Operatori i Blerjeve të Përqëndruara është shprehur mjaft i shqetësuar se institucionet publike po caktojnë vlera të ulëta limit për tenderat, duke bërë që të dështojnë shumë procedura prokurimi. Përmes një shkrese zyrtare agjencia në varësi të Blendi Gonxhes thekson se autoritetet kontraktore shpesh u referohen kontratave të mëparshme për të caktuar fondin limit të tenderave, duke çuar në çmime të ulëta dhe mungesën e interesit të bizneseve për të garuar.
“Nga një analizë që ka bërë OBP mbi proçedurat që zhvillon ky institucion për autoritetet kontraktore përfituese ka rezultuar se përllogaritja e vlerës së parashikuar të prokurimit në shumë raste bazohet vetëm tek alternativa e kontratave të mëparshme, duke sjellë anullimin e procedurave të prokurimit pasi vlera e përrlogaritur nuk është një vlerë koeherente për tregun,” thotë OPB në një shkresë zyrtare drejtuar Autoriteteve Kontraktore.
Për këtë qëllim, OBP u ka bërë thirrje institucioneve publike që t’u referohen edhe metodave të tjera që parashikon ligji i Prokurimit publik për përcaktimin e fondit limit, siç janë çmimet e botuara nga INSTAT, studimet e tregut apo dhe çmimet ndërkombëtare të shpallura publikisht.
“Sa më sipër, sjellim në vëmendje që, për përllogaritjen e fondit limit, autoritetet të mbajnë në konsideratë alternativat e mësipërme, me qëllim që vlera e përllogaritur të jetë sa më reale me çmimet e tregut, duke nxitur kështu pjesëmarrjen dhe konkurrencën e operatorëve, si dhe duke shmangur anullimet, të cilat sjellin rritje të kostove administrative,” u bënë thirrje OBP autoriteteve kontraktore./Kapitali