PD përballë retorikës së simulimit: Denjësisht në fatin e Të Fortit

Pranvera SHEHAJ

Faji ynë ndaj vetes është kur tjerrim për të një këndvështrim të frymëzuar nga verbi (fjala) e armiqve, kur në fakt e vërteta për unin tonë fshihet në veprimet e tyre!” Furtunat politike kanë si pasojë të drejtpërdrejtë humbjen e vigjilencës ndaj mjetit që mbart fuqinë dhe peshën e politikëbërjes: verbi politik, fjala. Fjala, mesazhi i saj, ka përcaktuar fatet e popujve, ka rrëzuar dhe ngritur personazhe në piedestalin e kujtesës, ashtu sikurse ka udhëhequr dhe fituar luftëra pa asnjë armatim konvencional. Andaj, mjeshtëria e fjalës, siparakusht për protagonizmin politik, nuk mësohet rrugës e nuk e lejon mëshirën ndaj vetes, sepse skena politike është arenë titanësh për të cilën duhet të jesh gati dhe në të cilën në fund nuk ka vend për dy. Fjala në politikë ka të tillë forcë mjegullon edhe veprimet.

I marri që vret të vdekurit.

Verbi politik i kryerilindasit i shërben asaj që dua ta quaj “retorika e simulimit”. Ai simulon, mashtron përmes shprehjeve fiktive në çdo komunikim publik duke patur siqëllim imponimin e një mendësie false për kundërshtarin.Përmbledhur shkurt, kryerilindasi e mbështet verbin e tij politik mbi tre shtylla: linçim, mimizim, psikologji negative. Ndërsa dy të parat janë të qarta në qëllim, psikologjia negative ushqen thirrjen e asaj që ai mendon se opozita vetë i druhet, pafuqisë dhe dobësisë. “The master of perverse game” përdor fuqinë e verbit politik dhe ia del që vetëm përmes fjalës të bëhet autor i kurimit të një imazhi fals të opozitës.Terminologjia është e larmishme, me në thelb ‘të vdekur, të mbaruar‘ e shumë të tjera të cilat unë nuk dua t‘i risjell, sepse kërkon shumë errësi të brendshme për t’i artikuluar të gjitha.Por, si në një absurd që vetëm metodika e tij mund ta prodhojë, veprimet i ka në çekuilibër dhe kundërshti të plotë me retorikën e simulimit. Në një luftë të drejtësisë lefto-globalo-alla Popper, gjithë shfrenesia e makutërisë së tij është lëshuar në spastrimin e kundërshtarit politik. Përpos shijes së absurdit në pamje të parë, le të jemi të sinqertë me të vërtetën e ta themi se nuk është boshe si taktikë e dyfishtë: shpërfill me verb, merr seriozisht me veprim.

Unë nuk kam patur kurrë asnjë frikë të mendoj mesa mundem me mendjen e atij që konfliktoj ose anatemoj, kushdo qoftë, në çdo rrafsh, sepse për mua, e vërteta, imuniteti nga mashtrimi dhe në fund zgjidhja, fillon vetëm nga aty. Në këtë rast, përtej grackës së retorikës së simulimit dhe hipnozës së fjalëve, duke menduar edhe fare pak me logjikën e autokratit, tre skenarë mendimi të orienton kjo taktikë e dyfishtë: Së pari, nëse do ta besoja se kundërshtari është vërtet një opozitë e lëshuar dhe shkalafitur në qëllim dhe formë, do ta shijoja të paturin e saj në qarkullim. Ajo duhej të ishte aty në rolin e atyre që i bëjnë hije tokës duke legjitimuar fuqinë time; Së dyti, të vobektit do të më duheshin si orendi politike për ‘democratic legacy’, nëse isha i sigurt në absolutizmin tim për fitore si ajo që më duhet;Së treti, nëse përpos faktit se realiteti më paskishte bindur se opozita është ajo e pafuqisë dhe dobësisë, do të ndërmerrja(ose ekzekutoja) pa kthim një masakër politike spastruese, këtu do të nisnin pikëpyetjet për veten: marri deri çmenduri, paranojë së cilës nuk i ka shpëtuar dot asnjë tiran, plagë psikologjike të pashëruara të së shkuarës, simptoma sadizmi të manifestuara në vrasjet e mëtejshme të kufomave politike, apo çfarë?

Në të tre skenarët e mendimit, konkludoj se vetëm një i marrë do të investonte shpirtin politik në zhdukjen e një kundërshtari pa asnjë valencë politike. Kryerilindasi nuk është i marrë në atë kuptim literal dhe çdo veprim i tij dëshmon se ka përballë një korpus politik mëse të gjallë, ndaj projektimin e vetes si i sigurtë në forcën e tij, autokrati e ka vetëm iluzion verbal.

Për rrjedhojë, si potencial faktik dhe i vetëm nga i cili kalon çdo skenar për rrëzimin e autokracisë jo më elektorale, por personale (personalistic autocracy), demokratët sot duhen vrarë politikisht. Duhen vrarë për arsye që renditen në një segment ekstremitetesh, prej frikës së autokratit se është aq fiktiv elektoralisht sa edhe “të vdekurit në verb” ia shkërrmoqin kështjellën, deri tek arsyet matematikore të nevojës për një shumicë absolute kushtetuese, në fund me synimin pse jo edhe 140. Cilado qoftë arsyeja në këtë spektrum arsyesh, demokratët duhen vrarë jo për shkak të verbit dhe imazhit të simuluar, por vetëm si të fortë, ndaj si të tillë, demokratët duhet t’i nënshtrohen fatit të tyre.

