Ka bërë lajm në Britaninë e Madhe një deklaratë e kryeministrit Keir Starmer, që sapo ka anuluar planin “Ruanda” i hedh sytë nga Xhorxhia Meloni për të bërë diçka të ngjashme me planin “Shqipëria”. I pyetur posaçërisht për skemën me të cilën Meloni po tenton të shkarkojë refugjatët në vendin tonë, Keir Starmer u përgjigj: “Po le ta shohim. Është ende herët. Jam i interesuar për të parë se si do të funksionojë. Mendoj se të gjithë kështu janë, por është ende shumë shumë herët”.
Britaniku konfirmon kësisoj se mbetet i hapur për t’i dërguar refugjatët drejt Shqipërisë, ku ata mbyllen nëpër kampe, për të shmangur mundësinë e arratisjes dhe depërtimit ilegal në BE.
Kampet e izolimit të refugjatëve afrikanë janë në mbarim e sipër në Shëngjin dhe në Gjadër. Sipas paktit Rama-Meloni parashikohet që refugjatët të qëndrojnë për rreth një muaj aty, koha që nevojitet për kryerjen e procedurave të vlerësimit të kërkesës për azil. Në kampin e Gjadrit, që do të menaxhohet nga italianët është parashikuar të strehohen jo më shumë se 3 mijë refugjatë burra afrikanë në të njëjtën kohë.
Duhet thënë se ideja që po josh liderët europianë, për t’i mbyllur emigrantët afrikanë nëpër kampet e Shqipërisë, bie në kundërshtim me premtimin e kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit marrëveshja me Italinë konsiderohet “1 në 100”.
Kështu e quajti ai në intervistën për Financial Times, kur tregoi edhe ofertën që i bëri ish-kryeministri i Britanisë, Boris Johnson kur ishte në detyrë.
“Boris Johnson më telefonoi dhe më tha, “E komplimentoj udhëheqjen tuaj, le të bëjmë diçka së bashku. Le të kemi një marrëveshje që Britania të sjellë në Shqipëri emigrantët e paligjshëm për t’i mbajtur atje, për t’i trajtuar”. Unë thashë, “Më falni, kjo nuk është e mundur,” shpjegoi Rama për Financial Times.
Por deklarata e Keir Starmer shërben për të kuptuar edhe diçka tjetër.
Qeveria shqiptare ka bërë një propagandë të shfrenuar për të përçuar mesazhin se imazhi i Shqipërisë nëpër botë ka ndryshuar. Deputetët socialistë e konsiderojnë një “brand” të vërtetë të imazhit të Shqipërisë, kryeministrin Rama, që gjithnjë tërheq vëmendjen kur parakalon me atlete të bardha në takimet e ndërkombëtarëve.
Konfidencat e Edi Ramës me liderëve e BE-së, samitet ndërkombëtare që organizohen në Tiranë, ftesat për të diskutuar mbi tema globale janë pjesë e një narrative që tenton të bindë se vendi ynë ka kapur një pozicion kyç në arenën ndërkombëtare, tani që për imazhin kujdeset qeveria e Ramës.
Por kur liderët europianë i lënë mënjanë kortezitë dhe kalojnë në terma konkretë, tabloja përmbyset. Shqipëria del të jetë një venddepozitim emigrantësh në sytë e tyre. Çështja katandiset nëse do gjendet ndonjë vend tjetër të Afrikës që do pranojë refugjatët pasi të marrë ca para, apo t’ia ngecin Shqipërisë. Thënë këtë, kuptohet pse Edi Rama ia lejon vetes të përkëdhelet herë pas here nga “miqtë” e tij në samitet ku është i ftuar rregullisht.
Modeli që propozon marrëveshja Rama-Meloni për trajtimin e refugjatëve është kritikuar nga disa organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Mes tyre janë Human Rights ëatch dhe Amnesty International që kanë ngritur shqetësimin për shkeljen e të drejtave të refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve, “përfshirë edhe izolimin arbitrar të tyre” në kampin e Gjadrit.
Keir Starmer i konfirmoi gazetarëve se ka folur si me kancelarin gjerman Olaf Scholz, ashtu edhe me presidentin e Francës Emmanuel Macron për çështjen e azilkërkuesve. Por kur është konsultuar me Xhorxhia Melonin ai tha se “Ajo ka disa ide të forta dhe shpresoj t’i diskutoj këto me të. Ne kemi folur se si t’i përmirësojmë operacionet e përbashkëta, pra është diçka për të cilën do të flasim”./Lapsi.al