CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 85

Rënia e Pushtetit të Katërt: Si Ndikon Dobësimi i Medias në Demokracinë Shqiptare

Nga Neada STANA
Anëtare e Departamentit Brain Gain dhe Ekselenca në PD 

Në një periudhë kur dezinformimi, manipulimi dhe propaganda janë bërë pjesë e përditshmërisë, qytetarët shqiptarë përballen me një krizë serioze informacioni. Shumë media tradicionale janë nën ndikimin e interesave qeveritare dhe oligarkike, duke e bërë të vështirë për publikun të marrë një pasqyrë të qartë dhe të besueshme mbi problemet reale të vendit. Kjo situatë ka dobësuar rolin mbikëqyrës të medias, duke e kthyer atë nga një “watchdog” të demokracisë në një mjet për përhapjen e propagandës. Në këtë kontekst, rëndësia e një media të lirë dhe të pavarur bëhet më e madhe se kurrë për informimin e saktë të qytetarëve.

Roli i Medias si “Watchdog”, duhet të jetë duke monitoruar dhe kontrolluar veprimtarinë e pushtetit për të informuar publikun. Në demokracitë e zhvilluara, media ka luajtur një rol vendimtar në zbulimin e skandaleve dhe në mbrojtjen e interesit publik. Një shembull është skandali Watergate në SHBA, ku gazetarët e pavarur arritën të zbulojnë abuzimet e qeverisë dhe të detyrojnë dorëheqjen e presidentit Nixon. Ky rast tregoi qartë fuqinë e medias si “watchdog”, një rol që është thelbësor për mbajtjen përgjegjëse të pushtetit. Në Shqipëri, ky rol është shpesh i zbehur për shkak të ndikimeve politike. Në vendet me demokraci të brishtë, ose në rastin e Shqipërisë, e cila tashmë është shndërruar në një “sundokraci”, media shpesh ndjen presion dhe kërcënim, duke e bërë të vështirë për të të kryejë detyrën e saj. Ndikimet politike dhe oligarkike dobësojnë rolin e saj mbikëqyrës, duke e bërë të cënueshme dhe shpesh të paefektshme.

Në kohë kur publiku ka humbur besimin te politika, ekzekutivi dhe gjyqësori, media, si pushteti i katërt, merr një rol të rëndësishëm dhe vendimtar. Funksioni mbikëqyrës i saj varet nga fuqia që zotëron, besimi që transmeton dhe aftësia për të ndikuar politikat. Kjo kërkon një media profesionale që vëzhgon, analizon dhe informon publikun me saktësi dhe profesionalizëm. Roli i medias si mbikëqyrëse përfshin ushtrimin e presionit, shpërndarjen e informacionit, ndërgjegjësimin dhe edukimin, që e dallojnë atë nga pushtetet e tjera të shtetit, të cilat kanë kompetenca ligjore. Përmes ndikimit të saj tek publiku, forcohet kapaciteti i medias për të kërkuar llogari nga pushtetarët, duke vepruar si një shtysë për parandalimin e abuzimeve, korrupsionit dhe shkeljeve të tjera. Mediat e pavarura në Shqipëri kanë dështuar të veprojnë në këtë mënyrë për shkak të presioneve të shumta politike nga qeveria aktuale, dhe jo vetem mediat televizive por edhe ato si portalet dhe rrjetet sociale.

Mediat tradicionale janë të kufizuara nga interesat e ngushta. Si pasojë, opozita duhet të gjejë kanale alternative për të përçuar mesazhin e saj. Partia Demokratike po shfrytëzon platformat dhe mundësitë e mediave sociale, platformave të pavarura online, aplikacioneve për komunikim direkt me qytetarët, podcasteve, blogjeve, dhe livestream-ëve por edhe këto po modifikohen me “shadowban”, ku asnjë nga postet e opozitës nuk duken as nëpër rrjetet tona sociale. Lind pyetja dhe sa do të zgjase kjo problematikë dhe si mund të zgjidhet?

