Koordinatori për Programin Ekonomik në PD, Dorjan Teliti denoncon hapjen e procedurave të prokurimit, në atë që e cilëson ‘shiritat elektoralë të vitit të ardhshëm’.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Teliti thotë se këto procedura prokurimi, nisin në një kohë kur projektbuxheti 2025, as nuk është prezantuar, as nuk është diskutuar e as është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Sipas Telitit, për qeverinë e Rilindjes, buxheti i shtetit ka qenë dhe mbetet thjesht një plackë për të tregtuar interesat personale dhe politike.
Për këto shkelje të qeverisë Rama, thekson Teliti, vendit i nevojitet sot qeveria teknike.
Reagimi i plotë
BUXHETI I SHTETIT THJESHT NJË “PLAÇKË” NË TEPSINË E RILINDJES!
Imagjinoni sa bukur do ishte sikur ta mbronin buxhetin e shtetit ashtu sic mbrojnë interesat personale të “deputetes strategjike”.
[] Fakt: Qeveria e Rilindjes nuk u limitua këtë javë vetëm në shkeljen e Kushtetutës për të mbrojtur mandatin e deputetes strategjike, nuk u limitua as në rritjen me 500 efektivë të policisë së pushtetit, por në shkelje të cdo parimi të shëndoshë të menaxhimit financiar publik, ndezi dritën jeshile për fillimin e procedurave të prokurimit për qindra tenderime e prerje shiritash elektorale. [ ] Skandal: Akti Normativ i buxhetit u miratua dhe urdhëri u dha: “filloni urgjentisht” procedurat e tenderimit për qindra projekte të vitit të ardhshëm, ndonëse pa miratuar ende buxhetin 2025, ende pa patur fondet e miratuara zyrtarisht nga Parlamenti, gjë që ligjërisht pritet të ndodhë ditët e para të dhjetorit të këtij viti. [] E thënë ndryshe, ndonëse projektbuxheti 2025 ende nuk është dorëzuar, diskutuar dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo nuk e ndalon qeverinë të vendosë tërësisht me kokën e vet për abuzimet dhe vjedhjet paraelektorale, nuk e ndalon Rilindjen në pushtet të marri përsipër në kurriz të shqiptarëve qindra milionë euro detyrime pa miratimin e ligjvënësve. [] Për qeverinë e Rilindjes, buxheti i shtetit ka qenë dhe mbetet thjesht një plackë për të tregtuar interesat personale dhe politike. [] Ndaj e vetmja zgjidhje sot është qeveria teknike, shqiptarët duan dhe meritojnë të jenë të lirë në vendimet dhe zgjedhjet e tyre, duan që taksat e tyre të mos vidhen e shpërdorohen për të 12-in vit rradhazi.