Nga Naim NOKA
Ah, çfarë spektakli na ofroi mbrëmë ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj! Në një episod të shfaqjes mallëngjyese kombëtare të lotëve , Xhafaj na la pa frymë me një përzierje emocioni, mllefi dhe nuk harroi të linte një shteg të vogël se mund të nisë një karriere të mundshme në Teatrin e Kombëtar që po ndërtohet. Në emisionin “Opinion”, ai foli për dramën e familjes së tij, veçanërisht për vëllanë trafikant, Agron – alias Geron – i cili ndodhet i dënuar në Itali për trafik droge.
Me një shprehje të pafajshme në fytyrë dhe lot që i shkëlqenin në sy, ish-ministri përpiqej t’i tregonte publikut shqiptar se çdo gjë ishte një “gabim rinie”!
Sigurisht, “gabimet e rinisë” të Agron Xhafajt nuk janë si ato të rinisë së zakonshme. Në vend që të harrosh librat në shkollë, Agroni harroi ligjin ndërkombëtar për drogën, duke u kapur në një operacion të rëndë kriminal. Por mos u shqetësoni, sepse sipas Fatmirit, çështja është “tejkaluar” dhe nuk ka nevojë për më shumë hetime. Dhe nëse ndonjë prokuror mendon ndryshe, ndoshta duhet të shikojë më parë të ardhmen e tij politike.
Në një lëvizje të sofistikuar retorike, Xhafaj kujtoi të kaluarën e tij si prokuror, duke mohuar se kishte qenë pjesë e regjimit komunist, ndërkohë që përdori me mjeshtëri metoda që të sjellin ndërmend pikërisht ato kohë dhe lulet për shokun Enver ja kishin ngecur në dorë.
Madje, ai shkoi deri në Gjermani për të mbledhur dëshmi të njerëzve që, sipas tij, nuk ishin hetuar për motive politike. Me sa duket, dikush duhet t’i japë çmimin e “Sherlock Holmes të socializmit të vonë”.
E ndërsa Xhafaj lëshonte lot për hallet e tij, dikush ndoshta duhet t’i kujtojë se shqiptarët kanë hallet e tyre – të vërteta, jo të prodhuara në studio televizive. Hallet e tyre janë për një drejtësi të munguar, për politikanë që largojnë përgjegjësitë me po të njëjtin talent me të cilin qajnë përpara kamerave. Dhe këtu vijmë te pyetja thelbësore: A do të hetojë SPAK pasurinë e Xhafajt dhe të vëllait të tij trafikant?
Deri më sot, SPAK ka qenë më shumë një instrument propagande sesa një institucion që e bën punën e tij me seriozitet. Ndoshta, Fatmir Xhafaj është i qetë për momentin, por shqiptarët kanë parë shumë telenovela politike dhe janë lodhur nga rikthimet e njëpasnjëshme të episodit ku politikanët qajnë, por asnjë nuk mban përgjegjësi.
Le të presim të shohim se si do të zhvillohet ky episod i radhës – ndoshta SPAK do t’i japë publikut një surprizë të vërtetë. Deri atëherë, do të vazhdojmë të shohim politikanë që qajnë me lot si të Fatmir Xhafës./Publik.al