Nënpresidentja Kamala Harris dhe ish-Presidenti Donald Trump do të përballen sonte në Filadelfia në debatin e tyre të parë presidencial. Analistët thonë se kjo përballje e vështirë, e vendos ish prokuroren Harris përball një debatuesi të sprovuar, ish Presidentin Trump. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Anita Powell, debati mund të jetë vendimtar për garën zgjedhore për president.
Në këndin republikan gjendet ish-presidenti Donald Trump, duke u përpjekur të rimarrë detyrën pas një pauze katërvjeçare.
Në anën tjetër, Nënpresidentja Kamala Harris, kandidatja demokrate që ka rritur entusiazmin ndërsa amerikanët pyesin nëse ajo do t’ia dalë të fitojë Shtëpinë e Bardhë
Fushata dhe fjalori i përdorur deri më tani ka krijuar përshtypjen se debati presidencial i së martës do të jetë si nje ndeshje e fortë boksi.
Në debatin e fundit ish Presidenti Trump doli triumfues. Disa javë pas paraqitjes së dobët në atë debat, Presidenti Joe Biden njoftoi tërheqjen nga gara për tu rizgjedhur. Tani, ish Presidenti do të përballet me kandidaten e re demokrate Harris e cila ka vetëm disa javë që kandidon.
Por analistët thonë se në këtë garë të ngushtë, ku të dy do të konkurrojnë për mbështetje nga një elektorat thellësisht i ndarë, debati mund të jetë vendimtar.
“Ai (Presidenti Biden) është më i zgjuar se ajo”, tha ish Presidenti Trump.
Zonja Harris, ndërsa bëri një pushim nga përgatitjet për debatin, vizitoi një dyqan.
“U largova nga përgatitja për debatin për të parë erëzat. Gjëja më e mirë që kam bërë deri tani”, tha zonja Harris ndërsa më pas u pyet se çfarë dëshiron të arrijë gjatë debatit?
“Ka shumë gjëra, por, është koha të ndalim përçarjen dhe të ndërtojmë një rrugë të re përpara”.
Debati Trump-Biden i qershorit pati më shumë se 51 milionë shikues. Analistët presin shifra të mëdha edhe për këtë debat gjatë të cilit ka pritshmëri të larta për të dy pretendentët.
“Trump duhet të dëshmojë se ai mund të jetë president këmbëngulës dhe aq agresiv sa dëshiron të jetë pa qenë i vrazhdë, nëse do të fitojë votues që ende nuk janë të përcaktuar. Kamala Harris duhet të provojë se mund të sulmojë, por edhe të tërhiqet. Ajo duhet të dëshmojë se ka dallim në mes të politikave të saj dhe të Presidentit Biden, por ende vepron në të njëjtën platformë demokratike”, thotë Nate French nga Universiteti ‘Wake Forest’.
Moderatorët do t’i pyesin kandidatët mbi çështjet kryesore si ekonomia, të drejtat riprodhuese, politika e jashtme dhe çështje të tjera. Kandidatët nuk mund të sjjellin shënime me vete. Ata lejohen të kenë një stilolaps, letër dhe ujë, dhe do të kenë dy minuta për ti’u përgjigjur pyetjeve.
“Deri diku, debatet u japin mundësinë kandidatëve të thonë gjërat që duan, aspiratat e tyre, pa pasur nevojë të shpjegojnë se si do t’i realizojnë zotimet. Por, aty ku debati bëhet i rëndësishëm është se si i artikulojnë qëndrimet e tyre, duke treguar se si do të duken ato”, thotë Jeremi Suri, profesor në Universitetin e Teksasit.
Debati zhvillohet në Filadelfia, të martën në mbrëmje.