Denjësisht, në lartësinë e fatit të të fortit.

Detyrat më të mëdha nuk i zgjedhim, ato na ngarkohen sepse për atë që jemi, na përkasin. Prej tashmë thuajse një viti, të ftuar në një luftë të hapur me autokratin, prej arrestimit të liderit të demokratëve dhe sekuestrimit të çdo shtegu për garë të barabartë, demokratët pësojnë persekutim të vazhdueshëmpolitik. Kjo për mua do të thotë se ata i nënshtrohen fatit të të fortit, me peshë të fortë elektorale, patriotike dhe historike. Çdo veprim i autokratit dhe skuadrës së tij të huaj e shqiptare, i imponon ata si të fortë, të pabindur, rebelë që në qarkullim mbeten rreziku i vetëm. Goditet i forti, sulmohet i forti, targetohet i forti, luftohet i forti, valenca e tij, rrezikshmëria e tij. Për rrjedhojë, çfarë mentaliteti të strategjisë së aksionit imponon ky lexim i fakteve?

Më shumë goditesh, më faktik je në forcë, ndaj ky terren politik për shumë prej nesh i parë si fatalist, kthehet në favor për t‘u imponuar dhe pozicionuar si i fortë. Kjo nis sërish prej fjalës: shkëputja radikale nga gjuha e ankesës dhe viktimizimit. Viktima ngjall keqardhje, por jo mbështetje. Nuk ka asnjë risi në faktin që autokratët censurojnë dhe më pas masakrojnë politikisht kundërshtarin real, faktik dhe të fortë. Risia qëndron tek përgjigjia.
Braktisja radikale e çdo mbledhjeje mediatike ku anatemohet forca e opozitës dhe prevalon retorika e simulimit. Veprimet autokrati i kryen në terren, arrestimet dhe burgosjet në prokurori e gjykata, vjedhjet në zyra shtetërore, spiunazhin dhe patronazhimin në seli. Ky është terreni ku ne goditemi si të fortë dhe aty duhet të jemi.
Edhe kur na duhet të qëndrojmë në verb politik, reagimi verbal nuk duhet të jetë ai i viktimizimit, por i gjuhës radikale të hakmarrjes me leksik politik dhe kur me ngulmkërkohet, edhe me leksik parapolitik. Përtej kësaj përgjigjeje, hapësira mediatike na duhet vetëm për mobilizimin në terren dhe thirrje të demokratëve dhe qytetarëve në planin e veprimit.
Përgjigjia jonë nuk mund të jetë shproporcionale disavantazhuese në metodikë dhe forcë. Armës nuk mund t’i përgjigjesh me penë dhe anasjelltas. Na duhet të operojmë në një rrafsh përshkallëzues progresiv në tre aspekte: braktisje të retorikës së viktimizimit → ndërtimi i retorikës së hakmarrjes dhe kërcënimit ultimativ →ekzekutimi i hakmarrjes në terrenin politik (kjo nis prej votës së lirë si nevojë jetike përmes përballjes me patronazhistët; tek liria dhe shkompleksimi për të shkuar përtej autokratit, tek furnitorët e tij ekonomikë; deri tek të gjitha format e mosbindjes civile dhe paqetësisë së jetës në vend që na çojnë në kolaps institucional, ekonomik dhe shoqëror).
Vazhdimësia e zinxhirit në veprimtari. Ne duhet të veprojmë si të ngarkuar me të njëjtën peshë dhe rol në këtë luftë, që nënkupton jo nën monopol varësie nga lidership-i. Lideri historik i demokratëve është nën arrest, ne ende jo. Nëse ka një monopol mësimi që i takon vetëm atij, është shpikja e mekanizmit për të vazhduar betejën me mjete alternative, pa e braktisur në asnjë sekondë, përtej së mundurës. Kjo rrit peshën dhe përgjegjësinë për çdo deputet, drejtues politik, kryetar dege, demokrat dhe në fund militant. A po bën, a po bëjmë përtej së mundurës?
Është padyshim pjesë e përgjigjies përçimi i realitetit në institucionet ndërkombëtare dhe ndërkombëtarë, sepse minimalisht, ndërhyrja e tyre mund të pengojë autokratët të shkojnë deri tek mohimi i të drejtave civile, hap i cili vdes edhe shpresën e fundit të reagimit të masës. Megjithatë, ky aspekt duhet të jetë vetëm komplementar dhe kurrsesi nuk mund të zëvendësojë aksionin brenda vendit. Që Shqipëria duhet të shpresojë vetëm nga vetja, e kemi amanet nga mendje më të ndritura se ne sot.

Prej këtij leximi dhe nevojës për t‘iu përgjigjur veprimeve, duke tejkalur retorikën e simulimit dhe duke e përdorur këtë armë të kalibrit të rëndë, verbin politik, si mjet për parashtrimin e terrenit të forcës, si demokratë, ne duhet ta meritojmë denjësisht e ta ekzekutojmë siç na ka hije fatin e të fortit.

Detyra e fatit sot thërret, historia nesër e përjetë gjykon!

Artikull i shkruar në kuadër të “Laboratorit të Ideve”, Departamenti Brain Gain, Partia Demokratike

2

About Krye Redaktor

Check Also

Ata që nuk kënduan…

Nga Lutfi DERVISHI Çfarë do të ndodhte nëse do të reagonim po aq shpejt dhe fuqishëm …