eksportojnë, cili është destinacioni i tyre. Kjo është një veprimtari dhjetëra vjeçare. Por ministria e Mjedisit deklaroi dje, se mbetjet i ka eksportuar Kurumi. Sot kjo sipërmarrje e madhe me një aktivitet pothuajse 30 vjeçare në Elbasan, deklaroi se ato mbetje nuk kanë asnjë lidhje me uzinën e Kurumit. Pra, ato mbetje thotë Kurumi, nuk kanë lidhje me uzinën, por dokumentacioni është plotësuar sikur janë të Kurumit. Shikoni pra çfarë qeverie, trafikante, falsifikatore e turpshme. Shikoni se ç’bëjnë. Shikoni se ç’bën Edi Rama për bizneset e tij.
Shikoni se çfarë bën Edi Rama me trafikun që bën me helme dhe toksina. Merr emrin, falsifikon dokumente dhe i eksporton ato, sikur të jenë të një ndërmarrje private. Por fare mirë mund të më thoni ju, pse thua Edi Rama. Po pse kush tjetër mund të bëjë një akt të tillë dhe të nxjerrë ministrinë e të mashtrojnë publikun se mbetjet i përkasin Kurumit. Kush mund të urdhëroj ministrinë të mashtrojë. Kush mund të urdhëroj organizatën kriminale të kryesuar nga Dumani të heshtë si fija e barit, para një veprimtarie e cila në ligj dhe në kode, përban krim të rëndë. Në ligj dhe kode, përbën organizatë kriminale, sepse këtë nuk mund ta bëjë një njeri. Për të transportuar nga Shqipëria, helme, mbetje toksike dhe të rrezikshme, kjo do një grup të tërë. Kush mund të detyrojë të heshtë Shërbimin Informativ Kombëtar, i cili në ligjin e tij, ndër të tjera ka objekt krimet e rënda të mjedisit. Kush mund të detyrojë të heshtë doganën për mbi 100 kontenier që u nisën me lëndë helmuese. Kush mund të detyrojë të heshtë Policinë e Shtetit, të heshtë Piro Vengun, autoritetin portual. Asnjë autoritet tjetër nuk mund ta bëjë këtë përveç Edi Ramës, hajdutit të Gjipesë.
Le të falenderojmë ne përfaqësuesit e rrjetit ndërkombëtar të Bazelit. Le të falenderojmë për mbrojtjen që ata po i bëjnë interesave, shëndetit dhe jetës së qytetarëve shqiptarë, duke gjurmuar hap pas hapi këtë veprimtari të tmerrshme kriminale të autoriteteve shqiptare. Mirënjohje të pakufishme. Por ftesa ime është të dërgojnë misione, të hetojnë në tunele të Shqipërisë, aty ku fshihet e vërteta e biznesit kriminal të Edi Ramës. Aty do të mësojnë se cili është Edi Rama dhe banda e tij që qeveris Shqipërinë. I bëj thirrje EuroJust, Europolit, të vijnë dhe të hetojnë këtë krim monstruoz që autoritetet e vendit bëjnë ndaj qytetarëve shqiptarë. U bëj thirrje qytetarëve të ngrihen në protesta të fuqishme kundër këtyre kriminelëve që janë të aftë të trafikojnë, të kërcënojnë, të rrezikojnë çdo jetë të qytetarëve shqiptarë për tu pasuruar vetë me veprimtari të tillë.