Kampi i refugjatëve në Gjadër/ Dy gjykata në Itali rrëzojnë dekretin e Melonit

Dy gjykata në Itali kanë vendosur ta injorojnë dekretin e qeverisë italiane lidhur me emigrantët, përmes të cilit u riklasifikuan vendet nga ata vijnë, në të sigurta ose të pasigurta.

Më 21 tetor, qeveria e Giorgia Melonit miratoi një dekret ligjor që shënon përmirësimin e listës së saj të “vendeve të sigurta”, e cila kaloi nga normë dytësore në primare, me qëllim që ta forcojë dhe ta imponojë si prioritare, në hierarkinë juridike, në raport me udhëzimet e Gjykatës Evropian

Sipas mediave të huaja, dekreti i miratuar nga qeveria e kryeministres Georgia Meloni, që synonte të kishte një listë të qartë të vendeve të sigurta për ta bërë të zbatueshëm marrëveshjen me Shqipërinë, po vihet sërish në rrezik dhe kjo për shkak se dy gjyqtarë kanë menduar ndryshe.

Një gjyqtar në Katania teksa ka vlerësuar legjitimitetin e ndalimit të një të mituri egjiptian, ka shkruar në vendim se Egjipti nuk mund të konsiderohej një vend i sigurt, ndryshe nga siç listohej nga vendimmarrja e ekzekutivit italian.

Gjyqtari thotë se dekreti i qeverisë Meloni nuk mund ta privojë gjyqtarin të marrë një vendim të tillë, të garantuar nga gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian.

Duke argumentuar se pse Egjipti sipas tij nuk mund të jetë vend i sigurt, Gjyqtari Escher thotë se është një nga vendet ku zbatohet dënimi me vdekje dhe numri i ekzekutimeve është ndër më të lartat në botë.

Gjithashtu sipas tij, Egjipti ka shkelje të lirisë së fesë dhe të drejtave civile, dhunë dhe diskriminim ndaj grave dhe të miturve.

Ndërkohë po ashtu një Gjykatë në Romë, teksa shqyrtonte çështjen e një prej 12 personave që më herët u transferuan në Gjadër, e ka dërguar dekretin për vlerësim në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, siç më parë kishte vendosur një gjyqtar në Bolonja.

Këto vendime të gjykatave e vënë sërish në dyshim në Itali zbatimin e marrëveshjes së emigrantëve me Shqipërinë, teksa dy ditë më parë u vendos që së shpejti të mbërrijnë në Gjadër emigrantë të tjerë dhe anija “Libra” ka rinisur operacionet 20 milje larg Lampedusas për të mirëpritur refugjatët e shpëtuar në ujërat e Mesdheut.

Kujtojmë se anija e parë “Libra” solli në Shëngjin 16 emigrantë nga vendet e Afrikës të kapur në ujërat ndërkombëtar nga autoritetet italiane për t’u strehuar në kampin e Gjadërit bazuar në marrëveshjen e nënshkruar mes dy kryeministrave Edi Rama dhe Gergia Meloni.

Por, 4 prej tyre u kthyen direkt në Itali, pasi dy prej tyre kishin probleme shëndetësore dhe dy të tjerë ishin nën moshë. Disa ditë më pas u kthyen në Itali edhe 12 të tjerët, pas vendimit të seksionit të imigracionit në Gjykatën e Romës.

Sipas vendimit, 12 refugjatët duhet të ktheheshin urgjent në Itali për shkak se Egjipti dhe Bangladeshi, vendet e origjinës së refugjatëve, konsiderohen të pasigurta nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.

About Redaksia

Check Also

Berisha paralajmëron Ramën me një fund të ngjashëm si të Asad

Kam kënaqësinë që të takoj sonte trupën elektorale të PD-së për kryeqytetin e Shqipërisë, për …