Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka bërë një rezyme të takimit dy ditor të mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri.
Në postimin e tij në Facebook, Bardhi ka theksuar se kjo ishte një mundësi e mirë për opozitën për të shpalosur me vërtetësi situatën në vend.
Bardhi shkruan se, Shqipëria po kalon këtë 12 vjet regres në shtetin ligjor, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Gjithashtu kreu i GP të PD-së, u shpreh se duke i fshehur problemet themelore që po kalon Shqipëria dhe shqiptarët, nuk i shërben Shqipërisë dhe integrimit europian, por i shërben vetëm Edi Ramës dhe pushtetit të tij personal.
Postimi i plotë
Dy ditë të mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri ishin një mundësi e mirë për opozitën për të shpalosur me vërtetësi situatën në vend. Përtej propagandës së qeverisë, shqiptarët përjetojnë çdo ditë regresin që po kalon vendi. Shqipëria po kalon këtë 12 vjet regres në shtetin ligjor, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Procesi intengrimit europian të Shqipërisë ndihmohet duke qenë të vërtetë, duke mos i fshehur problemet, por duke i thënë ato me zë të lartë dhe duke u përpjekur për t’i zgjidhur e ndryshuar për mirë. E kundërta nuk i shërben Shqipërisë dhe integrimit europian, por i shërben vetëm Edi Ramës dhe pushtetit të tij personal.