Kreu i PD, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët ka folur në lidhje me masakrën e regjistruar pasditen e djeshme në Dobraç të Shkodrës me 3 të vdekur dhe 1 të plagosur, ku shënjestra ishin Hamza Lici dhe Arlind Bushati, teksa viktima tjetër ishte aksidentale.
Berisha deklaroi se kjo masakër nuk mund të mos lidhet me vendimin e Edi Ramës për të kandiduar në Shkodër. Duke iu referuar një burimi jo shumë të sigurt, lideri demokrat tha se ka qenë një efektiv policie, ai i cili i ka nxjerrë në pritë Licin dhe Bushatin, duke iu devijuar rrugën
“Masakra e Shkodrës dje rëndom thuhet se pati mbështetjen e policisë, sepse kjo masakër ishte e paralajmëruar në mënyrë të përsëritur dhe organet bashkëpunëtorë të krimit, si Skrapi i partisë dhe policia, kishin çdo të dhënë për përgatitjen e saj. Nuk kam të sigurtë burimin, por duan të thonë, se në pritë i nxori dikush nga policia që u devijoi rrugën Licit dhe Bushatit. Kjo masakër nuk mund të mos lidhet me vendimin e Edi Ramës për të kandiduar në Shkodër. Edi Rama e di se ai është njeriu më i urryer nga Shkodra dhe Shkodranët. Edi Rama e di se për shkodranët, me trashëgiminë e tij të të atit xhelat komunist, me urrejtjen dhe ndërprerjen e të gjitha investimeve për 8 vite me radhë në këtë qytet, në Shkodër nuk do kush të ja dëgjojë emri. Edi Rama e di se ka vendosur në bashki, personin që shef kabineti të vërtetë ka Safet Bajrin. Edi Rama mendon se do të mposhtë Shkodrën me bandën e tij. E vërteta është se banda e Edi Ramës në Shkodër, Bajrit famoz dhe degët e tyre se nuk janë vetëm, tani përcakton vendimmarrjet në Tiranë dhe në Shkodër për këtyë qytet të bekuar. E vërteta është se kjo bandë kontrollon Edi Ramën, Spirogjokën, Ballën dhe Mondin e ka të vehtin. Por kjo bandë me në krye Edi Ramën nuk do të mund të mposhtë kurrë Shkodrën”, deklaroi Berisha.
Më tej, kreu i opozitës deklaroi se e gjithë Shkodra e di emrin dhe mbiemrin e atentatorit, duke hedhur akuza tek drejtuesit e Policisë në kryeqendrën e Veriut se janë në shërbim të krimit.
“Ai është ushtar i bandave. Se kush është atentatori me emër e mbiemër, Shkodra e di mirë. Shkodra e ka pa, e di mirë policia se kush i nxori në pritë. Por policia aty është, jo e tëra, nuk mund të them, por nga Mondi i Sulës, në fakt i Safetit më mirë të themi apo i Bariut, tek tjerë e tjerë me radhë, janë të gjithë në një mënyrë apo në një tjetër, anëtar bande. Pyeteni ministrin pak, pse nuk arrestuat atentatorin e shtatorit në zemër të qytetit. Jo se nuk e arrestuan, por as nuk i shkuan njëherë të kontrollonin shtëpinë e tij, ndonëse e kishin të filmuar dhe e dinin mirë se kush është. Pra policia e shtetit shkoi, jo për të arrestuar, por për të mbuluar krimin e shëmtuar në të cilin mori pjesë, policia e Shkodrës, ndoshta dhe fijet më të larta, sepse kanë një qëllim tani, duan të garantojnë votat e Edi Ramës nëpërmjet Bajrëve”, tha Berisha.