Kandidati i pavarur për president, Robert F. Kennedy Jr tha të premten se do të pezullojë fushatën dhe i dha mbështetjen ish-Presidentit Donald Trump.
Këshilltarët e fushatës së tij thanë se zoti Kennedy ishte i shqetësuar se nëse vazhdon të qëndrojë në garë, ai do të zbehte përkrahjen për ish- Presidentn Trump në garën e ngushtë me Nënpresidenten Kamala Harris.
“E ndjej se më nuk kam gjasa reale për një fitore zgjedhore i gjetur para kësaj censure të vazhdushme, sistematike dhe mediash të kontrolluara”, deklaroi zoti Kennedy.
Një avokat për çështje të ambientit, aktivist kundër vaksinimit, djali dhe nipi i dy figurave të rëndësishme nga radhët e demokratëve që u vranë gjatë viteve të trazuara të ‘60, zoti Kennedy hyri në garë në muajin prill të vitit 2023 për të sfiduar emërimin e zotit Biden si kandidat demokrat për president. Shumë anëtarë të famijes Kennedy shprehën mospajtimin e tyre me fushatën e tij.
“Në afro 10 shtete të diskutueshme, ku prania ime në garë mund të ndikonte tek rezultati, do ta heq emrin tim. Tashmë e kam filluar këtë proces dhe nxis votuesit të mos votojnë për mua,” tha ai.
Ai tha se vendimi i tij u nxit nga “tre kauza kryesore” që e nxitën atë të mbështesë zotin Trump, duke numëruar “fjalën e lirë, luftën në Ukrainë dhe luftë ndaj fëmijëve tanë”.
Ai tha se emri i tij si kandidat në zgjedhjet e 5 nëntorit do të mbetet në fletëvotim në shumicën e shteteve dhe kërkoi nga votuesit amerikanë që ta votojnë “pa dëmtuar apo ndihmuar Presidentin Trump dhe Nënpresidenten Harris”.
Njerëz pranë fushatës së zotit Kennedy i thanë agjencisë Reuters se ai synon një marrëveshje me zotin Trump, që në këmbim të përkrahjes për të, të sigurojë një pozitë në një administratë të mundshme të zotit Trump.
Zoti Trump i tha televizionit CNN këtë javë se “ai gjithsesi është i hapur” ndaj mundësisë që zoti Kennedy të ketë një rol në administratën e tij nëse kandidati i pavarur largohet nga gara dhe ofron mbështetjen e tij për kandidatin republikan.