Rama dhe qeveritarët në përgjimet e SKY ECC, prokurorja speciale belge në SPAK

Një prokurore belge ka mbërritur sot në SPAK. Burime bëjnë me dije se prokurorja federale Ann Fransen do të zhvillojë një takim me kreun e SPAK, Altin Dumani.

Autoritetet belge dhe SPAK kanë disa skuadra të përbashkëta hetimore për çështje të krimit të organizuar. Po ashtu, drejtësia belge ka vendosur në dispozicion të SPAK të dhëna nga aplikacionet SkyECC dhe EncroChat.

Në dosjet e prokurorisë belge ka dalë edhe emri i Edi Ramës, i përmendur në bisedat e zbardhura të SKY dhe EncroChat.

Vizita e prokurores belge në Tiranë vjen një javë pasi Gjykata e Brukselit shpalli 119 dënime të martën për procesin ‘Encro’, një nga rastet më të mëdha të trafikut të narkotikëve në historinë e Belgjikës, me dënime që variojnë deri në 17 vjet burg dhe konfiskime masive.

Pas një procesi që zgjati 16 muaj, 115 individë dhe katër kompani u shpallën fajtorë për akuza që përfshijnë pjesëmarrjen në një organizatë kriminale, trafikimin e narkotikëve dhe armëve, si dhe përpjekjet për shantazh dhe rrëmbim.

Në mesin e të dënuarve, të kombësive të ndryshme ka edhe shtetas shqiptarë dhe kosovarë, përveç se kolumbianë, belgë, ukrainas apo nga Afrika e veriut. Njëri prej tyre, shqiptari Eridan Guerrero Munoz, i cili u dënua për drejtimin e laboratorëve të kokainës në Belgjikë, bë i famshëm në mediat belge me deklaratën e tij ‘Luajta dhe humba’.

Hetimi i quajtur ‘Encro’ u bazua në deshifrimin e komunikimeve të koduara në EncroChat dhe Sky ECC, që çoi në zbardhjen e aktiviteteve të një organizate të gjerë kriminale. Gjithsej, u dhanë rreth 700 vite burg, ndërsa konfiskimet e urdhëruara arrijnë në 65 milionë euro. Këto konfiskime përfshijnë pasuri të paluajtshme të investuara nga të ardhurat nga trafikimi i drogës.

About Redaksia

Check Also

Çfarë pozite mund të marrë Grenell në administratën e re të Trump

Presidenti i sapozgjedhur i ShBA’së, Donald Trump, pritet të nisë procesin e përzgjedhjes së kabinetit …