I pyetur nga gazetarët në lidhje me deklaratat e bëra nga diplomatët e huaj se drejtësia në Shqipëri ka probleme, por reforma duhet të vazhdojë, dhe duke cituar edhe ish-ambasadoren Yuri Kim, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se, kjo e fundit është bashkëautore në grushtin e shtetit që iu bë opozitës.
“Mua më vjen keq që ju citoni korrupto-ambasadoren Juri Kim, e cila, së pari duhet të jemi patriotë, një njeri që u serviri shqiptarëve barin si diktatori Enver hoxha, tregoi një përçmim racist ndaj qytetarëve shqiptarë.
Një njeri që quajti heronjtë e fëmijëve tanë, monstra të vërteta që nuk njohin Kushtetutë, nuk njohin Konventë Europiane të të Drejtave të Njeriut, nuk njohin ligjet e vendit përveçse urdhrat e padronit të tyre, që i lëpijnë dhe këpucët dhe çizmet, nuk mund të citohet më në asnjë mënyrë.
Ajo është bashkëautore në grushtin e shtetit që iu bë opozitës shqiptare në një rast mbi baza kryekëput korruptive.
Besoj se për ju e çdo shqiptar, sot është bërë e qartë se shkaku madhor i shpalljes non-grata të Sali Berishës qëndronte në mbrojtjen nga ai të interesave kombëtare dhe denoncimit nga ai të korrupsionit të narkoqeveritarëve shqiptarë dhe diplomatëve të korruptuar ndërkombëtarë.
Besoj se finalizimi i hetimit, ku nxori si akt të korrupsionit pasiv, mercenarët e Skapit nxorën pagesat që ime bijë ka bërë për mua nga burime 100 përqind transparente dhe të deklaruara në organet shtetërore për një vakancë të përbashkët, për një ndërhyrje shëndetësore, apo huaja për një proces gjyqësor ku ajo është palë, dëshmoi fytyrën e vërtetë të mercenarëve të Skapit dhe shkallën e korrupsionit transnacional të atyre që morën pjesë në këtë akt.
Kjo drejtësi funksionon për shqiptarët dhe sot shqiptarët kanë drejtësi të munguar, dhe ajo që citoni ju, ka larë duart.
Unë i bëj thirrje me këtë rast Departamentit të Drejtësisë të SHBA të ndërmarrë një hetim për rolin e saj në këto procese.
I bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë së SHBA të ndërpresë çdo ndihmë për struktura të inkriminuara në çdo qelizë dhe të kontrolluara fund e krye nga Edi Rama dhe krimi i organizuar në Shqipëri.
Këto që them unë nuk mund të vlerësohen nga ato që thotë dikush tjetër. Ju keni të drejtë të më kërkoni fakte për këto, dhe unë disponoj fakte dhe dokumente zyrtare që janë të padiskutueshme”, tha Berisha.