Shkenca shqiptare kërkon investim të shumëfishuar dhe një ligj modern konsensual

Prof. Myqerem TAFAJ

Ditët e fundit po zhvillohet, fatmirësisht, një diskutim edhe në media për shkencën, ngaqë filloi diskutimi i projektligjit për shkencën në komisionet e Kuvendit. Unë e konsideroj pozitive që po hartohet një ligj i ri për shkencën dhe kërkimin shkencor. Në fakt ai mund të emërtohej “Ligj për kërkimin shkencor dhe Zhvillimin (Research & Development)”, ashtu sic emërtohet në vendet e tjera. Ligji i mëparshëm për kërkimin shkencor ishte i vjetëruar dhe nuk mund t’i përgjigjej peisazhit të sotëm të sistemit të arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe zhvillimit.

Por ajo që më duket më e rëndësishme është fryma e projektligjit dhe objektivat e tij. Unë mendoj se një projektligj i tillë për kërkimin dhe zhvillimin (K&ZH) duhet të ketë qëllim kryesor shumëfishimin e investimit që do të bëjë vendi ynë për një hop sasior dhe cilësor në veprimtarinë krijuese të K&ZH në funksion të: (i) zhvillimit të një Shoqërie dhe Ekonomie të mbështetur në vendin tonë si një vendi që synon të jetë antar i BE dhe i familjes së vendeve të zhvilluara; (ii) zhvillimit të kapaciteteve njëzore shkencore për të kryer K&ZH, si dhe (iii) rritjes së cilësisë së arsimit në tërësi, dhe, në mënyrë të vecantë, të arsimit të lartë ku formohen brezat e rinj të specialistëve, ekspertëve dje kërkuesve, të cilët do të përballojnë sfidat e zhvillimit të gjithanshëm të vendit në dekadat që vijnë të këtij shekulli si Shekulli i Dijes.

Parë në këtë këndvështrim, relacioni dhe dokumenti i analizës së projektligjit nuk janë bindës. E para është investimi që parashikohet deri në vitin 2030 për K & ZH. Në këto dokumente thuhet që në vitin 2030 Shqipëria do të investoj vetëm 0,16 % të GDP për kërkimin shkencor. Ky është një objektiv që nuk e përligj hartimin e një ligji të vecantë për K&ZH, sepse një masë e tillë investimi nënkupton që Shqipëria, edhe pas 6 vitesh do të investoj 4-5 herë më pak se sa disa vende të Rajonit që investojnë për K&ZH 0,7 -0,9 % të GDP. Edhe sot kur GDP e vendit është mbi 20 miliard Euro dhe vepra të mëdha që financohen nga buxheti nuk po ndërtohen, Fondi i Shkencës është shumë modest, vetëm 5,5 milion Euro, ose një financim faktik më pak se 500 Euro/pedagog apo kërkues në vit, ndërkohë që ky financim për perdagog apo kërkues për K & ZH, në disa vende të Rajonit dhe në vendet e reja të BE është të paktën 10 herë më i lartë dhe në vendet e zhvilluara shumë herë më i lartë. Pra ky objektiv parësor i mungon këtij projektligji.

Në asnjë fjali të relacionit nuk shprehet një objektiv i qartë se cfarë synimi ka qeveria për zhvillimin e komunitetit akademik kërkimor në Shqipëri. Sot, në sistemin tonë të arsimit të lartë punojnë afërsisht 5400 pedagogë e kërkues, pa përfshirë këtu doktorantët, ose 2,5 herë më shumë se në vitin 2005. Ky komunitet akademik përbën të paktën 90% të gjithë komunitetit shkencor të vendit. Edhe pse ky numër në leximin e parë mund të duket i madh, ai është akoma shumë i vogël, rreth 2,3 kërkues/1000 banorë (sipas Censusit 2023), të paktën 4 herë më i vogël krahasuar me vende të Rajonit (p.sh Kroacia, Sllovenia, Serbia), për të mos përmendur këtë raport në vendet e zhvilluara.