Kjo problematikë e lidhur me intimidimin dhe dobësimin e medias në Shqipëri ka ndikime të drejtpërdrejta për Partinë Demokratike dhe për fushatën zgjedhore të vitit 2025. Në një klimë ku media është e kontrolluar ose e censuruar, opozita përballet me sfida për të shpalosur politikat dhe qëndrimet e saj, duke kufizuar kështu aftësinë për të fituar mbështetje të gjerë. Një media që nuk është e lirë ose e paanshme mund të favorizojë partinë në pushtet duke ofruar më shumë mbulim pozitiv për qeverinë dhe më pak hapësirë për Partinë Demokratike. Kjo krijon pabarazi në fushatë dhe ul shanset për një debat të drejtë dhe të ndershëm publik. Media luan një rol të rëndësishëm në edukimin e votuesve mbi çështjet politike, politikat dhe programet e partive. Kur media nuk është e lirë dhe profesionale, votuesit nuk kanë qasje të plotë në informacion të saktë dhe të paanshëm. Kjo dëmton procesin demokratik, pasi votuesit marrin vendime të bazuara në informacione të pjesshme ose të shtrembëruara. Partia Demokratike angazhohet për të garantuar lirinë e medias dhe transparencën, duke e konsideruar atë si një mjet për të thënë problemet e vërteta të qytetarëve dhe jo për t’i fshehur ato përmes propagandës. Një media e lirë garanton që problemet e vendit të adresohen, jo të fshihen, dhe kjo është thelbësore për një fushatë zgjedhore të ndershme dhe të lirë.

Është e domosdoshme një fushatë ndërgjegjësimi për qytetarët që të kuptojnë manipulimin që ndodh përmes mediave të blera ose të shantazhuara. Vetëm një popull i informuar mund të votojë me vetëdije të plotë për të ardhmen e tij. Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për manipulimet e mediave dhe të kërkojnë informacion të besueshëm dhe të verifikueshëm. Sugjeroj një fushatë ndërgjegjësimi për qytetarët që të kuptojnë sa rëndësi ka një media e lirë për zgjedhjet e drejta dhe për të shmangur manipulimet e përhapura nga qeveria përmes mediave të kontrolluara. Ku rritja e pensioneve me 4.1 përqind propagandohet si arritje e madhe dhe ku rritje e inflacionit, e çmimit të dritave, të taksave, të qerave e ushqimeve të shportës etj …as nuk përmenden.

Shqipëria ka potencialin për të ndërtuar një media të lirë, ku qytetarët të kenë akses në informacion të vërtetë dhe të paanshëm. PD është e impenjuar ta garantojë këtë liri dhe të luftojë për një vend ku e vërteta nuk mund të blihet. Por ky potencial mund të realizohet vetëm përmes përpjekjeve të opozitës, mediave të ndershme dhe shoqërisë civile. Ftoj dhe shoqërinë civile të na bashkohet në një fushatë ndërgjegjësimi dhe informuese ose në luftën kundër manipulimit të mediave.

Vetëm përmes një media të lirë dhe të pavarur mund të ndërtojmë një demokraci të shëndetshme, ku qytetarët kanë akses në informacion të besueshëm, ku abuzimet e pushtetit nuk mbeten të fshehura dhe të sigurojmë që zëri i opozitës dhe i qytetarëve të dëgjohet pa pengesa dhe pa trasformime. Partia Demokratike është e përkushtuar për të garantuar lirinë e medias dhe transparencën, duke e parë si një mjet kyç për një fushatë zgjedhore të ndershme dhe për një qeverisje më të drejtë. Duhet të luftohet manipulimin për të sjellë në dritë të vërtetat e fshehura që ndikojnë jetën e qytetarëve shqiptarë.

About Redaksia

Check Also

Sali Berisha është sot në misionin e tij më të rëndësishëm!

Nga Nikola KEDHI Sali Berisha është padyshim figura kryesore politike e tri dekadave të fundit, …