Në konferencën me gazetarët, kryetari i PD, Sali Berisha foli edhe për buxhetin e shëndetësisë të parashikuar për vitin 2025.
Berisha tha se, ajo që ndodh në Spitalin Onkologjik është aktakuza më e rëndë në rrafshin njerëzor për Edi Ramën.
“Dua t’i rikthehem përsëri buxhetit, të nderuar gazetarë dhe të dashur qytetarë, sepse ky është buxheti i vjedhjes më të madhe në historinë tonë kombëtare.
Do ndalem vetëm në dy-tre momente.
Buxheti i shëndetësisë dhe arsimit së bashku janë gjithsej 5.4 përqind të GDP-së.
Ndërkohë që premtimi i mashtruesit Edi Rama në krye të herës ka qenë për një buxhet për arsimin prej 5 përqind.
Por të lësh një buxhet prej 2.9 përqind për shëndetësinë dhe të lësh të sëmurët që mund të shërohen, që mund të jetojnë shumë vite më shumë, pa mjekimet bazë, siç ka ndodhur në Spitalin Onkologjik dhe jo vetëm, duke pasur të gjitha mundësitë për t’i siguruar ato, përbën një krim të vërtetë kundër njerëzimit.
Ju jeni dëshmitarë se çfarë gjendje katastrofale, çnjerëzore, ekziston në Spitalin Onkologjik, qendër e vetme e trajtimit të të sëmurëve me neoplazira në Shqipëri.
Ndonëse kjo sëmundje, për nga graviteti i tejkalon të gjitha grupet e tjera. Për nga pesha, renditet e treta në shkallë kombëtare.
Për këtë sëmundje Shqipëria paguan gjithsej 55 mjekë rrogëtarë, ndërkohë që një shërbim onkologjik mbarëkombëtar duhet të bazohej, ose duhej të kishte të paktën minimumi një numër mjekësh 4 herë më shumë se sa sot.
Mos harroni se normalisht Shqipëria duhet të ketë të paktën 4 mijë mjekë.
Ajo që ndodh në Spitalin Onkologjik është aktakuza më e rëndë në rrafshin njerëzor për Edi Ramën, Ogerta Manastirliun, Korbën e Kovidit, siç e quan rëndom populli, për drejtuesit e qëndrës spitalore dhe Spitalit Onkologjik.
E pashembullt në botë!
U them ju, ndjej një keqardhje shumë të madhe se jam i vetëdijshëm se ata mjekë, ata infermierë derdhin lumenj djerse, por disa prej tyre kanë pësuar një shkarje të tmerrshme dhe kanë rënë në kthetrat e mafies më të zezë, se nuk ka mafie më të zezë se ajo e bluzave të bardha.
U them këtyre zonjave dhe zotërinjve, se me mesazhet e tyre të publikuara në shtyp, do mund të prodhohej filmi më horror i kohërave për bluzat e bardha.
Ndaj dhe dënoj me forcën më të madhe këtë situatë katastrofale në Spitalin Onkologjik, por ju garantoj se ekzistojnë një seri spitalesh të tjera, ku mund të diagnostikohesh, por procedurën e mjekimit do shkosh ta paguash diku tjetër, ndonëse ekziston çdo mundësi për t’u bërë në publik.
Të gjitha këto se paguhet ministrja, paguhet Edi Rama, paguhen drejtuesit.
Një mafie e urryer. Nuk ka mafie të mirë, por këta janë mafia më e keqe që sillen në këtë mënyrë”, tha Berisha.