Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës së tij me mbështetësit tek “Rrugan e Shpresës” prezantoi programin për bujqësinë. Berisha tha se, do zhbëjmë aktet armiqësore të Ramës dhe Vuçiçit kundër fermerëve shqiptarë.
Berisha: Të dashur miq, me një marrëveshje të fshehtë me Beogradin, me padronin e tij, Edi Rama vendos mbi fermerët shqiptarë sistemin më armiqësor që ekziston kund të taksës së vlerës së shtuar.
Zero në blerje, 20 në shitje.
Çfarë do të thotë kjo miqtë e mi?
Kjo do të thotë që të gjithë operatorët e fushës në bujqësi të mos blejnë produktet e fshatarëve, por të marrin produktet e importit.
Atyre t’u kalbet në fushë, kurse fermerëve të Shumadishës të vijnë dhe të përpunohen në Shqipëri.
Ky akt armiqësor, antishqiptar do marrë fund javën e parë të parlamentit të ardhshëm.
Do krijohet agjencia e studimit të tregjeve dhe orientimit të fermerëve në mënyrë që të mos ndodhë kjo që ndodh rëndom tani, ku qindra e mijëra kuintalë prodhime të klasit të parë përfundojnë në kanale, groposen për shkak të dezorientimit të plotë për tregun dhe mosinformimin e tyre.
Do garantohet shërbimi bujqësor dhe blegtoral nga shteti në çdo rreth, në çdo qark, i organizuar dhe falas.
Do investohet për mekanizmin dhe modernizimin e mekanikës bujqësore.
Një kontroll i rreptë do jetë mbi importin e imputeve bujqësore. Cilësia e tyre do jetë kushti i të gjitha kushteve për t’u shpërndarë në këtë vend.
Siguria ushqimore, e cila sot është si kurrë më parë keq, do jetë një përparësi absolute.
Pra, miqtë e mi, për ne krijimi i mirësive, pasurive, begatimi kudo që jetojnë shqiptarët, është dhe mbetet qëllimi ynë madhor.
Ndaj dhe të bashkohemi, është radha jonë, është radha jonë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!