“Sa e mbylla muhabetin”/ Biseda në “SKY”, si krimi e vendosi Çyrbjan në listën fituese në Durrës

Janë zbardhur bisedat mes njerëzve të krimit të organizuar në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”, ku zbulohet se si ata ndikuan që emri i Jurgis Çyrbjas, të renditej në listën e sigurt për deputet i Partisë Socialiste për Qarkun e Durresit, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021.

Edmond Koçi i njohur si Mond Çekiçi, i ekzekutuar pranverën e 2021 dhe Altin Hajrin, i shumëkërkuar nga drejtësia, u kërkuan zyrtarëve të PS-së që Jurgis Çyrbja të ishte i treti në listën e deputetëve.

Përmes burimeve të besuara, News24 ka mësuar përmbajtjen e disa prej mesazheve në “Sky Ecc” që Mond Çekiçi, krahu i djathtë i Plaurent Dervishajt, ka shkëmbyer me ish-deputetin e PS-së, Jurgis Cyrbja në mars të vitit 2021.

Edmond Çekiçi: “Tashi sa e mbylla muhabetin tënd. Kam 3 orë me atë. Ia kërkova personalisht. E du unë ketë gjë i thashë. Përveç se e duan të gjithë. Do ja çoj ashtu, tha, ti i pesti, Liri i 7”.

Jurgis Çyrbja i kthen përgjigje: “Ma ngrite moralin. Se na kishte ik mendja”.

Të njëjtat burime konfirmojnë se një tjetër person, ende i paidentifikuar nga SPAK, komunikon me Çyrbjan e ndër të tjera i shkruan:

I paidentifikuar: “Mos humbim qetësinë, po të punojmë fort. Ishalla ndërrojnë mendje C me GJ. I thashë duam J. Po duhet qetësi, po të punojmë fort se u ngjan C dhe GJ sikur krijojmë përçarje”.

Gjatë kohës që negociohet për të zhvendosur emrin e Çyrbjas në listë, në telefonin e këtij të fundit nga i shumëkërkuari Altin Hajri mbërrin lista me emrat e kandidatëve ku emri i deputetit ishte i 7.

Hajri i shkruan Çyrbjas, dhe i thotë se Çekiçi duke nënkuptuar Edmond Koçin është dakord, ndërsa do të fliste me Lentin, që sipas SPAK është Plarent Dervishaj.

Në listën që më pas Partia Socialiste dërgoi në komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezultoi se emri i Jurgis Çyrbjas ishte renditur i treti.

Ish-deputeti u arrestua në 20 tetor nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), tre ditë pasi kishte dorëzuar mandatin. Ai është nën hetim si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “përkrahja e autorit të krimit” si dhe “tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.

Bashkë me të ka rënë në pranga edhe Ahmet Masha, vëllai i kunatit të ish-deputetit Çyrbja, si dhe është rishpallur në kërkim Altin Hajri./News24

About Redaksia

Check Also

Ministrat e qeverisë me pasuri 17.2 milion euro, Rama deklaron 2.5 milionë euro

Rilindja duket se nuk ka qenë vetëm një nocion politik i përdorur nga Edi Rama …