Nga Pranvera SHEHAJ
Edhe kur i kuptojmë dinamikat shoqërore dhe politike që na rrethojnë, shpesh nuk mundim ne të shpjegojmë sjelljen dhe reagimin tonë ndaj ngjarjeve që na rëndojnë psikologjikisht si pjesë e të tërës në shoqërinë me të cilën jemi të lidhur më shumë emocionalisht (me shpirt, ndjesi, përkatësi) se matematikisht (me interes, llogari, përfitim). Edhe kur instrumentalizohemi, përdoremi dhe vetëpërdoremi me ose pa vetëdije, si për të qenë brenda ngjarjeve duke i dhënë peshë rolit që duam të kemi në shoqëri, kjo sërish nuk mjafton të paqtojmë mendjen dhe të kuptuarit. Duarve të lidhura dhe zërit që bërtet mbyturazi pa mundur të ndryshojë kurrgjë, ua gjejmë zgjidhjen në shfryrjen e një mllefi të pakompleksuar që derdhet naivisht pa teklif e pa drojë në kritikë, autokritikë, fyerje, denigrim, autoironi dhe sarkazëm, katarsis në tentativë, mea-culpa shplarëse të ndërgjegjies, etj. Teksa shkruaj këta rreshta të parë për të kuptuar si shpjegohet kjo mënyrë ndërveprimi me makthin ku kemi ngecur, mendimi më shpie pa më marrë leje në psikoanalizë, veçanërisht në atë që njihet si Hija Jungiane.
Hija Jungiane: ana e fshehur e personalitetit që egoja mohon
Carl Gustav Jung, psikiatër zvicerian dhe themelues i psikologjisë analitike zhvilloi Teorinë e Hijes (1938). Në modelin e psikikës së Jung, persona dhe anima/animus janë dy struktura të ndërlidhura tonat. Sipas Jung, egoja, e cila udhëheq persona-n dhe është pjesa ekzekutive e personalitetit, qëndron përkrah hijes, e cila udhëheq anima-n, si pjesë e fshehur e personalitetit. Egoja që udhëheq persona-n përmban gjithçka ne pranojmë për veten, ajo që shfaqim. Hija është personaliteti i fshehur yni, i shtypur, dhe në shumicën e rasteve inferior dhe i ngarkuar me faj, rrënjët e të cilit na afrojnë deri me instiktet shtazore. Hija, ana errët e personalitetit tonë, përbëhet kryesisht nga emocione dhe impulse njerëzore primitive ose në tërësi nga cilësi të cilat egoja jonë refuzon të pranojë se i mbart. Pikërisht ky refuzim prej egos i mbyt anët e errëta dhe i fsheh në nënvetëdije, duke i dhënë formë hijes. Për të paduruarit si unë që presin mendimin t‘i shpjerë në politikë e jo psikoanalizë, një aspekt kyç lidh Hijen Jungiane me realitetin dhe aktualitetin tonë politik dhe shoqëror në Shqipëri: Projeksioni i Hijes në një mjedis kolektiv. Në një mjedis kolektiv, si një protestë, individët dhe grupet mund të projektojnë hijet e tyre mbi palët kundërshtare si psh. qeveritë, korporatat, strukturat shoqërore. Në protesta, nëse janë vërtet të tilla, Egoja hesht dhe Hija bërtet sepse Hija e shpërthen këmishën e hekurt të egos sa herë ka një provokim të fuqishëm të jashtëm.
Ego dhe Hija jonë kolektive
Pyetja që ngrihet është, nëse ego dhe hija kundërshtojnë njëra tjetrën, ç‘formë ka egoja dhe hija jonë kolektive, si shoqëri? Skenaret janë dy, njëri në rrafshin social, tjetri në rrafshin etnik.
Së pari, rrafshi social. Në vrapin dhe dëshirën si rrallë përreth nesh për t’u evropianizuar, i kemi tashmë të gjitha gjasat që egoja jonë të jetë ajo e qytetarit siç mendojmë e siç na duan: evropianë, modernë, të arsyeshëm, të përshtatur, të bindur në konsensusin e të ndërvepruarit në demokraci (sado e çalë qoftë ajo do të thoshin vetë evropianët), të hapur për bindshmëri civile, të përulur ndaj institucioneve dhe shtetit ligjor (qoftë ky edhe vetëm term), të hapur për konsensus social dhe politik, e si përfundim, shkurt, të civilizuar. A shkojmë tani nga persona tek anima? Në këtë skenar të fytyrës së egos, hija mbështjell ekstremitetet e kundërta që rreken të mbyten në nënvetëdije kur vetëdija ka krijuar bindjen se në rrafshin social duhet të shpërfaqë një etalon të të civilizuarit. Hija me gjasa e mbush terrin e saj me cilësi që zgjohen kur qenies njerëzore i mungon siguria (instikti i mbrojtjes), rehatia bazike për jetesë (instikti i mbijetesës), i mungon liria (instikti i rebelimit), i vritet uni (instikti i vetëgjyqësisë), lodhet nga nëpërkëmbja (nevojë për pushtet). Psikoanalisti i quan cilësi të errëta, por nëse sërish do t‘i referohesha psikologëve të mëvonshëm, jo, janë vetëm cilësi.
