Zhulali: Zyra e legalizimeve në bashkinë Tiranë presion mbi votuesit para zgjedhjeve

Anëtarja demokrate e Këshillit Bashkiak Tiranë, Ilda Zhulali, marrëveshjen e firmosur mes bashkisë Tiranë dhe Kadastrës, për krijimin e një zyre të veçantë për legalizimet në bashkinë e kryeqytetit, e sheh si një mënyrë për të ushtruar presion mbi qytetarët shqiptarë për votën.

Në një intervistë për MCN, Zhulali i cilësoi mbledhjet e Këshillit Bashkiak si teatër banal, ku këshilltarët opozitarë përballen me arrogancën e mazhorancës dhe mohohet e drejta e fjalës.

“E gjithë ajo mbledhje është një turp se ku ka arritur kryeqyteti i Shqipërisë që duhet të ishte modeli i qeverisjes vendore në të gjithë vendin. Me atë që ndodh në Këshillin Bashkiak kemi arritur në nivel diktaturash, dhe mbledhjet janë formalitet. Edi Rama bën një marrëveshje me Erion Veliaj në vitin e tij të nëntë në pushtet që do të zbatojnë parashikimet ligjore për legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe kjo bëhet para fushatës elektorale që fillon në 2025.

Kjo është një mënyrë për të manipuluar vullnetin e qytetarëve se me këto lëvizje synohet që qytetari të trysnohet me këto legalizime. Bashkia do i shkojë në shtëpi dhe do i thotë a do ti ta legalizosh këtë kat shtesë, apo këtë shtesë dhe deri sa të më japësh prova që do votosh PS, kjo letër do rrijë në sirtarin tim. Ky është presion i drejtpërdrejtë që bëhet duke përdorur burimet shtetërore. OSBE-ODHIR e thotë që shteti përdor burimet njerëzore për presion ndaj qytetarëve. Kjo është një marrëveshje e parapërgatitur dhe këtu zgjedhjet janë një formalitet. Ti voton sepse të trysnon qeveria në të gjitha format që votat të shkojnë aty ku do qeveri. Kjo është e papranueshme për çdo shqiptar me dinjitet. Kjo shton numrin e njerëzve që shkojnë derë për derë për tu bërë presion njerëzve.

Kadastra do e shkarkojë peshën e përgjegjësisë së vetë dhe kështu bëhen bashkëpunëtorë në të njëjtin krim zgjedhor, si bashkia dhe kadastra. Këtë skemë e kemi parë dhe në zgjedhjet e fundit për të mbajtur pushtetin me çdo kusht. Flasim për mbi 8 milionë metër katrorë leje ndërtime të dhëna nga Veliaj në pushtet. Mendoni sa është pjesa tjetër e ndërtimeve që nuk e kanë marrë këtë leje, por bashkia ka mbyllur sytë gjatë ndërtimit të tyre”, tha Zhulali.

Ajo shtoi se do të ndiqet rruga ligjore kundër kësaj marrëveshje, si dhe do të ndërgjegjësohen gjithë qytetarët lidhur me atë që po ndodh.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Nesër në ora 11 të gjithë te bashkia kundër hajdutit të fondeve e pasurive publike!

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin e sotëm u ndal dhe tek …