Sonte në orën 18:30 te “Rruga e Shpresës”, tubimi i përnatshëm kundër burgosjes politike të liderit të opozitës, Sali Berisha shndërrohet në manifestim sensibilizues për gratë dhe rrezikun e kancerit të gjirit në kuadër të “Tetorit Rozë”. Organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas (LDG) dhe Partia Demokratike (PD), në këtë aktivitet, pjesëmarrësit do të përcjellin një mesazh sensibilizimi për kujdesin shëndetësor të grave. Me këtë rast është përgatitur edhe një spot që thekson rëndësinë e kontrolleve të hershme për parandalimin e kancerit të gjirit.
Ndërkohë, Berisha përmes një postimi në Faceook në kuadër të mbylljes së muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, iu bën thirrje të gjitha grave, zonjave e vajzave të bashkohen në tubimin e sotëm tek Rruga e Shpresës, pasi tubimi i sotëm do i kushtohet kësaj kauze.
“Nëse gratë janë të vetëdijshme, ato janë më të fuqishme!”, shkruan Berisha.
Postimi në Facebook
Nëse gratë janë të vetëdijshme, ato janë më të fuqishme!
Të dashur miq,
Ju ftoj të ndiqni këtë spot të realizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas në përmbyllje të muajit ndërgjegjësues për kancerin e gjirit!
Tubimi i sotëm në orën 18.30 tek Rruga e Shpresës do t’i kushtohet pikërisht kësaj kauze fisnike!