Deklarata e zëdhënëses së antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
PR false e qeverisë Rama u demaskua edhe njëherë tjetër …
Në periudhën e zgjedhjeve të 14 Majit të vitit të shkuar ministria reklamonte rikonstruksionin e spitalit rajonal të Dibrës duke u shprehur se projekti ishte gati dhe shumë shpejt do të niste puna për rehabilitimin e plotë të tij..
Por në fakt sot pas 18 muajsh, jo vetëm puna nuk filloi, por dështoi për një afat të pacaktuar…
Kështu, në datën 19 Prill 2023 AK Drejtoria e Spitalit Rajonal Dibër shpalli procedurën me objekt: “Rikonstruksion i Spitalit Rajonal Dibër “Rrahim Xhika”, me fond 3.2 mil euro. Kjo procedurë RIKONSTRUKSIONI me fond limit me diferencë shumë të vogël me çmimin e referencës për metër katror të ndërtimeve të reja në këtë zonë, u anulua për shkak të vendimit të KPP nr.716, datë 3.8.2023 i cili konstatoi ndër të tjera:
Se autoriteti kontraktor nëpërmjet veprimeve të tij, ka vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e prokurimit publik, por në funksion të uljes së konkurrencës, ndaj ka vendosur t`i propozojë Agjencisë së Prokurimit Publik nisjen e hetimit administrativ për të gjithë zyrtarët përgjegjës.
Në datën 06 Shtator 2023 AK Drejtoria e Spitalit Rajonal Dibër rishpalli këtë procedurë për të cilën morën pjesë 10 ofertues dhe pasi u skualifikua oferta më e ulët, u shpall fitues një bashkim operatorësh që kishte një diferencë në çmim prej 268 mijë eurosh (me tvsh) me ofertën më të ulët. Kjo procedurë u anulua përsëri për të dytën herë me vendimin e KPP nr. 238/ 2024 Prot, date 06.03.2024 i cili vendosi përveç anulimit edhe:
6. T’i propozojë Agjencisë së Prokurimit Publik, nisjen e hetimit administrativ, për shkeljet e kryera nga të gjithë zyrtarët përgjegjës.
7. Kopja e këtij vendimi, t`i dërgohet për njoftim Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, si dhe Rrjetit të Koordinatorëve Kundër Korrupsionit.
Edhe pse KPP ka udhëruar për herë të dytë anulimin e procedurës me shkelje të shkruara e zeza mbi të bardhë, të përsëritura, vetëm për faj të zyrtarëve shtetërorë, nuk ka asnjë reagim zyrtar për penalizmin e përgjegjësve..
Titullarja e Autoritetit kontraktor Irini Shehu njëherësh kryetare e këshillit bashkiak Dibër, vijon me arrogancë të lejojë shkeljen e ligjit.
Kush mban përgjegjësi që nuk po kryhen punimet në Spitalin Rajonal Dibër, kjo vepër publike e domosdoshme për qytetarët e cila edhe pse u premtua të nisë punimet që në zgjedhjet lokale të Maj 2023, ka 18 muaj vonesë për faj zyrtarëve shtetërorë dhe nuk dihet sa do vijojë kjo vonesë?
Ligji i prokurimit publik neni 21 pika 5 si dhe VKM respektive neni 73, ngarkon me përgjegjësi direkte Irini Shehun nga planifikimi deri te zbatimi i kontratës përfshirë keqmenaxhimin e fondeve publike.
Autoriteti ose enti kontraktor ka detyrimin të mirëplanifikojë në cilësi dhe në kohë fondet publike e nevojat e tij dhe të prokurojë e të zbatojë kontratën në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në këto kushte, Partia Demokratike kërkon nga prokuroria të nisë hetimin për Irini Shehun dhe të gjithë zyrtarët e tjerë të përfshirë në procesin e prokurimit dhe gjetur në shkelje nga Komisioni i Prokurimit Publik për:
Hartim të dosjes dhe vendosje të kritereve kualifikuese dhe specifikimeve teknike dhe jo në funksion të procedurës së prokurimit duke kufizuar me kast konkurrencën si dhe mosgarantimin e parimeve të detyrueshme në zhvillimin e procedurave të prokurimit publik.