Masakra e Shkodrës, shkon në 4 numri i viktimave, ndërron jetë Bashkim Basha

Bilanc tragjik për ngjarjen e 30 tetorit në Dobraç të Shkodrës. Bashkim Basha humb betejën në spital dhe bëhet viktima e 4 e masakrës ku grupet kriminale që lajnë hesapet me njëri-tjetrin, shkaktojnë edhe viktima të pafajshme. Në vendngjarje Bashkimi humbi të shoqen Fluturën, me të cilën udhëtonte me motorçikletë, por që mjeti i tyre u përplas nga makina e shënjestrave të plumbave. Asnjë autor zyrtar për ngjarjen, teksa deri më tani policia mblodhi gëzhoja pa gjurmë, armë e makina e të djegura, e shoqërime pa rezultat. 2 emra të lakuar për krime, janë në kërkim policor, si dhe një i tretë që u filmua në vendin e ngjarjes, e ku pati dyshime të forta se mund të ishte Ibrahim Lici.

Kryeqendra e veriut Shkodra, është zgjuar këtë të diel, me një tjetër lajm të rëndë, humbjen e jetës në spital të 67-vjeçarit Bashkim Basha. Bluzat e bardha nuk arritën ta mbanin në jetë viktimën e dytë të pafajshme të masakrës së 30 tetorit në Dobraç të Shkodrës. I moshuari humbi në vendin e ngjarjes bashkëshorten Flutura Basha, teksa prindërit e 3 fëmijëve udhëtonin me motor në drejtim të banesës pasi kishin përfunduar punën në tokën e tyre. Motorçikleta u përplas nga makina që drejtohej nga Hamza Lici, kur sapo kishin nisur krismat e armëve që terrorizuan Shkodrën që përtej çdo dyshimi mendohet të jenë vijim i sagës së hakmarrjes mes grupeve kriminale.

Hamza Lici humbi kontrollin e mjetit teksa në drejtim të tij zbrazeshin plumbat e kallshnikobit, nga një “Renxh Rover” i, cili pas disa orësh u gjet i djegur në Grudë të Re vetëm disa orë pas ngjarjes, dhe brenda tij 2 kallashnikovë që pas djegies nuk ka ndonjë shpresë se mund të japin ndonjë provë.

Lici udhëtonte me Arlind Bushatin, djalin e ish-kandidatit për kryebashkiak Xhemal Bushati. Plumbat i prenë të rinjtë në trup dhe në kokë duke iu marrë jetën. Në makinën e tyre u gjetën 3 pistoleta, njëra në sedijen e pasme. Disa orë pas ngjarjes u fol për një të tretë në makinë. Ka dëshmi që ky person që shikohet në pamje, ndodhej në të njëjtin automjet, si dhe dëshmi po ashtu që janë në verifikim, se ka dhënë ndihmën e parë ndaj viktimës Hamza Lici që vdiq në vendin e ngjarjes dhe pasagjerit Arlind Bushati që ndërroi jetë disa orë më pas në spital. Një kamër amatore nga celulari i një dëshmitari, regjistroi këtë të ri, i veshur me të zeza, i gjakosur në duar dhe fytyrë, tepër i tensionuar dhe që dukshëm çalon.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Do ta ndjekim me të gjithë mekanizmat tonë shkeljen e autonomisë vendore nga Edi Rama

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se, letra e përfaqësuesve të pushtetit vendor është …