Pensionistët shqiptarë më të varfërit në Europë, blejnë dy herë më pak se vendi i parafundit

Vitin e kaluar, vendi i parafundit për nga niveli i pensioneve në Europë ishte Bullgaria. Sipas të dhënave të Eurostat, një pensionist në Bullgari paguhet mesatarisht 226 euro në muaj. Por ekziston dhe një shtet tjetër në mes të Europës, ku pensionistët paguhen edhe më pak se në Bullgari. Madje gati dy herë më pak. Ai është Shqipëria.

Sipas Eurostat, aktualisht një pensionist shqiptar përfiton rreth 131 euro në muaj nga pensioni i qeverisë. Në vendet fqinje të rajonit pensionet janë minimalisht dy herë më të larta se në Shqipëri. Në Bosnje, pensionistët paguhen 237 euro në muaj. Në Serbi ata përfitojnë 276 euro në muaj, ndërsa në Malin e Zi pagesa mesatare mujore për pensionist është 291 euro.

Pensionet mesatare mujore ne Europe

Megjithatë këto janë vetëm shifrat absolute. Diskriminimi real i pensionistëve shqiptarë është shumë më i madh nëse matet sipas fuqisë reale blerëse që u garanton pensioni i tyre.

Fuqia blerëse
Për shkak se shtetet Europiane kanë diferenca në çmimet e mallrave dhe shërbime, krahasimi thjesht i pagesave absolute të pensioneve nuk e tregon të gjithë realitetin. Ajo që ka rëndësi realisht është se sa pensionistët në çdo vend mund të blejnë me paratë që marrin nga pensioni i tyre.

Për të bërë të mundur këtë krahasim, Eurostat i ka kthyer pensionet sipas standardit të fuqisë blerëse. Ky standard krijon një momedhë artificiale, e cila ka të njëjtën vlerë dhe mund të blejë të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh në çdo vend duke zhveshur diferencat në çmime. Por çfarë thonë të dhënat?

Aktualisht një pensionist shqiptar paguhet 244 euro në muaj sipas fuqisë blerëse. Në Bullgari, shifra është 437 euro, ndërsa në Bosnje 456 euro. Në të gjitha vendet e ngjashme të Ballkanit Perëndimor, pensionistët mund të blejnë me pensionin që u paguan qeveria të paktën dy herë më shumë mallra dhe shërbime se sa të moshuarit në Shqipëri.

Pensionet mujore sipas fuqise blerese

Dhe ky është një nga treguesit ku Shqipëria ka diferencën me të madhe me vendet e tjera.

Çështje parash, por edhe vullneti
Qeveria shqiptare shpenzon mesatarisht 1.7 miliardë euro në vit për të paguar 700 e ca mijë pensionistët që përfitojnë pension nga shteti. Kjo të thotë se për të rritur me 10 për qind pensionet në Shqipëri do të duhen mesatarisht 170 milionë euro shtesë në vit. Ndërsa për t’i përafruar ato me vendet e ngjashme të rajonit, Shqipëria duhet të shpenzojë dhe 1.7 miliardë euro të tjera në vit duke e çuar faturën totale të pensioneve në gati 3 miliardë e gjysmë euro në vit.

Të ardhurat totale në buxhetin e shtetit, këtë vit janë parashikuar, në 7.1 miliardë euro. Me pak fjalë, Shqipërisë do t’i duhet të shpenzojë gjysmën e buxhetit për të përafruar pensionet me ekonomitë e ngjashme të rajonit. Ky duket një objektiv i pamundur edhe për shumë vite të tjera. Megjithatë, Shqipëria duhet të nisë të mendojë seriozisht se ka një problem të madh. Sot pensionistët shqiptarë janë hedhur në rrugë dhe me pensionin që marrin nuk kanë mundësi të bëjnë një jetë dinjitoze. Madje as të mbijetojnë.

Ndoshta deri më tani, kjo pamundësi është zbutur nga ndihmat që familjarët në emigrim u dërgojnë prindërve të tyre të moshuar. Por në një shoqëri, e cila sa vjen e bëhet me individuale, armata e madhe të moshuarve do ta ketë gjithmonë e më të vështirë të mbijetojë fizikisht, jo më të jetojë me dinjitet nga pensioni që iu jep qeveria.

About Krye Redaktor

Check Also

Shifra e frikshme/Paguan 140 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston, paratë i vodhën

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, foli për hetimet …