Eshtë e domosdoshme që investimi për K & Zh të rritet me shpejtësi dhe të jetë të paktën 0,6 % të GDP në 2028 dhe 0,8 % e GDP në 2030, ose gati 7-8 herë më i lartë se sa investimi aktual (qeveria ka raportuar 0,08 % e GDP, por Fondi për Shkencën është vetëm 5,5 milion Euro ose afërsit 0,03 % e GDP). Ndoshta dikush do të habitet përse duhet një rritje kaq e madhe e investimit për shkencën. Dhe pse do të habitet. Sepse koncepti i këtij ligji duket sikur synon të mbështetë vetëm një grup shumë të kufizuar të komunitetit akademik për kërkim shkencor dhe nuk niset nga parimi themelor i përmendur më lart: dija në universitete duhet të mbështetet në krijimtarinë shkencore të cdo pedagogu! Po të shihet në këtë këndvështrim, atëhere bëhet fjalë për një komunitet kërkuesish që u përmend më lart, prej 5400 pedagogë e kërkues në sistemin e AL, pa llogaritur këtu doktorantët. Nëse i shtohet këtij numri edhe rreth 1000 veta që bëjnë kërkime jashtë sistemit të arsimit të lartë, atëherë do të kuptohet lehtë se bëhet fjalë për mbështetjen e veprimtarisë së kërkimit shkencor të një komuniteti prej  të paktën 10 mijë pedagogësh e kërkuesish në vitin 2030 në gjithë Sistemin e Shkencës. Edhe me këtë numër Shqipëria do të ishte e fundit në Rajon për nga numri i kërkuesve /1000 banorë.  Pra, ky ligj duhet të konsideroj me përparësi komunitetin akademik të universiteteve si kapitalin më të madh human shkencor të vendit tonë. Ky kapital është një pasuri e madhe kombëtare, produkt i investimit të shoqërisë dhe të vetë familjeve shqiptare, të cilët kanë mbështetur, sidomos në tre dekadat e fundit, vajzat dhe djemtë e tyre për të kryer me rezultate shumë të larta në studimet universitare edhe jashtë vendit, në mënyrë që të zhvillojnë një karierë të suksesshme si pedagogë dhe kërkues në universitetet tona.

Unë mendoj se ligjbërësit, politikëbërësit dhe ekzekutivi duhet t’a shohin sistemin e shkencës, për rrjedhojë edhe këtë ligj, në lidhje të ngushtë me zhvillimin e arsimit tonë të lartë dhe rritjen e cilësisë së tij, si kolona kryesore e Sistemit të Shkencës. Arsimi ynë i lartë përballet sot me sfidën kërcënuese të uljes drastike të numrit të studentëve për shkak të emigracionit masiv dhe uljes së lindshmërisë. Largimi masiv i të rinjve ka shtruar sfida për të ardhmen e universiteve publike dhe private më vendin tonë. Në këtë kontekst, është e domosdoshme që të rritet me përparësi dhe shpejtësi investimi për kërkimin shkencor për universitetet dhe integrimin sa më të mirë të arsimit të lartë me kërkimin shkencor dhe inovacionin. E thënë thjesht fare, ky investim duhet të jetë aq i madh sa t’i japë mundësi cdo pedagogu dhe kërkuesi në universitete t’i kushtoj të paktën gjysmën e kohës së punës kërkimit shkencor, cka do të ishte një revolucion i vërtetë në prodhimtarinë shkencore botuese, edhe internacionale, të komunitetit akademik të universiteteve të vendit, në interes të zhvillimit ekonomik e social të vendit si dhe rritjes së cilësisë së përgatitjes së studentëve tanë. Vetëm universitetet që do të mbështetin mësimdhënien në kërkimin shkencor kanë të ardhme të sigurtë. Nëqoftëse do të anashkalohej ky zhvillim jetik në sistemin e arsimit të lartë dhe do të tentohej, përmes këtij ligji, të dërgohen fondet buxhetore kryesisht në një rrjet institucionesh kërkimore jashtë universiteteve, kjo do të ishte goditje fatale për të ardhmen e arsimit tonë të lartë. Ky do të ishte një mesazh demotivues edhe për pedagogët dhe kërkuesit e rinj (sot janë rreth 2500 pedagogë e kërkues të rinj) në sistemin e arsimit të lartë, se ata nuk kanë të ardhme në universitete dhe kanë dy rrugë: ose të braktisin karierën e tyre akademike shkencore, ose të largohen me shpejtësi jashtë vendit për ta vazhduar atë në universitetet e huaja, të cilët janë të uritur për të rekrutuar të rinj të talentuar si staf akademik shkencor. Por kjo do të bënte që brenda 5-10 viteve që vijnë, vendi ynë të humbiste të paktën 30 % të komunitetit akademik, kryesisht kërkuesve e pedagogëve të rinj, situatë e cila do të ishte një përsëritje e atij Brai Drain masiv që përjetoi Shqipëria në dekadën e parë pas përmbysjes së diktaturës.