Së dyti, rrafshi etnik, në të cilin lëvrohet më krenarisht. Egoja jonë si shqiptarë është e tjerrë nga trimëria (legjendat janë kujdesur gjatë për të, e pas nuk mbetet as historia), krenaria deri në vetëflijim, bujaria, dhembshuria. Kështu ne jemi, duam të jemi, dukemi ose shfaqemi, të gjitha janë e jashtmja jonë dhe kjo nuk i bën të pavërteta. Pyetja lind, çfarë fle brenda nesh në këtë rrafsh dhe a ka shpërthyer kjo formë e hijes në shoqërinë shqiptare sot? Stepja dëshmon tulatje aq sa frikë për të reaguar, shpërfillja fsheh burracakëri, dorëzimi në krah të së keqes dëshmon tradhëti morale dhe pandershmëri ndaj vetes, ndaj vendit. Hije kjo që nxin shumë dhe nuk përngjan kurrkund me instiktin e revoltës.
Protesta(t): Ego vs Hija (instikti i revoltës)
Unë i mirëkuptoj të gjitha alibitë që i përgjigjen dhe përmbushin vetëm nevojën për rehati politiko-diplomatike, por nuk pranoj dot se gjuha e drunjtë mjafton për të heshtur skutat e errëta të animas, ashtu sikurse aq më pak pranoj se retorika vetëm konfirmuese dhe jo zgjuese e thyen barrierën konformiste, qytetare e korrekte të egos dhe nxjerr Hijen, atë që unë e quaj instikti i revoltës. Ky është udhëkryq i rrezikshëm ku instikti i revoltës (pra Hija), i zhveshur nga kujdesi për reputacionin civil dhe “të denjë”, ngec midis personas dhe animas. Hija nuk fshihet më, por as nuk ia del ta shpërthejë egon dhe të bërtasë revoltën frikshmërisht.
Në çarmatosjen katërcipërore të mirëkoordinuar nga ajo që në një tjetër shkrim e kam quajtur “bisha mekanike” e autokracisë, një protestë, pavarësisht qëllimit, por që eko të thirrjes së saj ka “mosbindjen” ka vetëm një detyrë: aftësinë për të thirrur hijen në rrafshin social (të gjitha instiktet e përmendura më lart) dhe për ta mbytur hijen në mënyrë që egoja jonë të mbizotërojë në rrafshin etnik (krenaria, trimëria). Vetëm në këtë kombinim, protesta nuk ndalet aty dhe kërkesa themelore e saj amplifikohet në ditët e tjera kur dielli do të lindë sërish derisa qëllimi të realizohet.
Ky mendim i udhëzuar nga psikoanaliza më shumë se politika, kundërshton realitetin e faktuar që protestat kanë patur në disa simotra të autokracive dhe regjimeve shtypëse. Atje, mosbindja vetëm si civile ka patur sukses nëse është shtrirë në kohë me të njëjtën pjesëmarrje masive çdo ditë. Por, duhet të kuptojmë se braktisja e realitetit të vrazhdë deri në fatalitet në vend dhe mbjellja masive e frikës, ndoshta pjesëmarrjen shpërthyese nuk na e garanton dot, dhe për këtë edhe të verbrit e helmuar që çjerrin me zell çdo nismë të opozitës, e dinë mirë se fajin nuk e ka forca opozitare. Autokracitë përgatiten për këto ditë, ku popullata për matematikë e pastaj për psikozë terrori i sheh me skepticizëm protestat. Për rrjedhojë, suksesi i protestës nuk varet më tek masiviteti dhe loja nën brez e numrave. Ajo duhet të synojë zgjimin e vetëdijes për të gjitha mungesat e përmendura më sipër derisa çdo instikt të dalë në pah dhe hija, instikti i revoltës të projektohet kundrejt fajtorit, autokracisë. Për këtë nuk është kusht numri i pjesëmarrësve që do të xhonglohet si zar në studiot e mejhaneve mediatike. Instikti i revoltës i dalë pa moderim mjaftohet me bindjen për moskthim pas.
Në tërësinë e këtij konteksti në të cilin folëm, ka vetëm dy aspekte që kërkojnë t’u jepet drejtim përpara protestës si elemente kyçe të strategjisë së saj: qartësimi i të gjitha motiveve që duhet të zgjojnë instiktin e revoltës, pra demontimi paraprak i çdo zbutësi që kamuflon skamjen, hijëzon shtypjen, krijon perceptimin e sigurisë, përkëdhel unin e qytetarëve përmes propagandës etj. Për këtë duhet rrugë e gjatë parapërgatitore dhe PD është investuar mjaftueshëm deri më sot. Për rrjedhojë, mbetet vetëm një aspekt, t’i tregojë qytetarëve e më së shumti idhtarëve të saj të militantizmit, rolin që pritet prej tyre në protestë: cili është qëllimi që duhet të përmbushë hija, instikti i revoltës? Qartësia në këtë drejtim është delegim i drejtpërdrejt i besimit që PD duhet t‘u japë shqiptarëve mbështetës të saj, dhe jo vetëm e anasjellta. Instiktit të revoltës i duhet ngarkuar rol që ajo të ekzekutojë qëllimin e saj, derisa ky makth në të cilin po ecim, të marrë fund.
Gazeta RD