Akuza në median gjermane: Rama, Kim Jong Un i Europës, ktheu vendin në narko-shtet

“Der Spiegel”

Në Shqipëri ekzistojnë tashmë të ashtuquajturat burgje VIP, siç zbuloi agjencia BIRN: qendrat e paraburgimit me departamente në të cilat personalitetet socialiste banojnë aty me kuzhinën, dushin dhe ambjentet e tyre të fitnesit.

Megjithatë, ata nga rrethi i ngushtë i Ramës, të cilët i kërcënon një fat i tillë, zakonisht preferojnë të nisen në kohë. Një prej tyre është Arben Ahmetaj, ministër i Ramës i Ekonomisë nga viti 2013, më pas i Financave dhe nga viti 2021 si zëvendëskryeministër, numri dy në qeveri. Nga vëzhguesit politikë në Tiranë, Ahmetaj konsiderohej si një “ruajtës i thesarit” dhe një figurë kyçe në qeveri.

Në korrik 2022, Rama e shkarkoi, pasi ishin grumbulluar materiale inkriminuese për Ahmetajn. Për kryeministrin, shoku i tij i hershëm kërcënonte të kthehej në një rrezik.

Një vit më vonë, parlamenti i dominuar nga socialistët i hoqi imunitetin. Vonesa ishte e arsyeshme. Por i akuzuari për korrupsion dhe pastrim parash, ishte larguar në kohë. Pak ditë më vonë, SPAK lëshoi ​​një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj të arratisurit.

Sistemi Rama

“A ju shqetëson nëse pi puro?” pyet Arben Ahmetaj në takimin në një tarracë kafeneje në qendër të Luganos. Në të majtë shkëlqen liqeni, në të djathtë kalimtarët dhe turistët zviceranë bëjnë pazaret e fundit.

Ahmetaj është një njeri që ka udhëtuar mjaftueshëm, i mësuar me jetën e luksit. Që në moshë të re konsiderohej si një nga yjet në ngjitje mes socialistëve. Në vendlindje e kanë pagëzuar si “tigri”. Pavarësisht një urdhër-arresti ndërkombëtar, ai aktualisht po shijon mërgimin e tij në Lugano dhe shpreson të përfitojë azilin politik në Zvicër.

Ahmetaj nuk dëshiron të thotë asgjë për akuzat e ngritura ndaj tij në vendlindje. Për shembull, nëse ishte ai që krijoi lidhjet mes organizatorëve të një skandali për impiantet e djegies së mbetjeve. Janë projekte të dyshimta, shumë pak prej të cilave janë realizuar, por që i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë qindra miliona euro. Sipas gazetarëve të pavarur, paratë thuhet se kanë përfunduar në xhepat e qarqeve të afërta me qeverinë, por edhe në mediat pranë tyre.

Edhe udhëtimet luksoze të Ahmetajt, me sa duket të financuara nga organizatorët e skandalit, në mënyrë të alternuar me gruan dhe të dashurën e tij, në hotelet me pesë yje të Milanos apo në Côte d’Azur, luajnë vetëm një rol periferik në këtë takim. Ai preferon të flasë për Edi Ramën.

Pra: Pas 11 vitesh në pushtet, cili është faji i Ramës për faktin se Shqipëria është ende një nga vendet më të korruptuara në Evropë, sipas Transparency International, me gjithë financimet me miliarda perëndimore?

Ahmetaj fut puro të ftohur në tavëll dhe thotë për marrëdhënien e tij me Ramën, të cilin ndonjëherë e quan “Kim Jong Un”, një aludim për diktatorin e Koresë së Veriut: “Nuk jam gati të bëhem koka e turkut e kryeministrit. Ai është përfituesi i reformës në drejtësi, e cila u financua nga SHBA-ja dhe BE-ja, tani ai po përdor gjyqësorin kundër kundërshtarëve të tij politikë dhe kundër të gjithë atyre që kundërshtojnë kërkesën e tij për pushtet”.

Ish-zëvendëskryeministri ka dyshime se sistemi Rama po tolerohet në heshtje në Perëndim: “Nuk e kam idenë pse evropianët nuk duan të shohin se çfarë po ndodh në Shqipëri. Ata kanë shërbime të shkëlqyera inteligjence që e dinë në detaje çfarë ndodh, veçanërisht për pastrimin e parave dhe krimin e organizuar”.

Ahmetaj konfirmon raportimet, sipas të cilave Shqipëria ishte kthyer në një narko-shtet të ushqyer nga trafiku i drogës gjatë mandatit të Ramës: “Përmbytja e vendit me kanabis nga viti 2014 deri në 2017 ishte axhenda e fshehur ekonomike e kryeministrit”. Rritja e krimit të organizuar, që ushqehet nga kjo, ka ndryshuar masivisht ekonominë dhe shoqërinë shqiptare: “Rama beson se ai ende kontrollon mjedisin kriminal, por tashmë është ai që kontrollohet”.

About Krye Redaktor

Check Also

Balla drejt burgut? Rama do ta largojë nga qeveria, lëvizjet që priten

Edi Rama pritet të bëjë sërish ndryshime të tjera në qeveri. Rama ka vendosur të …