Nga Gent STRAZIMIRI
“Trash valet” ose “kamerieri i plehrave”, është një shërbim pastrimi i personalizuar në qendrat urbane në perëndim, që ka për detyrë të mbledhë gjatë natës plehrat personale të banorëve të një lagjeje banimi.
Procesi është shumë i thjeshtë, rutinë:
* secili banor paketon plehrat e ditës në një thes të zi dhe, i le tek dera ose në trotuar brenda një ore të caktuar të mbrëmjes, në mënyrë që gjatë natës “trash valet” ose “kamerieri i plehrave” ta ketë më kollaj t’i mbledhë e t’i marrë me vete.
Është një shërbim shumë diskret, që kalon derë më derë pa prishur qetësinë e plehra-prodhuesit dhe prandaj e quajnë “valet”, një lloj kamerieri nate ose shërbyesi dhome, që përdoret ende sot në familjet e aristokracisë së lartë.
Pak a shumë si SPAK këtu tek ne!
Punon pa u lodhur kryesisht natën, pa u ndjerë, në qetësi, duke bërë xhiron rreth e qark Kryeministrisë, për të parë nëse Edi Rama ka nxjerrë ndonjë thes të zi me plehra që nuk i duhen, tek dera apo në rrugë.
Qëllon për javë të tëra që në vendin e caktuar Edi Rama nuk ka lënë asnjë thes të zi plehrash por, SPAK nuk mërzitet!
Ashtu në heshtje largohet, si çdo “trash valet” nëpër botë, në pritje të së nesërmes, në të njëjtën orë… kryesisht natën…
Por, ndodh edhe që Edi Rama të ketë nxjerrë një qese tek dera, fjala vjen të dielën në mbrëmje, në ditë pushimi…
SPAK, ky “trash valet” personal, është menjëherë aty, i gatshëm për ta marrë me vete në sekond, në mënyrë që të nesërmen Edi Rama të mos e gjejë tek dera kur të hyjë në zyrë…
Si çdo “trash valet”, as SPAK nuk i intereson se sa pis, është shtëpia brenda pragut!
JO!
Detyra e tij, si çdo “kamarier plehrash”, është të mbledhë ekskluzivisht plehrat në qesen e zezë që Rama ka nxjerrë tek dera, ato që nuk i duhen më…
Kaq!
Në kulturën qytetare të perëndimit, gjen forma të ndryshme të edukimit qytetar të fëmijëve, për të mos ta paragjykuar “kamarierin e plehrave” si profesion por, për ta respektuar si një shërbim të domosdoshëm në qendrat urbane.
Gjithësesi, larg së quajturit “hero i fëmijëve”…
Këtu tek ne edhe kjo është ndryshe, si në çdo deformim që na ofrohet si “kulturë perëndimore”…
Tek ne, SPAK-u, ky “trash valet” personal i Edi Ramës, është “heroi i fëmijëve tanë”.
Në perëndim, “trash valet” paguhet me një pagë modeste që përftohet nga kontributet e banorëve plehra-prodhues, aq sa secili që ka një adresë mund t’ia lejojë vetes shërbimin e tij, edhe një student, edhe një pensionist.
Këtu tek ne, “trash valet” personal të Edi Ramës, SPAK, e paguajmë ne me taksat tona, jo Edi Rama nga xhepi.
E paguajmë madje, më shumë nga ç’paguajmë Edi Ramën vetë, sepse supozohej që të ishte një “kompani pastrimi” që do të “higjenizonte” pa mëshirë zyrat e shtetit, duke nisur nga zyra e Edi Ramës… mirëpo jo, nuk ndodhi!
SPAK, si çdo “trash valet”, i bie rreth e qark godinave të pushteti, natën, pa u prishur qetësinë, në pritje të qeses së zezë të mbushur me plehra që qelben erë e, që pushtetit, Edi Ramës, nuk i duhen më… Të paktën ta respektojmë e ta paguajmë për aq sa bën, aq sa një “trash valet” kudo nëpër botë…
Deri atëhere – SPAK YOU –