Kreu i PD-së Sali Berisha ka bërë akuza të rënda për aferën e mbetjeve toksike që dolën nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën. Sipas Berishës ajo që ka ndodhur me këto mbetje dëshmon pasigurinë e plotë dhe totale për çdo qytetar shqiptar në këtë vend. Berisha tha se autoritetet doganore kanë falsifikuar kodet e ngarkesës duke hequr ato të mbetjeve toksike.
“Pas dy javës zhurme kombëtare dhe botërore, për mijëra ton mbetje toksike që u nisën nga Durrësi për në Tajlandë, rezulton se Edi Rama me heshtjen e tij ka faktuar të gjitha akuzat që janë bërë këtu, në media shqiptare dhe ndërkombëtare, se prapa aferës qëndron qeveria shqiptare, qëndron Edi Rama. A ka akt falsifikimi më të madh, a ka akt kërcënimi më të madh për qytetarët shqiptarë, rrezikimin më të madh të jetës dhe shtetit të tyre, se sa institucionet zyrtare të ndryshojnë kode dhe të vendosin kodet e lëndëve jo toksike në ngarkesat e lëndëve toksike.
Kjo do të thotë të vendosësh etiketën e sheqerit, të orizit, aty ku është helmi, ku janë toksinat dhe krim më makabër se ky nuk mund të bëhet. Kjo praktikë e padëgjuar ndonjëherë, kjo praktikë u zbatua në rastin e kontenierëve të cilëve ju ndryshua kodi. Nga lëndë toksike që përmbanin, në lëndë jo toksike dhe këtë e bëri institucioni shtetëror doganë. Me këtë praktikë, me këtë falsifikim të tmerrshëm në Shqipëri, për të mbushur xhepat Edi Rama dhe suita e tij, mund të futet çdo lloj helmi, çdo lloj plehu, çdo lloj toksine” – tha Berisha.
Sipas tij ndryshimin e kodeve e ka bërë dogana.
“Do ta akuzoja me forcën më të madhe ish-ministrin që e shkarkuan, por nuk e bëj se Gazheli atë e kishte vartës, nuk e pyeste se është i gjallë. Gazheli pyet vetëm një njeri në Shqipëri, ai pyet Edi Ramën. Aktin nuk mund ta bënte kurrë me porosi të njeriu tjetër, përveç Edi Ramës. Sot në media kanë qarkulluar emrat e disa biznesgrave. Ato janë Gugallet, Zotot, Mërtirët e helmeve. Ato janë prestanomet e Edi Ramës, lubi Ballukut, etj., ministra” – akuzoi Berisha.
“Kjo aferë kriminale, e pashembullt, dëshmon se në Shqipëri mund të futen qindra e mijëra tonelata nga armë dhe substanca kimike në zbërthim të diktatorëve në paraskadim, gjer tek helme të industrive petrokimike për t’u likujduar. Ndërrimi i kodeve është krimi më i shëmtuar, kërcënimi më i madh. Loja me kodet është lojë me jetën e shqiptarëve, lojë me shëndetin e shqiptarëve. Kjo është lojë e Edi Ramës dhe askujt tjetër” – tha Berisha që akuzat i shtriu edhe tek kreu i SPAK.
“Ndonëse transporti i paautorizuar i helmeve dhe lëndëve të rrezikshme përbën kërcënim madhor për njerëzit dhe mjedisin. Ndonëse në këtë aferë janë përgjegjës direkt Ministria e Financave, e Mjedisit, me ligj Ministria e Infrastrukturës, lubi Balluku, ministri aktual i Mbrojtjes, dezertori i shërbimi ushtarak, Pirro Vengu.
Megjithatë Skrapi i partisë hesht në mënyrë më kriminale, më të paturpshme. Hesht për tu dëshmuar shqiptarëve se nuk është gjë tjetër veç se një vegël e verbër në duart e kësaj bande kriminale. Hesht para një afere e cila nuk mund të kurrë të realizohet pa një grup të strukturuar, apo organizatë të strukturuar kriminale të jo më pak se katër apo pesë institucioneve” – tha Berisha.