Teliti: Përveç luksit edh PPP-ve, paratë e buxhetit po bëhen gati për hedhur politikisht në fushatë

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti në një konferencë për mediat nga selia e PD është shprehur se në raportimet e fundit të qeverisë, konkretisht treguesit e ecurisë fiskale të 9 muajve të parë të vitit, shihet qartë filozofia qëllimisht e gabuar e KM Rama në menaxhimin e financave publike dhe orientimin e fondeve aty

 Deklarata e këshilltarit për çështjet ekonomike në PD, Dorian Teliti:

Të dashur qytetarë!

Në raportimet e fundit të qeverisë, konkretisht treguesit e ecurisë fiskale të 9 muajve të parë të vitit, shihet qartë filozofia qëllimisht e gabuar e KM Rama në menaxhimin e financave publike dhe orientimin e fondeve aty. Synohen dëshirat e pushtetarëve dhe jo nevojat e shqiptarëve. Me dorë të hekurt vepron qeveria për të marrë çdo qindarkë nga xhepat e shqiptarëve dhe sipërmarrjes, por asnjë vullnet dhe iniciativë për t’i rikthyer këto para në ekonomi kur duhet e siç duhet.

Qeveria në 9 muajt e parë të vitit ka arkëtuar 510 milionë euro më shumë të ardhura krahasuar me 9 mujorin e 2023.

Kush përfitoi? Ku shkuan këta miliona?

Qindra milionë u paguan për tenderimet pa garë të qeveritarëve dhe miqve të oborrit të Surrelit? Miliona të tjerë shkuan për koncesionet e PPP-të korruptive, për lukset e shfrenuara qeveritare.

Konsumatori humbi. Çmimet vazhduan rritjen, jetesa është bërë e papërballueshme dhe, sipas Eurostat, gjysma e popullatës sot jeton e zhytur në varfëri.

Sipërmarrja dhe biznesi i vogël humbën. Falimentimi ka qenë kryefjala e mijëra bizneseve shqiptare në 9 muajt e parë të vitit. Ata që vuajtën më shumë ishin prodhuesit shqiptare, të cilët ndonëse nuk reshtën së kërkuari ndihmën e qeverisë, sidomos për ti bërë ballë euros së zhvlerësuar, nuk morën asnjë qindarkë mbështetje reale.

Fermeri humbi. I braktisur ishte, i braktisur vazhdon të jetë. Me subvencionet minimaliste, disa herë më të ulëta se rajoni, produktet e tyre nuk mbushin raftet e dyqaneve por vetëm kanalet ku hidhen.

Pronarët dhe ish të përndjekurit politikë humbën. 5.5 milionë euro më pak se vjet  u dhanë nga buxheti i shtetit për këto dy kategori të shoqërisë shqiptare.

Familjet në ndihmë ekonomike humbën. Jo vetëm qe nuk u rrit me asnjë qindarkë pagesa e ndihmës ekonomike për të përballuar rritjen e çmimeve, por qeveria shpenzoi 3.2 milionë euro më pak në financimin e 65 mijë familjeve të kësaj skeme sociale.

Pensionistët humbën.  Fituan vetëm talljen e qeverisë me gjoja indeksimet. Lajmi se prej 1 nëntorit do rritet edhe çmimi i bukës, si pasojë e vendimit të qeverisë dhe ERE-s për të rritur çmimin e energjisë të furrave të bukës, do të neutralizojë totalisht edhe atë gjoja indeksim lëmoshë të bërë nga qeveria 3 javë më parë.

Ku shkuan paratë e shqiptarëve atëherë në këto 9 muaj? Përveç luksit, përveç PPP-ve klienteliste e korruptive, paratë e buxhetit të shqiptarëve po bëhen gati për hedhur politikisht në fushatë, për të ndikuar vullnetin e votuesve dhe për të financuar prerjen e shiritave elektorale, jo aty ku ka nevojë ekonomia, por aty ku ka nevojë partia shtet.

Të nderuar qytetarë!

Pak ditë na ndajnë nga publikimi i projektbuxhetit 2025. Partia Demokratike parashikon që ky buxhet do të jetë tërësisht elektoral.

Ne kërkojmë që Projektbuxheti 2025 të jete buxheti që implementon minimumin jetik dhe zhduk varfërinë, që mbështet zhvillimin ekonomik të vendit, sipërmarrjen dhe familjen. Kjo qeveri nuk i bën se ka plane të tjera, por Partia Demokratike do t’i realizojë një më një.

Ju faleminderit!

About Redaksia

Check Also

“Kam 10 vite pa fjetur në krevat”, Pareshqevi Simaku u gjet duke fjetur mbi valixhe

Elvira Tata, gruaja që gjeti në rrugët e Amerikës ikonën e muzikës shqiptare, Parashqevi Simakun, …