Një tjetër argument që përmend “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” për dyshimet e transportimit të këtij materiali nga porti i Durrësit është dërgesa e parafundit që shkoi nga Durrësi për në Kinë. Nga muaji prill, sipas drejtorit ekzekutiv Jim Puckett, kjo dërgesë është bllokuar në një port kinez, afër Hong Kongut.
“Kjo dërgesë u nis nga i njëjtë port. Sipas sinjalizuesit tonë, kinezët e kanë refuzuar atë. Janë 115 kontejnerë nga Shqipëria që ende janë të bllokuar në Kinë. Kinezët e kanë analizuar materialin dhe kanë gjetur nivele të larta të metaleve, përfshirë mbi 8% plumB.
Dy ministri të qeverisë shqiptare në fundjavë thanë në një deklaratë të përbashkët se “Shqipëria nuk mundet të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese …”
Nëse konfirmohet se fjala është për hirin që del nga oxhaku i fabrikave metalurgjike, atëherë pasojat, sipas BAN-it janë të rënda, për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin, por mund të ketë edhe pasoja politike.
Pluhuri EAF përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.
Në fotografitë e sinjalizuesit të BAN-it për rastin e muajit korrik, sipas zotit Puckett, shihen grumbuj të hirit që ishin lënë në mjedis të hapur në portin e Durrësit. Fotografi të ngjashme shihen edhe në aplikacionin ‘Google Earth’. Një e tillë, e bërë më 11 tetor të vitit të kaluar, tregon grumbuj të hirit brenda hapësirës së portit të Durrësit.
“Fjala është për një mbetje të rrezikshme nëse nuk trajtohet si duhet. Ju nuk do të donit ta mbani këtë afër fëmijëve apo personave me sëmundje kronike”, tha zoti Puckett.