Për “mikun” që vret në emër të Evropës…

Nga Iva V.GRILLO

Pohimi i Kryeministrit shqiptar se ai dhe shqiptarët që përfaqëson janë gati të vrasin në emër të mikut (Evropës dhe zonjës Von Der Leyen në këtë rast) është një nga deklaratat më skandaloze dhe më vetëdemaskuese të bëra ndonjëherë publikisht në një takim zyrtar të këtij niveli.

Se sa e papërshtatshme dhe inkriminuese ështe si deklaratë u kuptua qartë nga reagimi i sikletshëm i përfaqësuesve të Komunitetit Europian dhe Kolegjit të Evropës, reagim që filloi me zgurdullim sysh, vazhdoi me një ngrirje të shprehjes së fytyrës dhe përfundoi me një të qeshur nervoze në pērpjekje për të mbuluar gafën që ndyn dhe inkriminon gjithëkënd që u ndodh në atë hapësirë komunikimi.

Në çdo vend dhe kohë tjetër, ky pohim do t’i kishte kushtuar karrierën jo vetëm atij që e deklaroi por edhe atyre që e pranuan dhe normalizuan duke e kaluar si një “batutë pa kripë” që krijoi disa të qeshura nga halli.

Por jemi në Shqipëri… “where anything goes…” (çdo gjë pranohet…)

Nuk është e qartë nëse pohimi se Shqipëria (kryeministri në këtë rast) për mikun vret ishte një mesazh i paramenduar apo një rrëshqitje padashje në impulset bazike të kryeministrit.

Në të dyja rastet mesazhi është katastrofik jo vetëm si pjesë e komunikimit, por edhe si skaner i konceptit që ka kryeministri për marrëdhënien midis tij dhe përfaqësuesve të komunitetit europian.

1). Nëse ishte mesazh i planifikuar për t’u dhënë në atë formë, atēherë pyetja bazike është:

Përse Kryeministri shqiptar po i jep Bashkimit Europian një mesazh të stilit mafioz?! Për çfarë vrasjesh vetëofrohet Kryeministri shqiptar ose më mirë, çfarë i është kërkuar të bëjë që e detyron atë të shprehë në mënyrë kaq primitive besnikërinë e vet, duke i siguruar edhe për fitimin e majmë të “investimit” të tyre?!

Në këtë rast përfaqësuesit e BE do të duhet të japin një sqarim apo bëjnë një distancim për mesazhin e koduar mafioz që implikon edhe ata.

2). Nëse mesazhi ishte një “lapsus” në vazhdën e përroit psikik që karakterizon narrativën e Kryeministrit shqiptar, këtu jemi në ujërat e mospërmbajtjes së impulsive dhe instikteve bazike të tij, të cilat përsëri janë shumë serioze dhe do të duhej të provokonin një reagim të menjëhershëm të përfaqësuesve te Evropës, drejtuesve të Kolegjit po aq europian (mesa na thonë) por edhe të stafit pedagogjik.

Kushdo që tenton apo do të tentojë t’a kalojë këtë pohim si një batutë të zakonshme të Kryeministrit, do të duhet të kujtohet se në një botë që është nën zjarrin e luftës dhe në një Shqipëri ku atentatet politike ndaj opozitës nuk kanë të ndaluar, ky pohim vetëm batutë nuk mund të jetë.

Maska e kryeministrit ka rënë…

Po kështu dhe maska e atyre që normalizojnë mesazhet e stilit mafioz të një politikani sociopath.

#stopdoublestandarts

#StopFarsesRama

About Redaksia

Check Also

Berisha: Regjimi fliste çdo ditë për demokratiziminë, por vriste të rinjtë, të cilët niseshin për të kaluar në botën e lirë

Në marshimin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, Kryetari i Partisë Demorkatike, Prof. Dr. Sali …