Në diskutimet publike për këtë projektligj po debatohet për rolin e qeverisë në sistemin e kërkimit shkencor në këndvështrimin e ruajtjes së lirisë së kërkimi dhe autonomisë akademike nga ndikimi i qeverisë. Po diskutohet roli i qeverisë në zhvillimin e kërkimit shkencor duke iu referuar kryesisht përbërjes dhe funksioneve të Këshillit Kombëtar të Politikave të Shkencës, me status këshillimor për qeverinë. Projekti parashikon kryesimin e Këshillit nga Kryeministri dhe një përbërje mbizotëruese të antarëve të tij me disa ministrave dhe drejtorë të agjencive qeveritare. Në parim është shumë mirë që Shqipëria të ketë një Këshill të Politikave të Shkencës, por ai duhet të jetë funksional dhe fjala (propozimet, rekomandimet) e tij të dëgjohet. Kjo do të nënkuptonte që antarët e tij të ishin përfaqësuesit më të shquar të shkencës shqiptare dhe rekomandimet e tij të ishin një “ligj i pashkruar” për konsiderimin nga legjislativi dhe ekzekutivi. Modeli që propozohet në këtë projektligj nuk i përmbush këto kritere. Janë thuajse të gjithë, përjashtuar të dërguarit e Konferencës së Rektorëve, antarë të qeverisë dhe vartës të tyre. Kjo është përbërje me mbizotërim të përfaqësuesve politikë, e cila nuk është e zakonshme për vendet demokratike, ku antarët e Këshillave të tillë propozohen nga komunitetet që përbëjnë sistemin e shkencës, mbi bazën e kontributit të tyre në shkencën dhe zhvillimin e vendit. Ata formalisht emërohen jo nga qeveria por direkt nga propozuesit. Një prej tyre zgjidhet nga vetë antarët si Kryetar me një mandat zakonisht dy vjecar. Ka plot shembuj ose modele të Këshillave të Politikave të Shkencës në vendet demokratike që mund të konsiderohen si referencë.

Një cështje tjetër shumë e rëndësishme që ka tërhequr vemendjen e komunitetit akademik është kompetenca që ky ligj i jep ministrisë dhe Akademisë së Shkencave për vlerësimin e veprimtarisë shkencore.

Për t’a kuptuar më mirë këtë duhet ndarë vlerësimi i sistemit të kërkimit dhe zhvillimit (niveli makro) nga vlerësimi i veprimtarisë kërkimore (niveli mikro). I pari është niveli makro. Atë e kërkon ministria përgjegjëse, por kurrë nuk duhet dhe nuk kapacitete profesionale për t’a realizuar vetë një gjë të tillë. Ministria është institucion politikëbërës dhe jo një agjenci vlerësimi. Edhe sikur t’a bënte ministria ky vlerësim, si do të ishte krejtësisht i pabesueshëm, sepse kjo do të thoshte që ministria të vlerësojë punën e vet në fushën e K & Zh. Sot vlerësimi i sistemeve të K & Zh bëhet nga agjenci të specializuara dhe të certifikuara për vlerësime dhe akreditime, madje edhe internacionale, të K & Zh. Ministria thjesht e kërkon vlerësimin dhe përdorë raportet e agjensive të specializuara për politikëbërjen në fushën e K & Zh.

