Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët u ndal tek takimet e Ramës me diasporën në New Jork dhe Selanik, teksa ka gjetur rastin për të falenderuar të gjithë ata qytetarë që në sallë ia përplasën në fytyrë Edi Ramës mashtrimet që bëri dhe abuzimet e tij.
“Lidhur me aktivitetin e Edi Ramës me administratën publike në Selanik, ajo ishte një histori e turpshme mashtrimesh, abuzimesh dhe përdorimit të shtetit elektoral.
Ndaj gjej rastin të përshëndes ata qytetarë që në sallë ia përplasën në fytyrë Edi Ramës mashtrimet që bëri, abuzimet e tij.
Një koleg i juaj njofton se shpenzimet në Nju Jork afrohen me çerek milion dollarë.
Pra, kemi të bëjmë me abuzime të mëdha.
Gënjeu nga Alfa tek Omega.
A e dëgjuat, ju lutem, se shkalla ekstreme e degradimit të njeriut në moral dhe karakter është kur beson gënjeshtrën e tij.
A e dëgjuat, ju tha administratës së vet, sigurisht kishte edhe ndonjë emigrant, se ku erdha në pushtet në vitin e fundit në Shqipëri nuk shkelte këmbë njeriu, paçka se Shqipërinë e vizitoi njëshi i botës, njeriu më i rëndësishëm i planetit.
Paçka se vetëm pak muaj para zgjedhjeve, mbajti një fjalim historik në parlament Hillari Klinton dhe e takoi edhe Edi Ramën.
Por ky beson gënjeshtrat e tij dhe forma më e rëndë e degradimit moral të njeriut është kur ai fillon të besojë gënjeshtrat e tij.
Nëse kthehemi pak më tutje, i ulur në podkastin e tij me një ministre përkarshi, i thoshte sot u operova, nesër në kundërshtim me shkencën dola se duhej të prisja Erdoganin, se vinte miku nga Turqia. Miku nga Turqia erdhi më 8 tetor, ky u operua me 3 tetor.
Të njëjtin mashtrim përsëriste në studio me pensionistët.
Pra, ju lutem sa herë që e keni dhe e shihni, mos injoroni faktin se ai beson gënjeshtrat e tij.
PD ka filluar punën me emigracionin, po punon dhe shpejt do caktojë personat që do merren me zgjedhjet e tyre.
Po lufton fort kudo.
Rregullorja që u miratua është një rregullore në përputhje me standardet që ne pëlqejmë për votimin e tyre.
Ne do bëjmë gjithçka për konkretizimin më të mirë të mundshëm të të drejtës kushtetuese të shqiptarëve, votimin e tyre…
…Sapo të caktohet personi, do t’u bëhet publik medieve”, tha Berisha.