“Financial Times”
Plani i diskutueshëm i kryeministres italiane Giorgia Meloni për të dërguar azilkërkuesit e shpëtuar, nga Deti Mesdhe në Shqipëri, ka hasur në një pengesë serioze pasi një gjykatë e imigracionit në Romë refuzoi dërgimin në offshore të grupit të parë të emigrantëve.
Në vendimin e saj, seksioni i imigracionit i gjykatës së Romës vendosi që 12 emigrantët meshkuj që mbahen në Shqipëri, me origjinë nga Bangladeshi dhe Egjipti, “kanë të drejtë të dërgohen në Itali” për shkak të “pamundësisë së njohjes së shteteve të origjinës së të ndaluarve” nga personat si “vende të sigurta”.
Gjykata u bazua në një vendim të fundit nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, e cila vendosi më herët këtë muaj se vendet nuk mund të konsiderohen “pjesërisht të sigurta” me qëllim dëbimin. Një zyrtar italian konfirmoi se 12 emigrantët do të silleshin në Itali për përpunim të mëtejshëm.
Vendimi është një pengesë e sikletshme politike për Melonin, e cila ka promovuar skemën e saj për mbajtjen e azilkërkuesve të mundshëm në qendrat në Shqipëri, si një mjet për të përmbushur zotimin e saj për të reduktuar fluksin e emigrantëve të parregullt nga i gjithë Mesdheu. Plani i saj, dhe premtimi për përpunimin e kërkesave për azil në offshore, ka tërhequr interes të madh ndërkombëtar.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e ka përshkruar atë si një shembull nga i cili mund të nxirren mësime. Edhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer së fundmi i ka kërkuar Melonit në Romë më shumë detaje. Meloni shprehu shqetësim për vendimin, por këmbënguli se do të ishte vetëm një pengesë e përkohshme.
“Italianët më kanë kërkuar të ndaloj emigracionin e paligjshëm dhe unë do të bëj më të mirën”, – tha ajo gjatë një udhëtimi zyrtar në Liban. “Më vjen keq që në një kohë kur e gjithë Evropa po shikon diçka që Italia po përpiqet të bëjë, ne po përpiqemi, si gjithmonë, t’i fusim shkopinj në rrota”.
Meloni tha se ajo kishte thirrur një mbledhje urgjente të kabinetit të hënën për të diskutuar se si do të kapërcehen pengesat e reja ligjore. “Unë nuk mendoj se është kompetencë e gjyqtarëve të përcaktojnë se cilat vende janë “të sigurta” dhe cilat jo. Kjo është kompetencë e qeverisë. Ndoshta qeveria duhet të sqarojë më mirë se çfarë do të thotë një vend i sigurt” – tha ajo.
Italia ka shpenzuar deri më tani të paktën 60 milionë euro për ndërtimin dhe pajisjen e qendrave shqiptare, të cilat zyrtarisht nisën funksionimin të mërkurën me mbërritjen e 16 emigrantëve të parë. Nga ai grup i parë, i përzgjedhur mes qindra njerëzve të shpëtuar në Mesdhe nga autoritetet italiane ditët e fundit, 4 u konsideruan menjëherë të papërshtatshëm për t’u mbajtur në Shqipëri dhe u dërguan në Itali, 2 të cilët mendohej se ishin të mitur dhe 2 për arsye mjekësore.
Senatori Lucio Malan, anëtar i partisë së djathtë të Melonit, “Vëllezërit e Italisë”, e quajti “skandaloz” urdhrin e gjykatës për të dërguar 12 emigrantët e mbetur në Itali.
“Disa magjistratë të politizuar kanë vendosur se nuk ka vende të sigurta të origjinës” – shkroi në X senatori, i cili është pjesë e komitetit të marrëdhënieve me jashtë të senatit. “Është e pamundur të ndalosh ata që hyjnë ilegalisht; është e ndaluar riatdhesimi i emigrantëve të paligjshëm. Ata do të donin të shfuqizonin kufijtë e Italisë. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, shtoi ai.
“Lega” e ekstremit të djathtë, partia e zëvendëskryeministrit Matteo Salvini, e quajti vendimin e gjykatës “të papranueshëm”. Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi tha në një konferencë shtypi të premten pasdite se qeveria do të apelojë kundër vendimit në një gjykatë më të lartë.
Avokati Lorenzo Trucco, president i Shoqatës për Studimin e Ligjit të Imigracionit, përshëndeti vendimin duke thënë se “shteti ligjor kishte mbizotëruar mbi aktet e paligjshme” të qeverisë duke theksuar “absurditetin dhe padrejtësinë” e marrëveshjes Itali-Shqipëri.
Marrëveshja e arritur mes Melonit dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama vitin e kaluar i lejoi Italisë të ndërtonte dy qendra ndalimi emigrantësh në Shqipëri për të mbajtur deri në 3 mijë emigrantë, teksa autoritetet italiane përpunonin kërkesat e tyre për azil.
Marrëveshja specifikonte se qendrat do të mbanin vetëm burra të rritur të shëndetshëm nga vende që Italia i kishte konsideruar tashmë “të sigurt” për kthim të mundshëm. Ata që konstatohen se kanë kërkesa të vlefshme për azil do t’u jepet strehim në Itali, ndërsa ata që konsiderohen si emigrantë të paligjshëm do të kthehen në vendet e tyre të origjinës përmes një procesi të përshpejtuar.
Për t’u përgatitur për hapjen e qendrave, Italia në fillim të këtij viti caktoi 22 vende – përfshirë Bangladeshin dhe Egjiptin – si të sigurta për kthime me disa përjashtime, si për disidentët politikë nga Egjipti dhe njerëzit LGBT+ nga Tunizia.
Një gjykatë e BE-së u shpreh se ligji evropian nuk lejon që vendet të kategorizohen si “pjesërisht të sigurta”, gjë që i dha formë verdiktit të gjykatës së Romës. Rregullat e reja të BE-së do të hyjnë në fuqi në vitin 2026, megjithatë ato do të lejojnë që vendet të përshkruhen si “të sigurta me përjashtime për disa rajone ose disa kategori njerëzish”.
Italia po kërkon të avancojë zbatimin e asaj pjese të paktit të emigracionit dhe azilit, tha një diplomat i BE-së. Von der Leyen, në një letër drejtuar liderëve të bllokut këtë javë, u angazhua për ta çuar rishikimin e konceptit të “vendeve të sigurta” deri në vitin 2025.