Rusia, sulm masiv me raketa e dronë ndaj Ukrainës, Zelensky thirrje aleatëve

Rusia kreu sulme të gjera me dronë dhe raketa kundër Ukrainës të hënën, duke vrarë të paktën tre persona dhe duke ndërprerë energjinë në pjesë të disa qyteteve, bënë të ditur zyrtarët ukrainas.

Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se Rusia përdori më shumë se 100 raketa dhe rreth 100 dronë gjatë sulmeve që kishin si objektiv “infrastrukturën thelbësore civile”.

Në rrjetin social ‘Telegram’, zoti Zelenskyy shkruante se nuk është e drejtë që forcat ukrainase të kufizohen në aftësinë e tyre për të kryer sulme me rreze të gjatë veprimi, në një kohë kur Rusia nuk përballet me kufizime të tilla.

Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar prej kohësh liri më të madhe për përdorimin e armëve që marrin nga vendet aleate.

Ukraina synon të godasë me to objektiva ushtarake brenda Rusisë, të cilat përdoren për sulme me raketa dhe dronë kundër Kievit.

“Amerika, Britania, Franca dhe partnerët tanë të tjerë, kanë fuqinë për të na ndihmuar që ta ndalim këtë terror”, shkruante zoti Zelenskyy. “Koha për veprim vendimtar është tani”, shtonte ai më tej.

Ndërkohë Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se kishte rrëzuar dronë ukrainas mbi rajonet Bryansk dhe Yaroslavl të hënën herët në mëngjes.

Guvernatori i Yaroslavlit, Mikhail Yevrayev, tha se një nga dronët ishte rrëzuar përpara se të godiste një rafineri nafte.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes rajoni rus i Saratovit ishte objektivi kryesor i sulmeve me dronë ukrainas gjatë natës, duke shtuar se Moska kishte arritur të shkatërronte nëntë prej tyre.

Zyrtarët në Saratov njoftuan se mbetjet e dronëve kishin dëmtuar një kompleks banimi dhe plagosur një person.

Guvernatori i rajonit rus të Belgorodit njoftoi për dy të plagosur nga një sulm me dronë ukrainas.

Moska njoftoi gjithashtu se mbrojtja e saj ajrore kishte rrëzuar dronë ukrainas mbi rajonet Kursk, Tula, Oryol dhe Ryazan.

About Krye Redaktor

Check Also

Raporti: Si Vuçiç përgjon opozitën dhe mediat me programet në telefona

Organizata Amnesty International tha të hënën se shërbimi i fshehtë dhe policia e Serbisë, kanë …