Demokraci apo burokraturë?!

Nga Redin HAFIZI

Ne u ngritëm me shprehjen “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”. Kur pashë Amerikën e kuptova se kërkonim shumë pak, pra kërkonim vetëm ndryshim regjimi e jo ndryshim ideologjik. E djathta gjithnjë kërkon zhvillimin e natyrshëm ashtu siç e ka bërë Zoti dhe të djathtët e lënë me kaq. Të djathtët besojnë. Ndërkohë e majta kërkon modifikime, kërkon zhvillime të shtuara dhe interesa në shërbim të këtyre zhvillimeve. Ndërkohë e majta ka ndërtuar propagandën e vet për të arritur forcën e besimit.

Fatkeqësisht në rrjetën e propagandës së majtë kanë rënë edhe shumë të djathtë. Nuk flas për pseudo të djathtë që e bëjnë pis këtë krah ideologjik duke admiruar diktatorë aktualë apo edhe të së shkuarës, por flas për të djathtë që jetojnë në USA dhe e shohin se xhepi i tyre është tkurrur në katër vitet e fundit. Ndërkohë ata nuk kërkojnë se si xhepat e tyre do të zgjerohen, por vazhdojnë të flasin se si xhepat e Zelenskit, Putinit, kukullave që drejtojnë Europën ose Kanadanë do të zgjerohen. Sa turp për të djathtën Shqiptare. Historia vendosi një vizë të qartë për të djathtë e të majtë.

Historia tregon se të djathtët janë për qytetarët, për njerëzit, për popullin dhe prandaj ishin Republikanët Amerikanë që shkatërruan me ligj skllavërinë. Presidenti Linkoln mbahet si presidenti më i mirë në USA për aftësinë e tij për të tërhequr partinë drejt heqjes së skllavërisë duke predikuar se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Me qëllim Linkoln tha se të gjithë janë të barabartë e nuk u ngatërrua me idiotësitë që të majtët vazhdojnë sot vetëm për të prekur një kushtetutë që nuk është prekur për qindra vjet. Të gjitha pretendimet e të majtës ekstreme që tashmë kandidon në USA synojnë kushtetutën. Ata nuk e kanë gëlltitur mirë atëherë kur Linkoln u hoqi nga duart përdorimin e territoreve të USA në akte të jashtëligjshme dhe skllavëria ishte akti më i madh.

Në Shqipëri të djathtët nuk dinë se çfarë të bëjnë apo të thonë dhe shpëtimin e shohin tek individë të errët si Hitler, Zelensky, Putin. Për turpin e tyre ata nuk njohin të ndjekin të drejtat e njeriut, lirinë e fjalës dhe shprehjes, të drejtën e votës. Ata po normalizohen me sistemin e ri global të burokracisë duke lëshuar në idenë e demokracisë. Ne u ngritëm për demokraci dhe lojërat e fëlliqta politike na janë pështirosur dhe kjo është arsyeja që të djathtët në Shqipëri e kudo duhet të luftojnë kundër burokraturës që po pushton qeverrisjet në shumë vende. Kjo nuk ka të ardhme për qytetarët, por një ideologji e rrugës së tretë krijon rrugëdalje për korporatat dhe centralizimin e pushtetit përmes biznesit. Në këtë rrugë është Kamala kur flet për t’i dhënë para bizneseve të vogla, njerëzve që blejnë shtëpi për herë të parë e të gjitha premtimet e tjera që ajo bën duke dhënë para. Por ajo nuk jep paratë e saj, por paratë e qytetarëve që paguajnë taksa dhe kjo është burokraturë.

Në demokraci zhvillohet ekonomia e tregut të lirë dhe gjithçka e vendos tregu. Pra, premtimet për lehtësime në taksa dhe një qeverri më të vogël e bëjnë qytetarin të besojë tek sistemi demokratik që është ndërtuar në USA dhe jo tek sistemi burokratik që është instaluar në Europë dhe Kanada.

Bëhen zgjedhje kudo dhe në vendet me më shumë potencial kukullat në pushtet mundohen të rrinë në krye deri kur mjeshtri i kukullave t’u thotë të largohen. Kukullat flasin dhe kërkojnë të bëjnë revolucion, por siç të gjithë e dinë kukullat mund të jenë sot të fortë, por një ditë do të përballen me popullin. Qytetarët e dashurojnë demokracinë, flirtojnë me burokracinë dhe e urrejnë diktaturën.

About Redaksia

Check Also

Këlliçi: Rrëshkitja tek kodet më primitive të fuqisë është tipike për sektin e Rilindjes!

Nga Belind KELLIÇI Kur ndjejnë fundin aktivizojnë kodi arkaik të dominimit: virilitetin. Mbrëmë e bëri …