Shumë më delikat është aspekti tjetër, ai i vlerësimit të veprimtarisë kërkimore ose niveli mikro, i cili shtrihet deri në vlerësimin e projektideve dhe veprimtarisë kërkimore individuale të cdo kërkuesi. Kjo është praktikisht liria kërkimore. Të thuash që ministria do t’a bëjë këtë vlerësim, do të thotë të legjitimosh një kontroll indirekt politik mbi cdo kërkues, cka do të conte në një politizim të rrezikshëm të veprimtarisë së K & Zh si dhe në një mbështetje politikisht selektive të kërkuesve shkencorë. Kjo dukuri është reale jo vetëm në vendin tonë si vend i vogël, ku thuajse të gjithë njohin njeri tjetrin, por edhe në vende më të mëdha, madje edhe ato të zhvilluara. Shembull i freskët është reagimi i disa administratave qeveritare në vendet perëndimore ndaj profesorëve dhe kërkuesve të universiteteve që ishin në krye të protestave për luftën në Gaza. Diku administratat qeveritare kërkuan informacione nga fondacionet e shkencës për projektet kërkimore që kishin fituar profesorët më aktivë në këto protesta, cka shkaktoi një reagim të ashpër jo vetëm të komunitetit shkencor por edhe të  opinionit publik duke cuar në dorëheqje të menjëhershme të niveleve të larta përgjegjës ministrore. Kjo dorëheqje ndodhë në shoqëritë demokratike të konsoliduara. A mund të mendohet që në këtë nivel kaq të ulët të demokracisë, sic është rasti i vendit tonë, të ngrihet dikush në mbrojtje të lirisë së kërkimit të një profesori apo kërkuesi ?! Ky përcaktim i ligjit do të rritë rrezikun e diskriminimit, të cilin e ka edhe kuadri nënligjor aktual. Me këtë ligj, nëse ti je një pedagog/kërkues politikisht i “njerkës” do të jetë më vështirë të fitosh një projekt nga buxheti i shkencës, cka do të thotë që ti nuk merr dot as doktorantë në udhëheqje, nuk publikon dot, dhe, kësisoj, nuk avancon dot në karierën akademike për titull akademik. Kështu mbetesh vendnumëro si një mësimdhënës dhe ke vetëm dy rrugë: ose të emigrosh për të vazhduar karierën akademike ose të ndërpresësh atë dhe të kërkosh një punë tjetër. Por, më e rëndë akoma, është efekti diskrimininues politik që mund të sjellë ku përcaktim në ligj për të rinjtë e talentuar që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e doktoratës, të cilët mund të privohen politikisht nga mundësia e përfshirjes në grupe kërkimore për të kryer studimet e doktoratës. Për ta mbetet vetëm një rrugë: të emigrojnë për të realizuar endrrën e tyre për karierë akademike në universitetet e huaja. Por kjo është kosto për të ardhmen e shkencës të vendit tonë.

Gjithashtu, në asnjë vend demokratik, akademitë e shkencave nuk kanë asnjë tagër të vlerësojnë veprimtarinë kërkimore të universiteteve apo institucioneve të tjera, por vetëm të antarëve, kërkuesve apo njësive kërkimore të saj. Akademitë nuk janë agjenci vlerësimi. Sigurisht akademitë mund të hartojnë opinione publike për gjendjen e sistemit të K & Zh. Eshtë njësoj sikur të shkruash në ligj që një nga universitetet e vendit vlerëson veprimtarinë e homologëve të vet, të Akademisë apo institucioneve të tjera të K & Zh.

Prandaj është e domosdoshme që ky ligj të mbyllë cdo shteg që lejon kontroll politik, qoftë edhe indirekt, mbi pedagogët/kërkuesit dhe lirinë akademike e të kërkimit shkencor.

