Zef Morina, kryetari i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, ka mbajtur një fjalim emocionues në “Rrugën e Shpresës”, ku ka shprehur mbështetje të fortë për liderin e opozitës Sali Berisha dhe të gjithë shqiptarët që po e mbështesin atë.
Ai ka theksuar se situata aktuale që po kalon lideri i opozitës, Berisha, është plotësisht politike dhe e padrejtë, duke e krahasuar me një akt që ka për qëllim të dëmtojë demokracinë në Shqipëri. Morina ka shprehur mbështetje të fortë nga populli i Kosovës dhe ka theksuar se ata janë me presidentin Berisha në këtë betejë.
Ai ka theksuar se në këto momente të vështira, populli shqiptar i ka borxhe presidentit Berisha për përpjekjet e tij në ndihmë të shqiptarëve, veçanërisht gjatë periudhës së ndërtimit të Rrugës së Kombit. Morina ka shprehur bindjen se e drejta do të triumfojë dhe se Berisha do të rikthehet shumë shpejt në mesin e shqiptarëve.
“Vij nga Kosova për ta përshëndetur presidentin Berisha dhe të gjithë ju këtu. Pa dashur të ndërhyj në drejtësinë shqiptare apo në SPAK, mendoj se kjo që po ndodh me zotin Berisha, me liderin e demokracisë, liderin e opozitës, dhe liderin e Partisë Demokratike, nuk është e drejtë, sepse veprimi që është bërë ndaj tij është krejtësisht politik. Për këtë arsye, ju mblidheni këtu çdo natë.
Ju ndjekim nga Kosova, ne e ndjekim çdo hap, çdo ditë, situatën këtu. Populli i Kosovës është me demokracinë, me presidentin Berisha.
Jemi të sigurt që e drejta do të triumfojë dhe zoti Berisha shumë shpejt do të jetë në mesin tonë. Bashkë me ju dhe bashkë me ne, ai do të punojë që Shqipëria të frymojë në mënyrë demokratike, ashtu siç e meriton populli shqiptar. Populli shqiptar i ka borxhe presidentit Berisha, sepse në kohët më të vështira ka qenë me popullin shqiptar. Presidenti Berisha ishte ai që ndërtoi Rrugën e Kombit, e cila lidhi Kosovën me Shqipërinë.
Kam një përshëndetje të veçantë nga populli i Kosovës.
Edhe diçka: jemi shumë të sigurt që pas fitores së të djathtës në Amerikë, do të fitojë e djathta edhe në Shqipëri edhe në Kosovë”, u shpreh Morina.