Pikëpyetjet e shitjes 3 miliardë euro të avionëve luftarakë francezë tek Vuçiç

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, fillon sot vizitën dy-ditore në Beograd, ku synon të finalizojë marrëveshjen për shitjen e 12 avionëve luftarakë “Rafale” në vlerë prej rreth 3 miliardë eurosh – kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vjetët e fundit, ndërsa dy shtetet forcojnë raportet ndërmjet vete, posaçërisht në fushën e ekonomisë.

Serbia do të nënshkruajë kontratën më të madhe të armëve në historinë e saj moderne, por shumë pikëpyetje janë ngritur për shkak të kontekstit gjeopolitik dhe tensioneve rajonale. Në një artikull të prestigjozes franceze “Le Monde” u përmend konteksti i marrëdhënieve të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë që kanë arritur në nivele shpërthyese vitet e fundit.

Duke qenë se blerja e aeroplanëve të sofistikuar luftarakë, që do të formalizohet gjatë vizitës dyditore të presidentit francez, vjen në kohën e tensioneve midis Prishtinës e Beogradit, atëherë gazeta e njohur franceze ka ngritur dilemën se deri në çfarë mase është e gatshme Franca të garantojë që “Rafale”-t s’do të përdoren kundër fqinjëve, veçanërisht kundër Kosovës.

“Eksporti i ‘Rafale’-ëve në këtë vend të njohur për afërsinë e tij me Rusinë dhe synimet luftarake ndaj fqinjëve ballkanikë, ngrit shumë pikëpyetje. Në çfarë mënyrë synon Franca të garantojë që ‘Rafale’-t nuk do të transportohen në Rusi ose nuk do të përdoren për të ushtruar presion mbi Kosovën, pavarësinë e së cilës Beogradi ende nuk e njeh?”, ka shkruar “Le Monde”.

Gjithashtu, gazeta javore franceze “La Tribune” ka shkruar se marrëveshja për “Rafale”-t mbart implikime gjeopolitike, veçanërisht në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor të rrethuar nga armiqësitë etnike: “Ky kontekst i gjerë diplomatik i shton peshë marrëveshjes për avionët luftarakë, duke reflektuar interesat strategjike të Francës në rajon”, ka shkruar “La Tribune”.

E rrjeti shtetëror “Radio France Internationale” ka përmendur procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi: “Franca vazhdimisht ka shmangur adresimin e këtyre shqetësimeve ndërsa ka mbrojtur Serbinë rreth përshkallëzimit të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht nga serbët që refuzojnë sovranitetin e Kosovës”.

Megjithatë, shumë media të huaja kanë raportuar se shitja e “Rafale”-ëve, që vlerësohen si “maja e shtizës” së eksportit të industrisë franceze të mbrojtjes, nuk do të ndodh pa u zgjidhur disa çëshjte, përfshirë marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Ndër kushtet e kërkuara, presidenti i Francës, në prill të këtij viti, raportohet të ketë përmendur edhe nevojën për ta njohur Kosovën.

About Krye Redaktor

Check Also

Scholz shkarkohet në Bundestag, të djathtët drejt fitores së zgjedhjeve me 23 shkurt në Gjermani

Kancelari Olaf Scholz humbi votë-besimin në parlamentin gjerman të hënën, duke e çuar shtetin me …