Thirrje në gazetën “Dielli” në SHBA për komunitetin shqiptar: Bojkotoni Ramën!

Sokol PAJA
Pas disa ditëve në New York do të zhvillojnë një takim elektoral aktivistët e qeverisë, patronazhistët e partisë, rilindasit e 2013-tës dhe administrate shtetërore e Tiranës me kryeministrin Rama. Çdo shqiptar i Amerikës dhe diasporës duhet të refuzojë takimin me qeverinë më të keqe në historinë moderne të shtetit shqiptar. Shqiptarë të Amerikës, patriotë e atdhetarë respektojeni veten tuaj, refuzoni të takoheni me regjimin e “Tahirit, Beqes, Dakos, Tushes, Ahmetajt, Habilajve, Roshit, Bushit, Çyrbes, Nokës, Rakipit, Shukriut, Allës, Kokës, Gjicit, Xhafës, Peçit, Rrjepaj, Vodës, Avdylajve, drejtorëve të Ballukes” e dhjetëra drejtorëve e qindra abuzuesve e kriminelëve qeveritarë që vjedhin, zhvasin e grabisin pronat dhe paratë e shqiptarëve çdo ditë. Shfaqjet e neveritshme të spektaklit qeveritar duhet të refuzohen me përbuzjen më të thellë e neverinë e tejskajshme prej çdo shqiptari patriot në shenjë homazhi e revolte për shpopullimin e Shqipërisë dhe 1 milion shqiptarët që largoi qeveria Rama nga Shqipëria në 11 vite keqqeverisje.
Skandalet e njëpasnjëshme shtetërore arritën kulmin kur para disa ditësh u zbulua një akt i tmerrshëm e skandaloz në Parlamentin e Shqipërisë sesi deputeti i Partisë Socialiste në pushtet Jurgis Çyrbja prej 8 vitesh në Parlamentin e Shqipërisë u shërbente bandave më të rrezikshme në Ballkan të instaluara në Durrës dhe Shijak nëpërmjet aplikacionit “Sky-Ecc”. Deputeti që shet sekretet e shtetit dhe orkestron bandat në fushatë për të mbledhur vota për Partinë në pushtet, kjo nuk duhet të ndodhë në një asnjë vend të botës së 17-të e jo më me një shtet që sapo ka çelur kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian. Fenomeni “Çyrbja” i orkestruar nga qeveria në pushtet është shtrirë në çdo qark nga Shkodra, në Fushë-Krujë, Shijak, Durrës, Elbasan, Tiranë, Dibër, Fier e Vlorë. Qeveria dhe krimi janë simbiozë e shkëlqyer. Parlamantarë e të zgjedhur vendorë që fatkeqësisht i shërbejnë krimit të organizuar në vend që ti shërbejnë institucioneve dhe qytetarëve të Republikës. Të fortët me mbështetjen e partisë socialiste caktojnë deputetët e zonës, zgjedhin kryebashkiakun, caktojnë tenderat publikë dhe përcaktojnë fatet politike, ekonomike, demografike e sociale të qyteteve në Shqipëri.
Qeveria është dorëzuar para krimit të organizuar. Nën ethet e pushtetit dhe grabitjes së mandatit të katërt Rama po organizon takime hipokrizie me diasporën. Rama fton të takojë ata që vetë i ka dëbuar, një hipokrizi dhe paftyrësi. Qeveri që ngjall turp dhe neveri. Shqiptarët duhet me çdo mjet dhe çdo formë ta refuzojnë qeverisjen kriminale të Edi Ramës i cili për 11 vjet ka shkatërruar Shqipërinë në çdo aspekt.
Rama premtoi legalizime falas, jo vetëm që dështoi të kryejë procesin, por Kadastra Shtetërore është institucioni më i korruptuar në planet. Premtoi shëndetësi falas, njerëzit sot vdesin nëpër spitale pa ilaçe dhe shërbime. Shëndetësia është tmerri dhe fatkeqësia e shqiptarëve me superskandalet si “Onkologjiku”, “Sterilizimi”, “Check-Up” e vjedhje të tjera galopante nga njerëz të lidhur me qeverinë. Premtoi luftë kundër krimit të organizuar, fatkeqëisht sot policia dhe nstitucionet që duhet të luftojnë krimin, janë vënë në shërbim të së keqes. Premtoi rritje të ekonomisë, fatkeqësisht rriti borxhin publik. Premtoi zhvillim të arsimit dhe me qindra shkolla u mbyllën dhe universitetet në rrethe po ashtu. Premtoi ulje taksash dhe fatkeqësisht taksat për shqiptarët u rritën. Atëherë për çfarë na duhet një kryeministër që ka dështuar për 11 vjet në çdo aspekt? Jo të dashur shqiptarë, jo vetëm që refuzojeni por ndëshkojeni me votë keqbërësin Rama dhe eskortën e tij të patronazhisto-aktivistëve. Të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt e më të ngushtë të Ramës gjenden pas hekurave dhe Rama nuk ka asnjë moral që të drejtojë më Shqipërinë.
Edi Rama dhe sekti i tij rilindas i kanë sjellë pasoja të tmerrshme Shqipërisë në ekonomi, arsim, siguri kombëtare, keqmenaxhimin e aseteve kombëtare e shtetërore. Shpopullimi i Shqipërisë, burgosja e opozitës, shpartallimi i shtetit ligjor, kontrolli i medias, presioni i vazhdueshëm mbi drejtësinë dhe skandalet e njëpasnjëshme si rasti “Xhaçka” ku partia – shtet shpërfill Gjykatën Kushtetuese duke mbrojtur mandatin e deputetes në papajtueshmëri me Kushtetutën, tregojnë gjendjen e Shqipërisë dhe katandisjen prej socialistëve.
Partia – shtet ka kryefjalë të vetme vjedhjen e çdo qindarke publike. Korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, vjedhjet masive në çdo ministri e drejtori, ku “rrugët” dhe “tatimet” janë ferri, tmerri dhe gropa e zezë e parasë publike. Zhvatja është kthyer në sistem. Qelizat e partisë dhe të qeverisë janë kalbur totalisht. Shteti ka rënë. Partia është kthyer në shtet dhe shteti në parti individuale. Shteti ka rënë nën thundrën e partisë-pushtet-shtet. Vjedhjet e abuzimet janë kryefjala qeveritare që iu serviret në menu shqiptarëve. Mjafton të përmendësh “Inceneratorët”, skandalin e shekullit të vjedhjes së shqiptarëve prej qeverisë dhe të luftosh me çdo mjet dhe formë të keqen kombëtare që kryesohet nga Edi Rama. Është jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët largimi i Edi Ramës dhe sektit të tij të grabitqarëve dhe ardhja në drejtimin e shtetit të një frymë të re, mentaliteti të ri e gjaku të ri politik e patriotik në politikën dhe institucionet shqiptare. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë reforma, shtet të së drejtës, zhvillim dhe dërgimin para drejtësisë të kryeministrit Rama dhe klanit të tij qeveritar.
Gazeta Dielli dhe Federata Vatra janë institucione kombëtare që qëndrojnë mbi partitë dhe individët, kurse qëndrimet individuale janë qëndrime personale të autorëve në respekt të lirisë së shtypit dhe informimit. Vatra është e unifikuar rreth misionit dhe qëndrimit të saj të palëkundur patriotik, kombëtar dhe vizionar të kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha, Kryesisë dhe Këshillit të Vatrës.
Artikull i publikuar në gazetën “Dielli”

About Krye Redaktor

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …