Elda Hoti: Vendi ynë qeveriset nga një diktator, ndërsa lideri i opozitës mbahet në burg pa asnjë provë

Nga Strasburgu ku ndodhen para Parlamentit Evropian për të sensibilizuar eurodeputetët mbi demokracinë në Shqipëri, deputetja e PD, Elda Hoti tha se, vendi ynë tashmë qeveriset nga një diktator siç është Rama dhe që ka marrë peng Shqipërinë.

Gjatë një prononcimi dhënë pë gazetarin e Syri Tv, Ermal Rizaj që po ndjek nga afër ‘protestën’ e ligjvënësve demokratë atje, Hoti u shpreh se përgjimet nga SKY treguan se vendim-marrësit në Shqipëri janë bandat kriminale, që sipas saj udhëhiqen nga Rama.

Për ligjvënësen demokrate, është e pamundur të flasësh për demokraci funksionale në Shqipëri kur lideri i opozitës, Sali Berisha, deputeti Salianji dhe ish-presidenti Ilir Meta, janë burg dhe me dosje të stisura politikisht, pa prova e fakte.

Hoti nga Strasburgu paralajmëroi protestën e radhës së mosbindjes civile, që do të mbahet pasditen e 29 tetorit në Tiranë.

“Shqipëria sot qeveriset nga një diktator si Rama që ka marrë peng vendin, që u pa te përgjimet Sky, që vendosin bandat kriminale se  kush do bëhet deputet kush do qeverisë institucionet. Bandat e krimit të organizuar kanë marrë peng shqiptarët e vendin, Rama që e ka degraduar Shqipërinë.

Kemi thirrur protestën e radhës më 29 tetor me mosbindje civile. Rama paraqet një Shqipëri ndryshe, s’e kemi demokraci funksionale. Si të flasim për demokraci funksionale në Shqipëri kur kemi liderin e opozitës në burg pa fakte e prova, kur ka denoncuar korrupsionin në vend. Si të flasim për demokraci kur deputeti Ervin Salianji është në burg. Kur ish –presidenti arrestohet sikur të ishte mafioz e bandit, ndërsa bandat e kriminelët njoftohen e ikin nga Shqipëria.

Qytetarët ikin duke rrezikuar veten me gomone nga ky regjim. Jemi këtu për çdo padrejtësi ndaj çdo shqiptari e për të ndërgjegjësuar ndërkombëtarët për atë që po ndodh në Shqipëri”, tha Hoti.

About Redaksia

Check Also

Malltezi: Pisllëqe nën regjinë e Edi Ramës dhe kukullave të tij të emëruar në drejtësi!

Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi e ka quajtur ‘ballo me maska’ …