Trump për Liz Cheney: Eshtë e çmendur, me të Amerika do ishte në luftë me 50 vende

Donald Trump e quajti ish-ligjvënësen republikane Liz Cheney, një nga zërat republikanë më kritikë ndaj tij, si një “skifter lufte” dhe sugjeroi se ajo nuk do të ishte aq e gatshme të dërgonte trupat amerikane në luftë, nëse ajo vetë do të ishte vënë para tytës së armës. Zonja Cheney u përgjigj duke e quajtur zotin Trump një “njeri mizor, të paqëndrueshëm që dëshiron të jetë një tiran”.

Në një paraqitje të enjten vonë në Arizona, me ish-gazetarin e kanalit Fox News, Tucker Carlson, zoti Trump u pyet se ç’mendonte për zonjën Cheney që po bën fushatë kundër tij. Ish-ligjvënësja nga Uajoming ka qenë kundështare e zëshme e ish-Presidentit Trump që nga sulmi i 6 janarit 2021 në Kapitol dhe ka shprehur mbështetjen për demokraten Kamala Harris në garën presidenciale të këtij viti, duke marrë pjesë në tubimet e saj të fundit elektorale.

Ish-Presidenti Trump e quajti zonjën Cheney “person të çmendur” dhe shtoi: “Por arsyeja që ajo nuk mund të më duronte është se ajo gjithmonë donte të shkonte në luftë. Nëse do të ishte në dorën e saj, ne do të ishim në luftë me 50 vende të ndryshme”.

Ish-presidenti më tej tha se “Ajo është një skifter radikale lufte. Le ta vëmë me pushkë, përballë nëntë tytave, drejtuar nga ajo dhe të shohim se si do të reagojë.”

“Është e lehtë të kërkoni dislokimin e 10,000 trupave në pragun e armikut nga një karrige në një ndërtesë të bukur të Uashingtonit”, tha zoti Trump.

Kamala Harris dhe Liz Cheney.
Kamala Harris dhe Liz Cheney.

Ligjvënësja Cheney u përgjigj të premten përmes një postimi në platformën X, duke thënë “Kjo është mënyra se si diktatorët shkatërrojnë vendet e lira. Ata që flasin kundër tyre i kërcënojnë me vdekje. Ne nuk mund t’ia besojmë vendin dhe lirinë tonë një njeriu të vogël, hakmarrës, mizor, të paqëndrueshëm, i cili dëshiron të jetë një tiran.”

Më herët, pasi ekipi i fushatës së Nënpresidentes Harris dhe kritikë të tjerë të zotit Trump në mediat sociale dënuan komentet e tij, zyrtarë të fushatës së ish-Presidentit Trump thanë se ai “po fliste se si Liz Cheney dëshiron të dërgojë djemtë dhe vajzat e Amerikës në luftë, pavarësisht se ajo vetë nuk ka qenë kurrë në luftë”./VOA

About Krye Redaktor

Check Also

Raporti: Si Vuçiç përgjon opozitën dhe mediat me programet në telefona

Organizata Amnesty International tha të hënën se shërbimi i fshehtë dhe policia e Serbisë, kanë …