Nga Ted KOPLIKU
Artikull i shkruar në kuadër të «Laboratorit të Ideve»
Para disa ditësh, një nga drejtuesit e njërës nga këto lëvizjet e reja që duan t’i imponohen politikës shqiptare prej vitesh dhe vitet nuk ia hoqën kurrë brand-in « të rinj», kritikonte politikanët që kanë monopolizuar politikën shqiptare prej 33 vitesh. Ankohej se në Shqipëri kishte ndodhur një fenomen i cili nuk gjendej sipas tij askund në botën demokratike. Për të demonstruar merrte shembull Joe Biden dhe e krahasonte me Edi Ramën dhe Sali Berishën. Rreshtonte postet e tyre nga minister i kulturës deri tek drejtues i opozitës dhe përballë vinte vetëm katër vite presidencë të Joe Biden.
Këto lloj krahasimesh anakronike dhe fjalime populiste janë tipike të këtyre të rinjve që na imponohen si e vetmja e re në politikën shqiptare, si antidot i atyre që paskan monopolizuar prej 33 vitesh skenën politike. Para se të shpjegoj pse monopoli i të resë është edhe më i rrezikshëm se monopoli i supozuar i skenës politike shqiptare, po shpjegoj pse krahasimi nuk qëndron në asnjë dimension.
Nuk mund të krahasohen aktorët politikë të një popullsie me 2 milion banorë me presidentë federatash e konfederatash me nga 300 milion banorë dhe as me krerë shtetesh me nga 60 milion banorë. Edhe në shoqëri kaq të mëdha, dalja e liderëve politikë nuk është diçka që ndodh në çdo fushatë elektorale. Nëse marrim postet politike të Joe Biden, ekuivalentët e posteve që ishin rreshtuar ne diskursin e denoncimit të monopolizimit të politikës Shqiptare, Joe është në politikë që në moshën 30 vjeçare dhe pretendonte edhe në moshën 81 vjeçare të rizgjidhej president. As problemet krejtësisht evidente nuk e ndalonin, për sa kohë vota ia mundësonte zgjedhjen e rizgjedhjen e tij. Pra nuk ka një sistem, – siç pretendojnë të rinjtë e akredituar si të tillë në shqipëri, në vendet demokratike, – që në mënyrë arbitrare i kërkon një politikani të mos merret më me profesionin e tij. Profesionalizimi i politikës fillon në shekullin e XIX dhe politika nuk mund të konsiderohet si profesion ndryshe nga të tjerët. Nuk mund t’i kërkohet një politikani të largohet për sa kohë vota nuk e largon. Politika nuk bëhet me largime e me ftesa ballo, por me një proçes rigjenerimi dhe imponimi. Por kush e ndalon rigjenerimin e politikës më shumë se mos angazhimi dhe monopoli i të resë?
Në hapësirat mediatike shqiptare ka vetëm një narrativë për t’u konsideruar i ri: të denoncosh të gjithë klasën politike shqiptare si të kalbur, pa u lodhur për detaje e nuanca. “Të gjithë kanë vjedhur dhe duhet të shporren! Tabula rasa!”. Nga Erjon Veliaj me Mjaft e këndej, vetëm me gjuhën e profetëve të rremë, që gjithçka është ndërtuar gabim deri këtu dhe e vetmja zgjidhje janë ata që shajnë e mallkojnë gjithçka mund të konsiderohen si të rinj, pavarësisht viteve.
Herë duke tundur gishtin nëpër podiume ku i shoqëron e mbron policia e herë duke trashur zërin nëpër media ku i ftojnë çdo natë, pa asnjë ide të mirëfilltë për të dalë nga krizat, por vetëm me fjalime populiste, e reja është monopolizuar nga 3-4 figura që mishërojnë më së miri këtë filozofi të të bërit politikë. E vjetër sa njerëzimi: premtime utopike dhe tabula rasa. Krahasime anakronike e inkoherente, premtime utopike, por asnjëherë thirrje për t’ia hequr atyre monopolin e për të krijuar hapësira për të rinj të tjerë që e mendojnë ndryshe rrugëdaljen.
Shqipëria shkon deri në Çeçeni për të kërkuar mundës dhe shtangistë, nuk mund të prodhojë liderë politikë çdo vit. Shqipëria ndryshohet me angazhim. Angazhimi i të rinjëve do rigjeneronte pashmangshmërisht politikën shqiptare. Shtetet zhvillohen duke çuar përpara atë që eshtë bërë, jo duke e filluar çdo herë nga zero. I vetmi revolucion i madh i mirëfilltë që ktheu gjithçka nga zero dhe përmbysja ishte totale ishte ai i kuqi i Leninit dhe vazhdimi dihet.
Ndryshimet bëhen duke përmirësuar partitë e mëdha në vend, duke i rigjeneruar jo vetëm për t‘i ulur moshën mesatare, por duke pasuruar me ide të reja. Me ide që imponohen në debatin publik, nga të rinj që imponohen në politikë. Shqipëria ndryshohet nëpërmjet politikës e politika nëpërmjet partive. Aventurat politike dhe tarabat elektorale që ngrihen e ulen për të konkoruar opozitën, por asnjëherë duke synuar përmbysjen e regjimit e pamundësojnë edhe më shumë rotacionin politik e rrjedhimisht rigjenerimin e aktorëve politikë.
Monopolizimi i te resë pengon narrativa alternative të futen në debatin publik. Shumë më i rrezikshëm ky lloj monopolizimi se sa monopolizimi i skenës politike nga disa figura me eksperience dhe që me gjithë defektet e tyre kanë pasur si mision politik të transformojnë Shqipërinë nga një shoqëri e përbërë me homo-sovietikus e dalë nga laboratori më i egër social, ai i stalinizmit të fundit në botë. Sfidë jo e lehtë për t‘u kritikuar nga njerëz që nuk kanë konsumuar kurrë pushtet.
Brain Gain që në koncept, por edhe në aktivitetin e saj është një risi absolute në politikën shqiptare e megjithatë mediat që e promovojnë dhe i japin hapësirë janë shumë të rralla. Brain Gain ka lidhur të rinj shqiptarë nëpër botë për të kontribuar në politikën shqiptare nga aty ku ata janë. Në qendër të aktivitetit të tij është propozimi, jo fjalimet dogmatike e populiste, por dhënia e rrugëdaljes me propozime konkrete për çdo denoncim apo observim. Qindra artikuj, propozime, sipnoziume e konferenca për tema që duhet të shqetësojnë thellësisht shoqërinë shqiptare, të organizuara nga ky department brenda partisë më të madhe opozitare në vend do duhej të ngjallnin të paktën kuriozitetin e gazetarisë për të vënë përballë dy narrativat.
Për këtë ka nevojë politika shqiptare, për një alternativë të të bërit politikë, por monopolizimi i të resë e pengon një hapje të debatit në këtë drejtim, sepse nuk quhesh i ri nëse nuk mallkon klasën politike 33 vjeçare dhe kjo narrativë ka tashmë profetët e saj që i gjen çdo natë në çdo studio televizive. Të rinj dhe narrativë që nuk i plak as koha as përsëritja.