Ky projektligj, ndoshta me qëllim, anashkalon rregullimin e manaxhimit dhe të funksionimit të të gjithë veprimtarisë së K & Zh në vendin tonë. Në fakt ky nivel i rregullimit është konkretizim se si do të realizohet konkretisht dhe do të mbrohet liria e kërkimit të cdo kërkuesi. Në vendet demokratike ky nivel realizohet përmes Fondacioneve ose Autoriteteve publike të pavarura të shkencës. Projektligji për këtë ka vetëm një togfjalësh: Agjencia Kombëtare e Kërkimit & Inovacionit (AKKSHI) si një agjenci aktuale nën MAS. Në fakt AKKSHI, me statusin që ka në varësi të MAS, nuk përmbushë dot kriteret për të qenë një agjenci autonome, e barazlarguar nga palët, objektive në manaxhim dhe që garanton realizimin e lirisë së kërkimit. AKKSHI duhet të jetë një autoritet publik i pavarur, i drejtuar nga një Bord ku përfaqësohen të gjitha palët dhe manaxhohet nga Drejtori ekzekutiv, i cili zgjidhet me konkurs publik. Statusi, përbërja, misioni, funksionet, detyrat, përzgjedhja e Bordit, e komisioneve shkencore dhe oponentëve të fushave si dhe e drejtorit të Përgjithshëm shkencor dhe sekretarit të Përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit apo Fondacionit duhet të përcaktohen qartazi në këtë ligj. Ajo mund të quhet edhe Autoriteti Kombëtar i Shkencës. Madje, për të mundësuar thithjen dhe manaxhimin e fondeve për K & Zh nga donatorët, është e domosdoshme të jetë një institucion i natyrës së fondacionit (p.sh. Fondacioni Shqiptar i Shkencës), ku edhe donatorët kanë një përfaqësues të tyre në Bord. Për këtë mund të merren modele të vendeve të tjera. Pa një institucion të tillë publik të pavarur është e pamundur që të garantohet liria e kërkimit që jep Kushtetuta, sipas së cilës cdo kërkues apo grup kërkuesish që ka një ide /projekt të K & ZH, që i shërben zhvillimit të vendit, të ketë mundësi reale të aplikojë dhe të konkurroj mbi bazën e meritës pranë një Autoriteti/Fondacioni ku vlerësimet dhe vendimet transparente për projektet i takojnë komisioneve të shkencëtarëve dhe oponentëve shkencorë sipas fushave dhe jo personave politikë dhe burokratëve. Me një fjalë garant për lirinë e kërkimit duhet të jenë vetë shkencëtarët që përfaqësojnë komunitetin shkencor të vendit.

Pa një kapitull të gjërë, i cili rregullon në mënyrë të detajuar manaxhimin dhe funskionimin e veprimtarisë së K & Zh, ky ligj nuk do të kishte asnjë vlerë. Nëse dikush mendon se kjo mund të realizohet përmes vendimeve të qeverisë, kjo nuk do garanton lirinë dhe autonominë në K & Zh dhe mbetet në predispozicionin e qeverisë së radhës. Ky nivel i rregullimit duhet ti mbetet Kuvendit përmes ligjit dhe jo qeverisë së radhës.

Dhe së fundi, projektligji duhet të rregulloj plotësisht mënyrën e financimit dhe të manaxhimit financiar të fondeve nga buxheti i shtetit dhe atyre nga burimet e tjera jo buxhetore që vijnë nga sektori privat si donacione. Ligji duhet të përmbajë edhe “Fondin për Shkencën dhe Inovacionin” në vendin tonë, burimet e tij dhe programet kryesore që e përbëjnë atë.

Ky projektligj është ende shumë larg nevojave reale të vendit për një hop real, sasior e cilësor, në kërkimin shkencor; ai nuk garanton lirinë akademike dhe të kërkimit, dhe, si i tillë është larg pritshmërive të komunitetit tonë akademik shkencor.

Në ligjbërje ka ligje që mund të jenë konsensuale edhe pse nuk kërkojnë shumicë të cilësuar në miratim në Kuvend. Në këtë grup ligjesh konsensuale i pari duhet të jetë ligji për shkencën. Shumica parlamentare duhet t’a kuptojë se ky ligj. në këtë formë. nuk i shërben vendit. Eshtë plotësisht e mundur që Komisionet parlamentare të marrin kohën e duhur në diskutim dhe të dëgjojnë opinionet e të gjithë faktorëve, në mënyrë që projektligji të plotësohet/ përmirësohet dhe të arrihet në një ligj modern për kërkimin shkencor dhe zhvillimin të pranuar gjërësisht, më së pari nga komuniteti akademik i vendit, pastaj edhe nga faktorët politikë. Modele shumë demokratike ligjesh moderne të K & Zh ka edhe në vendet afër nesh, si p.sh. Sllovenia apo Kroacia, si vende me një madhësi të ngjashme me vendin tonë.

Eshtë mirë që politika të bëj një hap prapa në miratimin e këtij ligji. Vetëm kështu mund të arrihet në një ligj modern konsensual, i cili do të ishte afatgjatë dhe mund të krijonte kushte reale për një hop cilësor në kërkimin shkencor në vendin tonë.

About Redaksia

Check Also

Sali Berisha është sot në misionin e tij më të rëndësishëm!

Nga Nikola KEDHI Sali Berisha është padyshim figura kryesore politike e tri dekadave të fundit, …